Berisha u përgjigjet të vegjëlve: T‘i largohemi kësaj situate
Lidershipi i PD-së, megjithëse është treguar i rezervuar dje në lidhje me vendimin e partive të vogla për referendum, për reformën zgjedhore, për të qetësuar situatën, është përgjigjur se "duhet të lëmë pas situatën aktuale". I ftuar nga instituti demokratik amerikan, për të promovuar përfshirjen e grave në politikë, Berisha nuk ka preferuar të thyejë murin e heshtjes së tij të gjatë publike, mbi debatet e nxehta të aleatëve të vegjël, por edhe të kundërshtarëve të vegjël. Për sa i përket reformës, Kryeministri Berisha theksoi se tani ka ardhur koha të shkëputemi nga kjo situatë e papranueshme. Berisha theksoi se ka kontakte të vazhdueshme nga mëngjesi deri në darkë me aleatët e tij, duke kërkuar në këtë mënyrë të shmangë ngrirjen e marrëdhënieve institucionale mes koalicionit qeverisës. Por ndryshe nga ai, një ditë më parë, të gjitha partitë e vogla kanë kërcënuar të mëdhenjtë me referendum. Dhjetë partitë e vogla kanë firmosur deklaratën që kundërshton çdo lloj sistemi që favorizon "Dushkun" dhe shprehin përkrahjen për sistemin proporcional të personalizuar. Nëse PD dhe PS nuk do t‘i bashkohet vullnetit të forcave të vogla parlamentare, atëherë 10 partitë e vogla do të kërkojnë edhe referendum. Pasi hartuan deklaratën e përbashkët ditën e enjte, partitë e vogla kërcënojnë me referendum për reformën elektorale. Ata shprehen se kanë 28 firmat për t‘u përfaqësuar në Kuvend dhe bëjnë fajtor dy liderët e partive më të mëdha se po ndjekin politikën e vjetër. Gjashtë parti kanë firmosur gjatë paradites së djeshme dhe më pas nga pasditja kanë dhënë firmat edhe 4 partitë e tjera të vogla. Është vendosur nga të vegjlit që komisioni për reformën të thërritet në Kuvend më 3 mars 2008 dhe çështja e sistemit zgjedhor duhet të miratohet në Kuvend brenda muajit mars. PR, PSD, LSI, PAA, PAD, PDR, PDS, PBDNJ, PDK, PBLD, janë partitë që janë ngritur kundër bashkëpunimit të njëanshëm PD-PS. Kryetari i PDS, Paskal Milo, ka paralajmëruar se brenda PD dhe PS do të ketë rrjedhje votash për çështjen e reformës.