OSBE: Harrojeni "Dushkun", mos përdorni më lista të hapura
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Boch, ka deklaruar dje se politika shqiptare duhet të plotësojë katër pika për të konkretizuar sistemin e ri zgjedhor. "Transparencë, demokraci, jo ‘Dushk‘ dhe jo lista të hapura". Ky është mesazhi që ka përcjellë dje OSBE nëpërmjet ambasadorit të saj në Shqipëri. Boch thekson se "OSBE nuk ka preferencë për sistemin zgjedhor, atë duhet ta zgjedhin partitë, rëndësi për ne kanë vetëm kushtet që kemi propozuar". Gjatë një vizite pune në qytetin verior në Shkodër, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Boch, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend e konkretisht për debatin më të nxehtë mes partive politike të mëdha e të vogla për reformën zgjedhore. Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Shqipëri ka preferuar të bëjë vizitën e tij të parë jashtë Tiranës për t‘i përcjellë mesazhin politikës shqiptare, e cila kohët e fundit po përplaset mbi pikën më të nxehtë, atë të reformës zgjedhore. Gjatë gjithë ditës së djeshme Bosch ka zhvilluar disa takime pune me kryetarin e bashkisë, drejtorin e policisë dhe prefektin e Qarkut Shkodër. Takimet në fjalë janë zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave. Në fund të takimeve për mediat ambasadori i OSBE kishte rezervuar një konferencë shtypi. Sipas një axhende të parashikuar më parë, takimet kanë nisur me drejtuesit më të lartë vendorë, duke filluar nga bashkia, këshilli i qarkut, prefektura; për të vazhduar me drejtuesit e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Pyetjes se cili është mendimi i OSBE për reformën zgjedhore në Shqipëri, ambasadori Boch i është përgjigjur se OSBE-ja është e përfshirë thellë në procesin zgjedhor. "Jemi të kënaqur që ka propozime direkte. Partitë japin propozime të qarta. Koha në fakt është e shkurtër, vitin tjetër do të ketë zgjedhje, ndaj duhet të përfundojë sa më shpejt procesi i reformës zgjedhore", theksoi ai. Boch ka cilësuar si problem më vete regjistrin e gjendjes civile dhe kartat e identitetit, të cilat duhet të jenë sipas kërkesave. "Në momentin që po flasim, çështja e sistemit zgjedhor është më e rëndësishme. Ne na intereson që të ketë një sistem zgjedhor, që do të zgjidhet nga autoritetet shqiptare, por që të plotësojë kërkesat tona, të cilat janë katër. Sistemi zgjedhor duhet të jetë transparent, demokratik, të mos ketë ‘Dushk‘ dhe të mos ketë lista të hapura", tha ai. Sipas tij, listat e hapura nuk duhet të ekzistojnë më, pasi krijojnë mundësi për lëvizje emrash. "Nuk kemi asnjë preferencë për sistemin zgjedhor që do të përcaktohet, për ne kanë rëndësi katër kushtet që duhet të plotësohen", tha Boch.