Durrës, Streha Vorfnore mbush 50 vjeç
Atëherë Streha Vorfnore, sot Shtëpia e Foshnjës Durrës, ka mbushur 50 vjet jetë në mbrojtje të fëmijëve jetimë. Në këtë përvjetor, vogëlushët e shtëpisë dhanë një shfaqje për drejtuesit e lartë të pushtetit vendor dhe atij qendror në Durrës, ndërsa morën përkëdheli dhe ngrohtësi në këtë ditë të vetme prej tyre. Sipas drejtoreshës së Shtëpisë së Foshnjës, Heroina Duka, të gjithë fëmijët asistohen nga punonjëse sociale dhe kujdestare të trajnuara profesionalisht, për të vendosur një komunikim sa më efektiv me ta dhe për të ndikuar pozitivisht në rritjen e tyre.
Shtëpia e dikurshme e Foshnjës është shpërbërë, duke u shndërruar në një institucion me disa qendra, që ofrojnë kushte më të mira për vogëlushët me synim për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë e familjare për ta. Fëmijët janë ndarë në dy shtëpi, ndërsa Shtëpia e tyre është shndërruar në Qendër Sociale të programit për mbështetjen e familjeve në nevojë. Në dy vila dykatëshe të blera dhe të pajisura mirë, njëra në Shkozet dhe tjetra në Lagjen 7 të qytetit të Durrësit, fëmijët kanë gjetur shtëpinë-familje. Ideja e kthimit të Shtëpisë së Foshnjës në bashkësi të vogla fëmijësh ishte e fondacionit anglez "Hope and Home for the Children", i cili prej vitesh mbështet këtë shtëpi.
Ndërkohë, tashmë ofrohet asistencë emocionale dhe materiale edhe për familje në nevojë, nga zona e Shkozetit dhe ish-kënetës nëpërmjet programit të mbështetjes së këtyre familjeve, si dhe një Qendër Ditore për fëmijët e këtyre familjeve. Kështu, përveç fëmijëve jetimë, Qendra Ditore pret dhe 20 fëmijë të familjeve në nevojë, të cilët kalojnë një pjesë të ditës në kushte shumë më të mira se ato në banesat e tyre. Gjatë ceremonisë së 50-vjetorit, kryebashkiaku Vangjush Dako premtoi se institucioni që ai drejton do të jetë pranë fëmijëve jetimë, ndërsa prefekti i qarkut, Klodian Pajuni, ftoi biznesin dhe organet e pushtetit vendor të kontribuojnë për t‘u siguruar fëmijëve jetimë kushtet e nevojshme për një fëmijëri sa më të mirë.