"Gracka iluministe" dhe dhuna mbi femrat
Pak ditë më parë ndodhi një tjetër krim i radhës, i shëmtuar, barbar, antinjerëzor. Me një agresion të tipit kriminal, vëllezërit i marrin jetën motrës së tyre dhe të dashurit të saj për "çështje nderi". Me gjithë tronditjen që pësoi opinioni nga kjo ngjarje makabre, duket se shoqëria jonë është ambientuar tashmë me një "dhunë ritmike" të të gjitha llojeve, që ushtrohet mbi femrat në emër të nderit, të besnikërisë, të tradhtisë bashkëshortore, të dyshimit, të xhelozisë, e plot mentaliteteve primitive që rëndojnë mbi gratë. Ajo ngjarje dhe disa të tjera që ndodhin përditë, duket se kërkojnë një rishikim të "platformës" së debatit social dhe të mjeteve që duhet të përdorë shteti dhe shoqëria në luftën kundër dhunës ndaj femrave. Në të vërtetë, më duket se shpesh kur implikohemi me këtë temë bëjmë më shumë "tautologji iluministe", se sa veprim energjik social dhe shtetëror.
Gracka e trajtimit iluminist të dhunës ndaj femrës dhe interpretimi i saj si problem i barazisë gjinore dhe jo si shfaqje e rëndë e cenimit të integritetit personal, social dhe si shkelje kriminale e të drejtës së njeriut. Është non sens politik, shkencor, qytetar dhe intelektual fakti që debati për dhunën mbi femrat deformohet në esencën e debatit dhe perceptimit politiko-social dhe pastaj, po kështu e deformuar vjen edhe përmes valëve të medias dhe protokolleve të shtypit të shkruar. Nuk është rastësi që debati thjeshtëzohet në pamjen më të semifikuar të një problemi gjinor, duke abstraktuar nga "thelbi i së keqes", që është me natyrë historike, politike, kulturore dhe ligjore. Politika duhet ta mendojë pak më ndryshe këtë problem. Pak më ndryshe dhe më në mënyrë të drejtpërdrejtë duhet të interferojë edhe shtypi dhe shoqëria civile me mjetet e tyre. Femrat janë qytetare me integritet të plotë, pastaj me identitet gjinor apo seksual të veçantë. Nëse suksesi ynë në luftën kundër dhunës ndaj femrave ka qenë minimal, kjo ka ardhur sepse historikisht këtë problem ose e kemi trajtuar për të qenë konformist me "modat" e trajtimit të problemit gjinor, ose e kemi parë dhe vlerësuar me parime iluministe, në mënyrë të thjeshtëzuar. Këtij rreziku të trajtimit iluminist të problemit, kam frikë se nuk do t‘i shmangemi as kësaj here që dhuna ndaj femrave ka marrë përmasa të frikshme.
Kanë kaluar gati tre shekuj që nga "koha e iluministëve", të cilët në kohën e tyre mbrojtën pikëpamjen moderne, se seksi nuk është mallkim për gruan, se nuk ka ndryshime të lindura midis sekseve. Ata e hodhën poshtë tezën reaksionare të romantikëve, të cilët ndryshe nga iluministët flisnin për dallime që vijnë nga faktorë biologjikë dhe fiziologjikë të lindur. Megjithatë, debati "për femrën", rolin e identitetit të veçantë seksual dhe "ndikimin social" të seksit të saj, ka vazhduar me intensitet të madh gjatë shekullit XIX dhe XX. Me sa duket, ky problem do të vazhdojë edhe këtë shekull dhe ndoshta do të jetë një nga sfidat e papërfunduara të qytetërimit modern.
Personalisht mendoj se është e nevojshme që të ndryshojmë optikën e shikimit dhe parametrat e vlerësimit të dhunës ndaj grave. Kam ndjekur me shumë vëmendje aksin e debatit publik dhe të reagimit të politikës, shtetit dhe shoqërisë civile. Madje me po aq vëmendje edhe reagimin e opinionit publik. Ajo që të bën përshtypje, është fakti që, ndërsa ka shpërthyer një llafologji shurdhuese iluministe, veprime e spektakle enumerative të OJF-ve që kanë 17 vjet që më shumë bëjnë llogje gjinore se sa punë të vërtetë, që janë grumbulluar "kalikiç" mbi njëra-tjetrën këtu në Tiranë, pa ia ditur fare që gratë nëpër provinca e fshatra, por edhe në qytet, po rrihen barbarisht dhe që me sa duket as nuk dinë të mbrojnë veten, as nuk mbrohen nga të tjerët, veçanërisht nga shteti dhe shoqëria.
Më ka ardhur shumë keq kur edhe profesionistë të nderuar, sociologë të njohur, me emër dhe të respektuar e thjeshtëzojnë dhunën ndaj femrave në çështje mentaliteti, duke zbutur kështu përmasat sociale, intensitetin dhe virulencën e veçantë me të cilën ajo po shfaqet në shoqërinë shqiptare sot. Dhuna ndaj femrave ka një koracë të ashpër, të fortë, të kalitur jo vetëm nga mentaliteti maskilist i shoqërisë sonë tradicionalisht patriarkale, por mbi të gjitha antifeminizmi sipas meje është një konstante historike dhe kulturore e shoqërisë sonë. Shoqëria jonë tërë jetën ka qenë maskiliste, nënvleftësuese për femrën, të cilën e ka parë nga pozita inferiore. Por në periudhën e demokracisë, për fat të keq të shoqërisë tonë dhe të femrave tona, barrës që vjen nga "kultura dhe historia" e shoqërive të vjetra i është shtuar edhe dhuna që vjen nga shpërthimi i një vale të paparë të paragjykimeve dhe obsedimit seksist të shoqërisë. Tezën iluministe të seksit të lirisë, të të drejtës së njeriut që të jetë i lirë dhe të veprojë si të dojë me trupin si pronë private, meshkujt e shoqërisë sonë "moderne" po e shpërdorojnë në mënyrë katastrofike. I vetmi ndryshim është identiteti gjinor, ose akoma më thjesht identiteti seksual. Ky ndryshim në thelb biologjik është bërë "atu sociale" për shoqërinë shqiptare, pengesë për afirmimin e personalitetit të gruas, në emër të paragjykimit me përmasa sociale, që e konsideron atë si "seks i dobët". Është e vështirë për shoqërinë tonë në këtë periudhë të modernitetit që t‘i shpëtojë paragjykimit, sipas të cilit, dallimet ndërmjet sekseve të ndryshme janë të lindura, dhe se ky është shkaku që ndryshon pozitën shoqërore dhe fatin e gruas nga burri. Ka qenë pjesë e kulturës maskiliste të shoqërisë shqiptare kufizimi i rolit të gruas kryesisht në një mjet të thjeshtë për të plotësuar kënaqësitë e burrit.
Ne nuk mund ta mohojmë deformimin që ka marrë shoqëria jonë nga përhapja e sindromës seksiste. Ky po që është vërtet një mentalitet që tregon se një pjesë e segmentit mashkullor në shoqërinë tonë është "e sëmurë" nga sindroma seksiste, që e shikon femrën, pozitën e saj sociale, të diktuar nga "identiteti seksual" i veçantë. Nuk është detyrë vetëm e shoqërisë dhe shtetit, familjes dhe komunitetit që të shërojmë shoqërinë tonë nga kjo sëmundje sociale e seksizmit, e cila për hir të së vërtetës nuk është pjesë e traditës sonë nacionale, por keqkuptim dhe konfondim i parimeve seksuale të shoqërisë së lirë dhe të modernitetit të deformuar. Në këtë kontekst, sot më tepër se kurrë kërkohet kontributi i shkencave psikologjike dhe antropologjike, për të ndërgjegjësuar të gjitha strukturat e shtetit, të edukimit dhe të sigurisë morale të shoqërisë që të edukojmë pse jo dhe të kulturojmë meshkujt e kësaj shoqërie që të kuptojnë se nuk kanë asgjë mangët si njerëz femrat tona, që të pësojnë përmasa të tilla të dhunës mashkullore. Akoma më tej duhet të ndërgjegjësojmë opinionin publik që të pranojë jo me fjalë, por me shpirt dhe vepra një qëndrim të ri me femrat, duke qenë ndërkaq të bindur se nuk ka asnjë ndryshim me "karakter ontologjik", burrit dhe gruas, mashkullit dhe femrës.