E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ribashkimi" i Çekosllovakisë

Mareku, djaloshi 9-vjeçar banor i Pragës, do të jetë një nga dëshmitarët më të vegjël të ribashkimit të dy shteteve në zemër të Evropës, atdheve të prindërve të tij. Dhe këto do të jenë Krishtlindjet e para, kur në sytë e këtij vogëlushi nuk do të shfaqen njerëz me silueta në kufirin çekosllovak për të parë pasaportat e tij dhe të prindërve. As xhamat e makinës së tyre nuk do të hapen dhe atyre nuk do t‘u duhet të hapin bagazhet në kontrollin rutinor policor, siç ndodhte në atë të ftohtë të disa ditëve të kaluara të dhjetorit.

Kur 14 vjet më parë, dy shtetet, të bashkuar në një martesë të gjatë vendosën të ndahen në paqe, Marek nuk kish ardhur në jetë. Divorci çekosllovak u emërtua "Velvet Divorce", në kujtim të revolucionit antikomunist të vitit 1989, i njohur në histori me të njëjtin emër. Ky revolucion do t‘i jepte fund udhëheqjes komuniste të Çekosllovakisë dhe i hapi rrugë demokracisë në këtë vend. Kur politikanët vendosën të ndajnë shtetin, deri atëherë të përbashkët, për çekët e sllovakët dolën në skenë dhjetëra probleme. Ndër kryesorët, ai i martesave mikse, raste të ngjashme me ato në ish-Jugosllavi, mes kroatëve e serbëve apo kombësive të tjera. Ajo çka mbetet e paqartë deri më sot është fakti se përse banorët çekë e sllovakë nuk u pyetën në referendum nëse e pranonin ndarjen. Mbase shumica nuk do ta kish pranuar kufirin.

Mazhoranca e banorëve aktualë të Sllovakisë padyshim do kishin votuar kundër, duke preferuar të qëndronin në një çati me fqinjët e tyre çekë për shkak të nivelit më të lartë të jetesës në Veri. Një fakt i tillë provohet sot, kur ata janë të detyruar të punojnë si emigrantë ekonomikë përtej kufirit të shtetit, dikur të përbashkët. Papunësia mes çekëve llogaritet në 2.5%, ndërsa mes sllovakëve në 10.3%. Ndonëse dy vendet u pranuan në të njëjtën kohë në Bashkimin Evropian më 2004, diferencat në zhvillimin ekonomik e social mbetën të mëdha. Por atë që nuk deshën ta bënin politikanët e Pragës e Bratislavës këtë 20 dhjetor do ta imponojë hyrja e të dyja vendeve në zonën e re "Shengen".

Dhe kjo datë do të hyjë në historinë më të re të Europës si dita kur edhe pse sërish zyrtarisht dy shtete të ndara, kufijtë mes Çekisë e Sllovakisë do të mbeten thjesht simbole gjeografike të së kaluarës. Një ditë më vonë, më 21 Dhjetor, përfundimisht Repubblika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovenia, Sllovakia dhe Hungaria do të hapin kufijtë e tyre tokësorë me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Por vetëm pas marsit të 2008-ës këto vende do të heqin kontrollin kufitar nëpër aeroporte për pasagjerët e avionëve të nisur nga vendet e tjera të BE-së. Evropa e bashkuar, ëndrra e lëvizjes së lirë e komunikimit pa barriera mes kombeve në kontinentin e vjetër shtrin hapësirat e saj të lira këtë fundvit 2007 deri në kufijtë tokësorë me Bjellorusinë, Ukrainën, Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Në listën e kufijve të rinj të zonës "Shengen" mbeten Rumania e Bullgaria, që do t‘i bashkohen në vitin 2011 hapësirës së re evropiane të lëvizjes së lirë.

Ndërsa makinat, trenat e avionët do lëvizin edhe më lirshëm anekënd kufijve të Evropës së re, ne, banorët e të njëjtit kontinent që fati historik na bashkoi në hapësirën e quajtur Ballkani Perëndimor a duhet ta ndjejmë veten përballë një Muri të ri Berlini? Nëse më duhet të përdor atë gjuhën diplomatike që na mësojnë në shkollat evropiane e që dëgjojmë nga politikanët që kanë në dorë fatin tonë politik, më duhet të jem i kursyer në fjalë ose minimumi për të thënë gjithçka në stil të përmbajtur. Megjithatë po i sjell lexuesit konstatimin e marrë nga një vend i largët ku kam jetuar disa kohë, Koreja e Jugut. Konsulli italian i disa viteve më parë më ankohej për pagën e tij, goxha të lartë për mendimin e një studenti modest nga bota e tretë, si unë. Ai pretendonte që shifra e të ardhurave të tij do shtohej me disa zero, nëse do ta kishin nisur drejt Tiranës, Beogradit, Shkupit, Sarajevës apo ndonjë vendi afrikan, ku do t‘i buzëqeshte fati të jepte viza mbi e nën dorë. Por beteja për të marrë Tiranën, Beogradin, Sarajevën, Podgoricën, Shkupin e çdo vend tjetër ishte aq e vështirë dhe e lakmuar nëpër korridoret e Farnesinës, Ministrisë së Jashtme italiane.

Dhe shpresoj tashmë të mos bëhet kaq ndjellëse kërkesa për dhomat e ngrohta diplomatike në Tiranë, të Pragës, Budapestit, Varshavës e çdo vendi të ri të hapësirës ‘Shengen‘. Duhet të presim ndoshta disa vjet ndoshta më se një dekadë ndoshta dy, kur këto historitë tona të vizave të marrin fund. Dhe lehtësirat e premtuara pritet të japin shenjat e para në fillimvitin 2008. Ose më e pakta përballë kërkesës për lëvizje të lirë, të mos gjykohet kombi, por individi. Oazi i izoluar nën rregullat strikte të ‘Shengenit‘, i përbërë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, do t‘i duhet të shpejtojë me reformat që dyert e Evropës të hapen. Një proces hapjeje që shkon përtej mëshirimit apo thjesht faktit të qenies gjeografike pjesë e Evropës. Dhe për ata që u ka rënë fati të enden rrugëve të Rumanisë, Bullgarisë apo Sllovakisë, imazhi para syve nuk është dhe aq i ndryshëm me atë tonin, ndonëse imazhi ynë thellë thellë rren, fsheh atë që na mungon në përditshmen tonë, në atë që përshkruhen detyrime për të qenë realisht evropianë.

Ne banorëve të Ballkanit Perëndimor na duhet të shtojnë komunikimin me BE-në nëpërmjet udhëtimit, arsimit dhe tregtisë. Fatkeqësisht, politikat që do të ndihmonin për t‘i dhënë fund izolimit të rajonit, bien ndesh me preferencat e votuesve në vendet kryesore të Evropës Perëndimore. Izolimi dhe ndjenja e përjashtimit u jep vota nacionalistëve dhe partive antidemokratike. Mes të rinjve në rajon, të cilët janë rritur mes luftës dhe propagandës raciste, ky izolim i detyruar ka rritur mungesën e tolerancës, nacionalizmin ekstrem, dhe përshtypjet konspirative për botën. Një brez i tërë ka nevojë jo vetëm të udhëtojë, por të ketë mundësinë e arsimit të lartë jashtë shtetit dhe një arsimi më të mirë të mesëm dhe të lartë në vend. Çështja më e ngutshme është mungesa e institucioneve efikase dhe kompetente shtetërore. Ndërkohë që kandidatët e mëparshëm të Bashkimit Evropian u lanë t‘i reformonin vetë këto institucione shtetërore (duke sjellë rezultate të përziera), shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për më shumë këshilla dhe kushtëzime në këtë fushë. Prandaj, Bashkimi Evropian duhet të dërgojë më shumë njerëz në rajon nëpërmjet delegacioneve të tij. Vetëm institucione kompetente shtetërore do të jenë të afta të zbatojnë reformat aq të nevojshme ekonomike dhe të ripërcaktojnë rolin e shtetit në rregullimin e ekonomisë, duke sjellë gradualisht ringjalljen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Ndërkohë, arsyet për kërkesën e vizës ndaj qytetarëve të këtyre vendeve dhe komplikimin e qasjes së tyre në sistemin arsimor të BE-së nuk janë bindëse. Rrjetet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor kanë hyrë tashmë në shtetet anëtare të BE-së; regjimi i vizave e ngadalëson procesin e ndërtimit të shteteve të fuqishme dhe qeverive të motivuara që mund t‘i luftojnë këto rrjete në vendin e tyre. Ndërsa, për sa u përket terroristëve të mundshëm, ka më shumë prej tyre në çdo qytet të Evropës Perëndimore sesa në këto katër vende të bëra bashkë. Gjatë dekadës së fundit, dhe veçanërisht që nga viti 2000, të pesë këto vendet kufitare me "Shengenin" e ri kanë bërë përparim në ndërtimin e institucioneve demokratike, duke trajtuar çështje të prapambetjes së thellë ekonomike, duke nxitur bashkëpunimin rajonal dhe duke përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike. Nën ndikimin e BE-së, parlamentarët e këtyre vendeve kanë ratifikuar me shpejtësi marramendëse ngritje kartonësh programe politike dhe ekonomike që përputhen me ofertën e shteteve të tyre për anëtarësim në BE. Por kjo kurrsesi nuk mjafton. Vendet tona kanë një rrugë të gjatë përpara se të zbatojnë reformat politike dhe ekonomike që krijojnë një shtet të fuqishëm dhe efikas me një ekonomi tregu funksionale, dhe nxitjen e integrimit rajonal dhe tolerancës etnike. Sot, sfida më e madhe e politikës së jashtme për krerët e BE-së është rregullimi dhe përmirësimi i ndikimit të BE-së në mënyrë që të mund të funksionojë edhe në rastet më të vështira si ato të Ballkanit Perëndimor. Duke kushtuar më shumë vëmendje dhe burime, BE-ja mund të ndihmojë në prezantimin e një periudhe stabiliteti demokratik dhe ringjalljeje ekonomike në këtë rajon dhe në shpresat e qytetarëve që kanë arsye ta ndjejnë këtë fund dhjetori rrethimin demokratik në kufijtë që i ndan nga Evropa e lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›