E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi dhe ndëshkimi

Juristë, psikologë, por edhe politikanë, kanë ofruar zgjidhjet e tyre për të parandaluar krimin në familje. Ata kanë folur në emisionin "Shqip" të Rudina Xhungës në "Top Channel", në vijim të procesit mediatik të hapur nga "Top Media" për sensibilizimin mbarëkombëtar në luftën kundër dhunës dhe krimit në familje.

Rudina Xhunga: Si e mendoni zgjidhjen e këtij problemi?

Edmond Dragoti: Mendoj se duhet të organizohen disa forma të ndryshme në ndikimin e ndërgjegjësimit të opinionit në parandalimin e dhunës në familje. Së pari është e domosdoshme që të krijohet një sistem edukativ me brezin e ri, që të jetë sa më efikas, kryesisht në formimin e tyre, në kulturën civile, në kulturën qytetare kundër dhunës, sepse ky brez që merr modelin e dhunës në familje do ta pasqyrojë dhe do ta shfaqë edhe në vitet e ardhshme. Së dyti, vetë struktura dhe organizmat shtetërore, si për shembull sistemi i drejtësisë, duhet të forcojnë ose të rrisin forcën ndëshkuese të ligjit nëpërmjet një ligji më të ashpër dhe më efektiv për të edukuar njerëzit ose meshkujt e dhunshëm në familje, apo anëtarët e dhunshëm të familjes. Së treti, është e domosdoshme të krijohen struktura të posaçme shtetërore, të cilat duhet të jenë në mbështetje të viktimës, që duhet të stimulojnë denoncimin e dhunës në familje, që të kenë mundësi t‘i japin asistencë ose siguri viktimës që është vazhdimisht e ekspozuar ndaj rrezikut të dhunës së mëtejshme. Po ashtu është e rëndësishme të ndërgjegjësohet opinioni i shoqërisë civile, që duhet të jetë më efektiv dhe të gjendet gjithmonë pranë situatave të ngjashme që paraqiten në çdo shoqëri ose komunitet. Po ashtu edhe media ka një rol shumë të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e opinionit shoqëror dhe kryesisht ndërgjegjësimin e aktorëve kryesorë të dhunës, që janë burri dhe gruaja.

Xhunga: Ka mijëra gra të dhunuara që po më shikojnë dhe unë nuk di çfarë t‘u them. Më thoni ju z. Dragoti, çfarë duhet t‘u them unë atyre që t‘i mbroj?

Dragoti: Media ekspozon problemin, media nxit ekspozimin e faktorëve që kanë çuar në dhunë në familje, media gjithashtu ndërgjegjëson opinionin e politikëbërësve, opinionin e shtetit, opinionin e administratës, opinionin e shoqërisë civile, që të jenë të pranishëm vazhdimisht dhe që të kenë mundësi të ndihmojnë, të stimulojnë, të denoncojnë, të identifikojnë problemet e dhunës.

Ylli Manjani: Unë bie dakord me mendimet e z. Dragoti, por dua të jap një opinionin politik. Ne besojmë që një politikë ndryshe, një politikë e re, që do t‘i japë fund këtij tranzicioni, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe te reduktimi i krimit në familje. I kërkoj ndjesë pjesës së paprekur në këtë debat, që janë fëmijët, të cilët janë njerëzit e rinj që vuajnë në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojat e dhunës në familje. Duhet që shteti të funksionojë, pasi shteti është përgjegjës për jetën e çdo shtetasi në këtë territor. Gjithashtu, gjykata duhet të funksionojë, edhe pse ka gjyqtarë që rrahin gruan. Gjërat duhet të përmirësohen vetëm nëpërmjet funksionimit të drejtë të shtetit.

Kreshnik Spahiu: Informacionin që ka z. Manjani, se ka gjyqtarë që rrahin gratë e tyre, e kemi edhe ne. Mund të shtoj që ka gjyqtare, të cilat janë viktima të dhunës në familje nga bashkëshortët e tyre, ashtu siç kemi dhe informacione që ka deputetë, të cilët ushtrojnë dhunë ndaj bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre. Dua të parashtroj tre-katër probleme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të ndikojë në këtë çështje. Besoj që Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të ushtrojë një inspektim të veçantë të çështjeve gjyqësore që lidhen me dhunën në familje, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të drejtojë Shkollën e Magjistraturës dhe të rekomandohet që të ndikojë në edukimin e gjyqtarëve, që të përmirësohet dhënia e drejtësisë dhe rrethanat në të cilat duhet të referohen gjyqtarët në vendimet e tyre. Gjithashtu mund të orientohen kryetarët e gjykatave, të cilët duhet të informojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë për ecurinë dhe politikat penale, të cilat zbatohen në gjykata për këto çështje, po ashtu edhe monitorimi i zbatimit të ligjit të fundit, kaluar një vit më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, ku fatkeqësisht ka gjykata të tëra, në të cilat askush nuk u është drejtuar gjykatave, për arsye se ky ligj ka mbetur një fiksion, ka mbetur një copë letër, ka mbetur i pazbatueshëm. Janë shumë pak gjykata, si ajo e Tiranës apo e Durrësit, ku janë bërë denoncime për dhunë në familje.

Vasilika Hysi: Në vazhdim të z. Spahiu, unë do vazhdoja me dy masa të tjera parandaluese. Do kërkoja që të ketë ndërhyrje dhe kujdes më të madh për familjet në nevojë. Në këtë kuadër, njësitë bashkiake, komunat, të bëjnë një evidentim të familjeve dhe konflikteve që mund të kenë dhe punonjësit e shërbimet sociale të ofrojnë ndihmën përkatëse për të eliminuar sinjalet e para. Së dyti, do të thosha që është shumë e rëndësishme të ngrihen institucionet për ofrimin e shërbimit për personat që denoncojnë, sepse me të vërtetë u bëjmë thirrje grave që të denoncojnë, por ne nuk jemi në gjendje që t‘i mbrojmë ato. Së treti, ka ardhur koha për të bërë disa ndryshime në legjislacionin penal, përderisa dhuna në familje është një fenomen social dhe jo individual dhe përderisa ne kemi një problem të tillë si në disa vende të tjera të Ballkanit, të dalë një dispozitë më vete "dhuna në familje" dhe nenet që parashikojnë vrasjen e tyre të cilësohet si vrasje e cilësuar në rrethana cilësuese. Pra, të dalë një paragraf më vete për vrasjen që i bëhet një pjesëtari të familjes si gruas, fëmijës, nënës, bashkëshortit e kështu me radhë. Nga ana tjetër, dua të përfitoj nga rasti të them që jam shumë e shqetësuar që ne kemi kaq vite që flasim për mbrojtje të viktimës dhe nuk japin mbrojtje për viktimën, por nga ana tjetër është e rëndësishme që të jemi më të kujdesshëm që të gjitha këto raste, këto vendime që jepen, të studiohen me thellësi, të ketë një studim profesional, shkencor, akademik dhe më pas punonjësit e prokurorisë së gjykatave të orientojnë ose të japin rekomandime për masat që duhen marrë, sepse është prokurori që gjatë hetimit zbulon rrethana që të tjerët i marrin informacionet nëpërmjet medias, nëpërmjet studimeve sporadike dhe në bazë të tyre të bëhen ndërhyrjet përkatëse. Së fundmi, dua të them që duhet të mendojmë edhe për dëmshpërblimin e viktimës. Gratë dhunohen fizikisht, seksualisht, moralisht, ekonomikisht, psikologjikisht, por kur flasim për kompensim të dëmit moral, fizik, material, një gjë e tillë nuk bëhet. Megjithëse ekziston padia civile e një procesi penal, gjyqtarët nuk kanë dëshirë që këtë padi ta trajtojnë dhe ta zgjidhin. Në shumicën e rasteve, gratë pas një divorci dhe denoncimi të bashkëshortit të tyre, janë në pozita shumë më të disfavorshme se më parë. Kjo është arsyeja pse shumë gra nuk pranojnë të denoncojnë dhe detyrohen të përulen dhe të pranojnë dhunën për hir të gjithë këtyre problemeve.

Shkëlqim Hajdari: Unë jam i mendimit që ne duhet të ashpërsojmë ligjin dhe jo të ashpërsojmë dënimin, duke mos qenë uniform me vendet demokratike. Politikanët kanë kërkuar që personat që dhunojnë të dënohen butë dhe unë tani po kërkoj që të bëhen ligje, të ndryshohet Kodi Penal, të dënohet ashpër krimi në familje. Ne nuk kërkojmë ligje ekstra në Kodin Penal, por po them që po të shikosh Kodin Penal gjerman, amerikan etj., krimi në familje dënohet shumë rëndë, më rëndë se Kodi Penal i yni. Hajde ta përshtatim dhe ta zbatojmë edhe në vendin tonë. Kjo është një nga mënyrat për ta parandaluar krimin në familje.

Aldo Bumçi: Është detyrë e jona dhe e shtetit që të marrim masa të menjëhershme që janë ndëshkimi, krijimi i institucioneve, por familja është një institucion kaq unik, kaq i veçantë, janë 1000 fije që lidhin pjesëtarët e familjeve, kryesisht ato afektive, sa nuk mundet që institucioni jashtë të marrë përsipër zgjidhjen brenda. Ndonjëherë ndërhyrjet e forta nga jashtë mund të krijojnë më shumë probleme, sepse një familje kalon shumë kriza, i amortizon dhe familja vazhdon të ekzistojë për të mirën e të gjithë anëtarëve. Ndërhyrjet nga jashtë mund të krijojnë shpesh çarje të familjes. Mentaliteti në vende të ndryshme ndryshon dhe është çështje e kohës dhe e shumë aktorëve që s‘kanë lidhje me shtetin. Ju jeni një nga këta aktorë dhe ka shumë aktorë të tjerë që mund të ndryshojnë mentalitetin e njerëzve në mënyrë graduale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›