Triesten e japim, por jo Kosoven Veriore
Pa përfunduar ende debati dhe reagimet mbi propozimin italian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ku në shkëmbim të pavarësisë propozohet integrimi i përshpejtuar evropian i Serbisë, duke harruar mosarrestimin e kriminelëve serbë të luftës, ministri italian i Punëve të Brendshme, Xhuliano Amato, jep edhe një zgjidhje, sa interesante, aq edhe të çuditshme për pjesën veriore të Kosovës, bazuar në shembullin e Triestes.
Analogjia që bën Amato me këto dy zona nuk qëndron dhe e vetmja ngjashmëri është se, ndërsa nga Trieste u dëbuan bashkësitë e tjera nga Italia fashiste, shqiptarët u dëbuan nga Veriu i Kosovës nga fashistët serbë.
"Realiteti Amato"
Vetëm serbët vazhdojnë të mos e kuptojnë, se kur italianët e pranojnë realitetin mbi pavarësinë e Kosovës, ata duhet t‘i bëjnë "amin!". Të gjitha qeveritë italiane, me përjashtim të asaj fashiste, nuk e kanë njohur palën shqiptare si të barabartë në bisedime. Kur u poqën të gjitha kushtet për një pranim të domosdoshëm të pavarësisë së Kosovës, ishin edhe italianët ata që realitetin nuk e ndryshonin dot, madje filluan që edhe në Bruksel këtë çështje ta marrin seriozisht.
Së fundi ata propozuan që Serbisë, që aq shumë e kanë për zemër, t‘i ofrojnë integrim të përshpejtuar në këmbim të pavarësisë së Kosovës, ndërsa kriminelët e luftës të mos konsiderohen si kusht për anëtarësim në BE e NATO. Ndërsa diplomatët evropianë, këtë e konsideruan si një variant i mirë i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, politikanët serbë e trajtuan si një karrem të keq perëndimor, edhe pse vinte nga Italia mike. Por Prishtinës zyrtare kjo nuk i bëri përshtypje dhe u ngazëllye nga angazhimi italian, ndërsa për Kosovën Veriore nuk u tha asgjë serioze, edhe pse ishte thelbi i problemit.
Sërish janë italianët që propozojnë një zgjidhje të çuditshme për tregun e krizës kosovare. Ministri italian i Punëve të Brendshme, Xhuliano Amato, në një intervistë për të përditshmen serbe "Veçernje Novosti", duke sqaruar se Kosova tashmë është jashtë realitetit të Serbisë, thekson se çështja e Veriut të Kosovës mund të ndihmojë zgjidhjen e çështjes së statusit të të gjithë Kosovës. "Çështja e Veriut të Kosovës ekziston dhe do të ishte kontraproduktive ta fusësh kokën në rërë dhe të bësh sikur nuk e shohim", thotë Amato, ndërsa jep edhe zgjidhjen: "Nuk do të ishte e jashtëzakonshme që Mitrovicën dhe pjesën tjetër të Veriut të Kosovës ta trajtojmë si Triesten pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë, do ta shtyjmë vendimin përfundimtar të Veriut të Kosovës për një kohë", thekson ish-kryeministri italian dhe udhëheqësi i komisionit ndërkombëtar për Ballkanin, Xhuliano Amato. Pra, dëshirohet zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe gjithçka që mund të shtyhet, le të shtyhet.
Triesten e japim, por jo Kosovën Veriore
Çfarë kanë të përbashkët Trieste dhe Veriu i Kosovës?
Fillimisht Trieste dhe historia e saj. Pas Luftës së Dytë Botërore, shpërtheu kriza rreth pronarit të saj. Marrëdhëniet mes Italisë e Jugosllavisë ishin tensionuar sa edhe pritej ndonjë luftë e mundshme.
Ndërsa serbët paranojakë e kishin idenë se nuk ishte në interesin e aleatëve që Jugosllavisë t‘i takojë një qytet aq i fortë ekonomik si Trieste dhe propozuan që kufijtë të kthehen në gjendjen e paraluftës. Ata kishin edhe mungesën e mbështetjes ruse, manipuluan të gjitha kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë, dhe me parullën "Jetën e japim, Triesten nuk e japim" krijuan një atmosferë të kotë antiitaline, që nuk duhet harruar, e kafshuan edhe komunistët shqiptarë në Kosovë.
Pra, ishte kudo, dhe brohoritej kudo, edhe pse 90% e popullsisë kosovare nuk e dinte as ku është Trieste. Si zgjidhje mes luftës dhe paqes, u arrit zgjidhja e përkohshme që u quajt Territori i lirë i Triestes.
Komunistët çlirimtarë harruan pse shkuan atje dhe çfarë qyteti ishte ai. Nëse larguan fashistët, ose të paktën ishte ky qëllimi, pse duhej ndërruar edhe përkatësia e shtetit. Beogradi zyrtar e kishte të qartë se në Trieste, deri në fund të Luftës së Parë Botërore jetonin italianë, sllovenë, kroatë dhe shumë bashkësi të tjera etnike. Me ardhjen e regjimit fashist, nga Trieste u zhvendosën numri më i madh i popullsisë joitaliane ose u bë një asimilim i dhunshëm. Komunistëve serbë, që u ra për hise të largojnë fashistët italianë nga ky vend, menduan se edhe mund ta përvetësojnë këtë tokë italiane, e cila ishte keqpërdorur nga regjimet e ndryshme. Dhe si zgjidhje e ndërmjetme, edhe pse në dëm të italianëve, qyteti u nda përgjysmë, ndërsa banorëve iu mundësua të lëvizin nga të dyja anët e qytetit, përkatësisht dy shteteve, Italisë e Jugosllavisë. Këtë përvojë absurde, Amato e propozon edhe për Veriun e Kosovës, pas gjysmë shekulli.
Por cila është ngjashmëria?
UÇK dhe NATO, kur çliruan Kosovën, nuk i kaluan kufijtë e saj administrativë, edhe pse ushtria serbe ishte instaluar dhe në Sanxhak. Ndërhyrja e NATO-s kishte për qëllim çlirimin e Kosovës, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovë ishte krijuar për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, dhe jo "okupimin" e territoreve të tjera. Madje, për kauzën e krijimit të shtetit të Kosovës, ajo u vetëpërmbajt edhe për ndryshimin e kufijve. Për këtë të fundit kishte nevojë Lugina e Preshevës, që Perëndimi e njihte si territor serb.
Për shkak të organizmit të dobët të shqiptarëve dhe përqendrimit të forcave të ndryshme paramilitare serbe në pjesën veriore të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, gjë që u mbështet nga KFOR-i francez, ky territor për një kohë shumë të shkurtër u mbipopullua me serbë. Për dallim nga Trieste, këtu fashistët serbë zhvendosën gjithë popullsinë shqiptare, dhe serbët e zhvendosur nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova i detyruan të qëndrojnë aty. Parulla tashmë ndryshoi dhe sërish nga fashistët serbë, të cilët tashmë ishin bashkuar edhe me komunistët serbë kundër armikut të përbashkët, shqiptarëve: "Jetën e japim, Kosovën s‘e japim". Për fatin e keq të serbëve, kjo tokë ka pronar, dhe ata janë shqiptarët, dhe sot janë syçelë, nuk përzihen më në punët e të tjerëve, nuk flasin për Sanxhakun ose Rashkën (atë serbët mund ta ndajnë me kë t‘ua dojë qejfi), por e kanë të qartë, se "Triesten edhe mund ta japin, por pjesën veriore të Kosovës nuk mund ta japin"…