E Diel, 1 Nëntor 2026

Golemi dhe Kavaja shuajnë etjen me 4 mln euro

Një investim prej 4 milionë eurosh që synon të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për Plazhin e Golemit dhe Kavajën është përuruar nga Kryeministri Sali Berisha ditën e djeshme. Ndërsa ka përuruar përfundimin e punimeve për vënien në punë të rezervuarit të Manskurisë, Berisha ka siguruar gazetarët dhe nëpërmjet tyre publikun për cilësinë e ujit që do të mbërrijë te konsumatori, pavarësisht turbullirës që shfaqej në rezervuar. Rezervuari, që gjithnjë është përdorur nga banorët e zonës për vaditje tokash dhe peshkim, do të kthehet në burimin kryesor të furnizimit të popullatës dhe pushuesve me ujë të pijshëm. Ngritja e impiantit do të sigurojë ujë të pijshëm, duke shfrytëzuar rezervat ujore të rezervuarit të Manskurisë. Ndërkohë Berisha deklaroi se qeveria po merr masat për një ujësjellës të ri për qytetin e Kavajës, me qëllim për të furnizuar me ujë 24 orë këtë qytet. Mbarimi i këtij projekti do të lehtësojë, duke siguruar më shumë ujë edhe për banorët e qytetit të Durrësit. Gjatë stinës së nxehtë, një pjesë e mirë e ujit të destinuar për qytetin, shkonte për të përballuar nevojat e shumta të zonës së plazhit që në këtë stinë 3-4 fishon numrin e banorëve të vet. Në ceremoninë e përurimit, përveç kreut të ekzekutivit shqiptar, morën pjesë zv/ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Jan Rudolph, ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Refik Rugia etj. Projekti i ndërtimit të impiantit të ri të përpunimit të ujit, në Manskuri, është një bashkëfinancim i Bankës Gjermane për Rindërtim (Kfw) dhe qeverisë shqiptare me vlerën e rreth 4 milionë eurove dhe do të mbulojë furnizimin me ujë të qytetit të Kavajës, zonave rurale përreth tij dhe Plazhit të Golemit, në mënyrë të pavarur nga Durrësi. Në fjalën e tij, Berisha falënderoi qeverinë gjermane për ndihmën e dhënë: "Ujësjellësi i Manskurisë është një vepër shumë e rëndësishme ujore, një dhuratë e qeverisë gjermane që ka financuar këtë projekt, së bashku me pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare, si një nga projektet e shumta të furnizimit të shqiptarëve me ujë dhe kanalizimet që shtrihen nga Kruma në Korçë dhe në tërë territorin e vendit". Janë afro 700 milionë euro ndihmë e kësaj qeverie, të dhëna ndër vite për vendin tonë.

Duke u ndalur në problemin e vjetër të etjes së qytetit të Durrësit, Kryeministri tha: "Ne mbetemi të angazhuar, ndërsa po presim të përfundojë studimi për furnizimin me ujë të qytetit të Durrësit, të ndërmarrim një përpjekje të re të madhe për të garantuar furnizimin me ujë 24 orë të këtij qyteti".

Kryeministri Berisha u shpreh se përtej investimeve, qeveria që ai drejton mbetet e angazhuar për të përmirësuar gjithnjë e më shumë mjedisin për biznesin si dhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, konsolidimin e shtetit ligjor "në mënyrë që potencialet e mëdha që disponon ky vend t‘i shndërrojë në vlera për qytetarët e saj dhe në burime të fuqishme të zhvillimit të tij".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›