Gjobëvënia në Korçë, hakmarrje për një konflikt të vjetër
Gjobvënësi 33-vjeçar Lefter Fasho ka dashur të hakmerret ndaj biznesmenit, pas një sherri që ka pasur me djalin e këtij të fundit, kur kanë qenë emigrantë në Greqi. I arrestuari që kishte kërkuar 100 mijë euro nga një pronar lokali në fshatin Kakac, dyshohet se ka pasur një sherr për çështje që lidhen me trafiqe ilegale në shtetin fqinj. Nga kjo, sipas uniformave blu, ai ka marrë edhe shkas për të kërkuar nëpërmjet gjobvënies një shumë prej 100 mijë eurosh, pas kërcënimeve të shumta ndaj familjes dhe jetës së biznesmenit Meleq Daci. Por sipas të arrestuarit, gjithçka lidhet me një tradhti bashkëshortore që i ka kushtuar atij ndarjen nga gruaja, pas lidhjes së kësaj të fundit me djalin e biznesmenit. Një ditë pas arrestimit, vetë 33-vjeçari ka thënë për uniformat blu se biznesmeni e dinte që në fillim se nga i vinin kërcënimet, pasi sipas tij ai kishte dalë hapur duke mos e fshehur identitetin. Fasho ka pretenduar se për shkak të marrëdhënieve dhe njohjes së mëparshme me djalin e të dëmtuarit, është nxitur për të kërkuar një shumë të tillë parash edhe pse biznesmeni e ka denoncuar më pas për shkak të kërcënimeve. Uniformat blu konfirmojnë se gjatë marrjes në pyetje, 33-vjeçari është shprehur se familja e Dacit i ka shkatërruar jetën dhe ai ka dashur në një farë mënyre të hakmerret duke e kërcënuar me gjobën marramendëse. Pas prangosjes, Lefter Fasho ka pranuar akuzën që rëndon ndaj tij, duke nxjerrë si motiv hakmarrjen, ndërsa policia dyshon se më tepër kjo iniciativë ka marrë shkas nga disa hesape të vjetra që kishte autori me djalin e biznesmenit, pasi të dy dyshohet se janë marrë me trafik femrash. Por i arrestuari Fasho e ka kundërshtuar dyshimin e policisë. "Më ka prishur familjen dhe i kërkova para si dëmshpërblim", ka thënë 33-vjeçari i vënë në pranga. Ai u arrestua pas një operacioni që ka zgjatur për 20 ditë. Ishte vetë i dëmtuari Meleq Daci që u detyrua të kërkojë ndërhyrjen e policisë pas telefonatave të shumta dhe kërcënimeve për të dorëzuar 100 mijë euro, se në rast të kundërt do të vihej në rrezik jeta e tij dhe e të afërmve. Kjo bëri që policia kriminale dhe prokuroria të ndiqnin këtë rast për 20 ditë nëpërmjet survejimeve, derisa Fasho u kap në flagrancë në një kabinë telefonike në qytetin e Korçës.