Dibër, konflikti për tokën, vritet 60-vjeçari
Një tjetër vrasje ka ndodhur ditën e djeshme në një fshat të Peshkopisë. Edhe këtë herë motiv i vrasjes ka qenë konflikti për tokën, që të dyja palët pretendonin pronësinë.
Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se vëllezërit Qemal dhe Hamit Zebi kanë vrarë me armë zjarri Hashim Reçin, 60 vjeç. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Ushtelenzë të Peshkopisë, pasi kanë pasur një konflikt për tokën. Edhe pse të dyja palët kanë dashur që të sqarojnë rrethanat e ngjarjes, nuk kanë mundur dot, prandaj vëllezërit kanë shkuar në shtëpi, kanë rrëmbyer armën dhe kanë qëlluar në drejtim të 60-vjeçarit. Menjëherë kalimtarë të rastit janë përpjekur që t‘i jepnin atij ndihmën e shpejtë, por duket se gjithçka ka qenë e kotë, pasi ai ka dhënë shpirt në vend, pa pasur mundësi që të merrte ndihmën e parë mjekësore. Ndërsa dy vëllezërit Zebi kanë mundur që të largohen nga vendi i ngjarjes dhe tashmë janë shpallur në kërkim nga policia lokale. Pas vrasjes, uniformat blu kanë bërë një kontroll edhe në shtëpinë e dy të dyshuarve për ekzekutimin e 60-vjeçarit, por pa mundur t‘i kapin dot. Dy ditë më parë, në Malësi të Madhe, pas një konflikti për tokën ka ndodhur një vrasje, ku kushëriri ka qëlluar me thikë djalin e xhaxhait, duke e lënë të vdekur në vend. Por fatmirësisht autori i kësaj ngjarjeje është kapur disa minuta pas vrasjes.