Durrës, nëna braktis foshnjën në maternitet
Braktis fëmijën në maternitet menjëherë pas sjelljes së saj në jetë. Personeli i shërbimit mjekësor të maternitetit të Durrësit ka bërë kallëzim penal ndaj një gruaje 39-vjeçare, e cila pasi ka sjellë në jetë foshnjën e saj është larguar fshehurazi nga spitali. Policia ka nisur veprimet për të verifikuar nëse ekziston një grua me identitetin e deklaruar në momentin e shtrimit në maternitet. Gruaja ka deklaruar se quhet M.H. dhe është e vitlindjes 1969, lindur e banuese në lagjen 13, Plazhin e Durrësit. Policia po punon për të verifikuar identitetin e nënës së re dhe pas këtij hapi të parë do të ndërmerren veprimet e mëtejshme për të sqaruar rrethanat dhe fatin që do të ketë bebja. Burime nga materniteti i qytetit bënë të ditur se fëmija erdhi në jetë mëngjesin e së martës nga një lindje natyrale. E ndërsa bebja është dërguar në dhomën e foshnjave për trajtimet e para, pak orë më pas personeli ka konstatuar mungesën e nënës së re. Ajo ishte larguar fshehurazi nga materniteti, ndërsa dyshohet se emri i dhënë prej saj është i rremë. Nga opinioni i krijuar për gruan në maternitet mendohet se ajo e ka lënë fëmijën e detyruar nga kushtet e vështira ekonomike të familjes. Ky është rasti i parë i braktisjes së foshnjave në maternitet për këtë vit në Durrës.