Elbasan, policia bashkiake heq 14 ndërtime pa leje
U vjen fundi ndërtimeve pa leje në qendër të qytetit të Elbasanit. Ndërsa pritet përfundimi i rikonstruksionit të plotë të qendrës dhe një pjese bulevardi të këtij qyteti, bashkia ka ditë që ka ndërmarrë aksionin e pastrimit të sheshit të Bezistanit nga të gjitha ndërtimet pa leje. Vetëm në ditën e djeshme, policia ndërtimore pranë bashkisë në bashkëpunim me atë bashkiake ka sheshuar 14 kioska dhe ndërtime të tjera pa leje në këtë shesh. Për aksionin në fjalë është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë së rendit, e cila ka qëndruar nga fillimi dhe përfundimi i aksionit. Sipas kreut të kësaj bashkie, Qazim Sejdini, projekti i ri urbanistik i qendrës së qytetit, që pritet të përurohet në festën tradicionale të Ditës së Verës, nuk do të marrë parasysh as kostot sociale të pronarëve të paligjshëm të këtyre ndërtimeve dhe as kostot financiare të bashkisë, pasi projekti zbatues në funksion të mbarë komunitetit, presupozon një fytyrë ndryshe për këtë qytet. Ndërsa kreu i policisë bashkiake, Gani Zeneli, ka shpjeguar se aksionet e tjera në vazhdim të policisë ndërtimore të bashkisë do të shoqërohen gjithmonë nga uniformat blu të këtij institucioni në shërbim të qytetarëve.