E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, pranga dy punonjësve të policisë së portit

Dëshmia e një të riatdhesuari nga autoritetet e policisë italiane ka çuar në pranga dy efektiva të komisariatit të policisë së Portit të Durrësit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe antitrafiku kanë kërkuar ndalimin e Gjin Lleshit dhe Zenel Hakores, përkatësisht 44 dhe 46 vjeç, me detyrë punonjës policie në port, ndërsa në orët e vona të së shtunës prokuroria ka vendosur masën e arrestit ndaj tyre nën akuzën e kryerjes së korrupsionit pasiv dhe favorizimit për kalim të paligjshëm të kufirit të një shtetasi nga Kavaja. Dy policët do të vazhdonin punën si zakonisht nën uniformën blu, nëse në Portin e Barit nuk do të ishte kapur nga autoritetet shtetasi Arben Hadja. Ai kishte paguar tre mijë euro për të shkuar ilegalisht në Itali. Tentativa e të riut nga Kavaja për të mbërritur në tokën e premtuar shëndoshë e mirë është sprapsur pikërisht në Portin italian të Barit, ku kishte arritur dhe falë ndihmës së dy punonjësve të policisë që kryenin shërbim në terminalin e trageteve të portit më të madh shqiptar. Riatdhesimi i Hades ka zbardhur edhe mënyrën e largimit të tij, përfshirë këtu dhe personat e implikuar në këtë kalim të paligjshëm kufiri. Menjëherë pas kthimit të tij në Shqipëri me një nga tragetet e linjave detare Bari-Durrës, strukturat e SHKB-së janë vënë në lëvizje për të zbuluar se kush ishin dy punonjësit e policisë që kishin ndihmuar kavajasin të depërtonte në terminal pa dokumentacion dhe më pas të realizonte kalimin në vendin përtej Adriatikut. Sipas dëshmisë, dy policët, Lleshi me detyrë ndihmëskontrollor dhe Hakorja polic në shërbim në terminalin e trageteve, 27-vjeçarit A.Hadja ia kanë bërë më të lehtë depërtimin në sheshin e superkontrolluar nga policia dhe më tej në traget. Dy policët ia kanë siguruar këtë shërbim të paligjshëm njeriut të cilit i riatdhesuari i ka dhënë paratë. Sekseri është në kërkim nga policia e Durrësit, ndërsa bashkëpunëtorët e tij në policinë e portit kanë provuar shtrëngimin e prangave në duar nga kolegët e tyre. Ndaj Gjin Lleshit, me origjinë nga Lezha, dhe të arrestuarit tjetër, Zenel Hakorja nga Dibra, të dy banues në lagjet 15 dhe 9 të Durrësit, janë ngritur akuzat e "korrupsionit pasiv" dhe "dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›