E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjokoviç triumfon në "Australian Open"

Novak Gjokoviç ka shkruar emrin e tij në listën e fituesve të "Australian Open", pasi ka mundur në finale francezin Xho Vilfred Tsonga. Pas një ndeshjeje entuziazmuese që ka zgjatur më shumë se tre orë, tenisti serb ka arritur të triumfojë 3-1 me sete, duke përmbysur avantazhin fillestar të rivalit të tij. 20-vjeçari ka konfirmuar kështu vendin e tretë në renditjen botërore, ndërsa ka hedhur edhe dorashkën e sfidës ndaj dyshes Federer-Nadal, të cilët kanë vendosur hegjemoninë në finalet e trofeve të rëndësishëm gjatë viteve të fundit. Pas humbjes në finalen e "US Open" në fundin e vitit të kaluar, Gjokoviç shihej si një tenist i aftë për të synuar një trofe të rëndësishëm, por askush nuk e kishte parashikuar suksesin e tij përballë Federer, një prej sportistëve më fitimtarë në historinë e turneut australian. Pasi eliminoi zviceranin e frikshëm gjatë fazës gjysmëfinale, Gjokoviç kishte përballë vetëm surprizën Tsonga, i cili eliminoi rivalin tjetër, Rafael Nadal. Francezi u duk se kishte hyrë në këtë ndeshje me qëllimin për t‘i shkuar deri në fund këtij aktiviteti dhe fitorja në setin e parë e dha këtë përshtypje. Por më pas, është Gjokoviç që përfiton nga çdo gabim i mundshëm i rivalit të tij, duke siguruar tri sete radhazi dhe suksesin e parë në një prej turneve të Grand Slem. Duket se tenisi ka gjetur heronj të rinj, të cilët do t‘i japin mundësinë që të përmirësojë imazhin e dëmtuar nga skandalet e basteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›