"Merrini, jua solla profesor!"
Si rrallë ndonjëherë, dje në ambientet e Institutit të Arkeologjisë, u zhvillua një ceremoni e pazakontë: ajo e dorëzimit të një përkrenareje e të disa gjetjeve të tjera arkeologjike, nga ana e një shtetasi kundrejt shtetit, në zbatim të ligjit mbi trashëgiminë. Por duke e ditur se sa pak të zbatueshme ligjet te ne e aq më pak të tilla ligje që zor se njeriut të thjeshtë i jepet rasti t‘i mësojë, akti i djeshëm i shtetasit Rruzhdi Bitri nga Dibra, ishte i formës apeluese për të gjithë ata njerëz, të cilët hasin gjetje të ngjashme, duke gërmuar tokën për shumë arsye e më pas, molepsen nga ideja se mund të përfitojnë miliona nga ajo që u ka rënë në dorë. Kështu për shembull ndodhi me kolegun e Bitrit, shtetasin nga Fieri, Florenc Hatija, i cili u largua natën nga vendfjetja në afërsi të frontit të punës, në një prej akseve në rikonstruksion të Rrugës së Arbrit në vendin e quajtur "Qafa e vorreve", në rrethin e Bulqizës, duke udhëtuar me përkrenaren e gjetur drejt shtëpisë së tij. Ai jo vetëm nuk ia dorëzoi shtetit siç e kërkon ligji, por e fshehu atë, derisa shkoi policia e ia gjeti, ndodhur kjo katër ditë më parë. Ndërsa Rruzhdi Bitri, që në fillim tha se do ua dorëzonte autoriteteve përkatëse, siç dhe veproi dje. Me një ceremoni të thjeshtë, në prani të dy autoriteteve të larta të trashëgimisë siç janë drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Florenc Bejko, dhe drejtori i Institutit të Arkeologjisë, prof.dr. Myzafer Korkuti, Bitri nxori nga kutia përkrenaren e gjetur së bashku me dy eshtra dhe disa qeramika, duke ua lënë në dorë përfaqësuesve më të lartë të institucioneve që merren me pasurinë kombëtare. Nga ana e tij, profesor Korkuti u shpreh me superlativa ndaj qytetarit Bitri për aktin e tij të dorëzimit të vlerave të gjetura, jo thjesht duke respektuar ligjin e trashëgimisë, por dhe duke u bërë shembull e model qytetarie e kulture për të gjithë individë të cilëve u ndodh e njëjta gjë. Pra që të gjejnë sende të vyera arkeologjike. "Është një rast i rrallë ky i sotmi që na entuziazmon. Është një ngjarje për ne", tha Korkuti në çastet e marrjes në dorëzim të vlerave në fjalë.
Tashmë mbetet që në institut të kthehet dhe përkrenarja tjetër, ajo që gjendet në Fier e marrë në dorëzim nga policia. Pra, për raste të ngjashme, pati dy reagime: Nga njëra anë, vlera e gjetur rrëmbehet, fshihet e bëhet gati për t‘u trafikuar. Ndërsa nga ana tjetër, individi e dorëzon me vullnet vlerën e gjetur, duke thënë se ishte i kënaqur që i ishte dhënë shansi për t‘i kontribuuar në këtë mënyrë trashëgimisë dhe kulturës së vendit të tij.
Por si ndodhi zbulimi?
Dy javë më parë, duke u gërmuar në segment të Rrugës së Arbrit në vendin e quajtur "Qafa e vorreve", afër fshatit Sofraçan në rrethin e Bulqizës, del në sipërfaqe një përkrenare antike. I pari që e mori ndër duar ishte punëtori Florenc Hatija. Duke mos ia pasur idenë se ç‘parashikon ligji për të tilla raste, ai e konsideron pronë të tijën vlerën e zbuluar dhe ilegalisht, natën vonë niset me të drejt qytetit të Fierit, ku dhe banon. Dy ditë më vonë, i kontaktuar në telefon nga gazeta "Shqip", ai thotë se ajo për të ishte një copë teneqeje, e cila ishte hedhur në plehra, por që e kishin marrë fëmijët dhe e kishin shitur për skrap. Një javë më vonë, policia e Fierit do ia gjente "teneqenë" shtetasit Hatija të fshehur në shtëpi. Ndërsa me shtetasin Rruzhdi Bitri ndodhi e kundërta. Përkrenaren tjetër, ai e gjeti rreth një orë më vonë, pasi kolegu kishte gjetur të parën, po në të njëjtin vend së bashku dhe me dy eshtra e ca qeramika të vogla. Por nuk i fshehu e as nuk tentoi të bënte pazar për të përfituar vlerave monetare nga shitja e tyre. I mori në ruajtje, informoi autoritetet dhe dje, bëri dorëzimin e tyre.