E Diel, 1 Nëntor 2026

Edgar Çani, e cilësojnë "Vieri i ri"

Një talent shqiptar po çudit Italinë e futbollit. Sulmuesi shqiptar, Edgar Çani, mund të jetë një nga emrat më premtues të kampionatit italian, falë asaj që ka arritur të shfaqë në sezonin e debutimit të tij me Peskarën në Serinë C. Nëse fillimisht ishin vetëm drejtuesit e kësaj skuadre që i kanë thurur lavde futbollistit shqiptar, tashmë fama e aftësive të tij para portës ka pushtuar Italinë, aq sa edhe gazeta prestigjioze "Controcampo" i ka kushtuar atij një artikull, duke e krahasuar me Kristian Vierin, një prej sulmuesve më të mirë italianë të viteve të fundit. Fatmirësisht, në gjurmët e lojtarit është vënë prej kohësh edhe FSHF, që shumë shpejt do t‘i dërgojë 18-vjeçarit një ftesë për t‘u aktivizuar me Shpresat, ndoshta hapi i parë edhe drejt Kombëtares së madhe.

Pas dy golave të fundit ndaj Galipolit, të gjithë janë bindur se Çani do të bëhet një lojtar i madh. "Atë e pret fati i Gatuzos, Lupolit e Xhuzepe Rosit. Një huazim jashtë, për t‘u kthyer në Itali si lojtar i kompletuar, por edhe i gatshëm për t‘u regjistruar me ndonjë skuadër të njohur. Çani ka lindur në Shqipëri, është 18 vjeç, ka fizikun dhe lëvizjet e Kristian Vierit. Jeton në Itali prej shumë vitesh, por nuk ka marrë ende nënshtetësinë italiane. Vitin e kaluar Peskara nuk arriti ta aktivizonte në Serinë B, për probleme në regjistrimin e tij. Në Piaçenca emri i tij u hoq nga protokolli i ndeshjes pak minuta para se lista t‘i dorëzohej gjyqtarit. Thuhet që u largua nga dhomat e zhveshjes duke përplasur derën. Edhe Banka e Peskarës duket se e kishte kuptuar më së miri cilësinë e futbollistit. Gjatë vitit të kaluar, para falimentimit të Peskarës, banka që ishte kreditore e klubit, bllokoi largimin e tij drejt një skuadre tjetër. Por edhe skuadrat e mëdha e kishin ndjekur ecurinë e Çanit, sidomos dy emrat e njohur të Serisë A, Interi dhe Sampdoria. Tashmë zërat e merkatos janë bërë më të ndjeshëm, pasi të gjithë e dinë se sulmuesi i talentuar mund të sigurohet menjëherë me shumë pak para. Kjo pasi Çani ka një kontratë si lojtar i ri (të firmosur kur ishte 15 vjeç), ndërsa tani që kërkohet nga emrat e Serisë A, nuk ngutet të firmosë një kontratë profesionistësh me Peskarën. Për ta federuar në Itali, skuadrat që e dëshirojnë duhet të shmangin legjislaturën në një mënyrë shumë të thjeshtë. Ai do të huazohet në një skuadër të huaj para se të kthehet në Serinë A si protagonist. A të vëmë bast se Çani do të përfundojë te Bellinzona ose Kiaso në Zvicër?", shkruhet në artikullin e botuar dje nga "Controcampo". Ndërkohë, për futbollistin nuk ka munguar interesimi edhe nga FSHF, që dëshiron ta ingranojë sa më parë me përfaqësuesen Shpresa. Pritet që sulmuesit t‘i dërgohet një ftesë për ndeshjen miqësore që Kombëtarja e drejtuar nga Bushati do të zhvillojë në shkurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›