Han bën gati listën për "zborin" në Turqi
FSHF ka bërë të ditur se trajneri i përfaqësueses, Ari Han, ka bërë gati listën prej 22-23 emrash të futbollistëve që do të grumbullojë për "zborin" stërvitor në Kemer të Turqisë. Sipas zëdhënësit për shtyp të FSHF-së, Lysjen Nurishmi, lista e futbollistëve do të publikohet gjatë këtyre ditëve, pasi janë dorëzuar ftesat në klubet respektive. "Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, janë të gjithë lojtarë të Kategorisë Superiore, ndërsa u kemi dorëzuar ftesat edhe klubeve në të cilët aktivizohen. Deri tani nuk ka pasur ndonjë protestë nga klubet për futbollistët, ndonëse ky grumbullim zhvillohet gjatë periudhës kur ata zhvillojnë fazën përgatitore. Lista do të publikohet shumë shpejt, ndërsa kanë filluar përgatitjet për zhvillimin normal të grumbullimit", deklaroi Nurishmi. "Zbori" do të zhvillohet nga data 14 janar, deri më 23 janar.