E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimet, "hetim" Sollakut

Kryeprokurorja Ina Rama ka urdhëruar verifikimin e dosjeve për personat e arrestuar jashtë Shqipërisë. Një grup juristësh nga akuza qendrore ka marrë në dorë akuzat e prokurorisë për Aldo Baren, Enver Dondollakun, Izet Haxhinë dhe pjesëtarët e të ashtuquajturës "Hakmarrja për Drejtësi". Pas verifikimit, "grupi hetimor" do të dalë me një raport, i cili do t‘i serviret kreut të akuzës. Nëse rezulton se hartimi i dosjeve është kryer në kundërshtim me ligjin, atëherë Prokuroria e Përgjithshme do të marrë masat ndëshkimore për stafin e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, dosjet për personat e arrestuar jashtë Shqipërisë do të krahasohen me dokumentet e servirura nga Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit ka akuzuar institucionin e prokurorisë, në kohën kur drejtohej nga Theodhori Sollaku, për mosekstradimin e dhjetëra të arrestuarve VIP jashtë Shqipërisë.

Dështimet e ekstradimeve

Megjithëse kanë kaluar disa vjet nga arrestimi i Bares, Haxhisë, Dondollakut, Haklajt dhe dhjetëra të arrestuarve të tjerë, asnjë prej tyre nuk është ekstraduar. Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë fajësuar njëra-tjetrën për dështimin, megjithëse nuk ka pasur marrëveshje ekstradimi me shtetet përkatëse. Veprimi i Ina Ramës për të "hetuar" Sollakun duket se do të gjejë fajtorin. Megjithatë, proceset gjyqësore vazhdojnë të shtyhen pambarimisht për këta të akuzuar. Ndonëse disa prej tyre, të dënuar tashmë, mund të hedhin dritë mbi disa dosje të vjetra.

Gjykata turke

Drejtësia turke ka në dorë ekstradimin ose jo të Aldo Bares dhe Izet Haxhisë. Megjithëse Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme këtyre dy dosjeve iu ka dhënë përparësi maksimale duke vendosur dhe korrierë diplomatikë për t‘i dërguar drejt Turqisë, ende s‘ka asnjë përgjigje. Proceset janë pezull, pasi drejtësia turke do të vendosë nëse drejtuesi i "Bandës së Lushnjës" do të gjykohet në Shqipëri apo në Itali. Ky vendim do të merret në bazë të provave që ka dërguar vendi ynë si dhe ai italian. Duket se provat shqiptare nuk jenë bindëse për të ekstraduar Aldo Baren. Ndërsa për Izet Haxhinë gjyqtarët turq do ta kenë më të lehtë për të arritur në një përfundim. Atë e kërkon vetëm drejtësia shqiptare dhe jo ndonjë shtet tjetër. Megjithatë ekstradimi i tij nuk është kryer ende. Vonesat e ekstradimeve kanë detyruar kreun e akuzës për të verifikuar dosjet nëse përmbajnë të gjithë elementët.

Në Suedi

Akuza qendrore tha dje se ka kërkuar të gjitha dosjet e prokurorisë shqiptare për Hamdi Haklajn. Vetëm pak ditë më parë Hamdi Haklaj ka fituar në Suedi betejën me shtetin shqiptar, të cilit i duhet të përballet me një tjetër refuzim ekstradimi për motive politike. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se Ministria suedeze e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Hamdi Haklajt, për shkak se kthimi i tij në atdhe i vë në rrezik jetën. Në fakt, Hamdi Haklaj ka përdorur të njëjtën "armë" si dhe Orik Shyti, Altin Arapi apo Aldo Bare për të mos u kthyer në Shqipëri. Atij i ka mjaftuar të përdorë disa prej akuzave publike që Kryeministri Berisha apo Partia Demokratike kanë bërë në emër të tij, duke bindur kështu drejtësinë suedeze se gjykimi në Shqipëri do të ketë ndikim politik, e po për këto arsye jeta e tij, në burg ose jo, është e rrezikuar. Megjithatë, Kryeprokurorja Ina Rama duket se ka një motiv tjetër për mosekstradimin e tij. Ajo dyshon se akuzat për djalin e vetëm të mbetur gjatë nga fisi "Haklaj" nuk janë hartuar të plota.

Në Itali

Vuajnë dënimin disa të arrestuar VIP shqiptarë, të cilët kanë kryer krime në Shqipëri. Përmenden emrat e Enver Dondollakut, për të cilin Prokuroria e Përgjithshme pretendon se vonesa për ekstradimin e tij mund të jetë si pasojë e fitimit të statusit të penduar në vendin fqinj. Megjithatë, një tjetër dyshim për akuzën është se dosja ndaj tij nuk është hartuar në mënyrën e duhur dhe shpeshherë ka pasur pasaktësi në formulim, çka ka sjellë edhe ngatërresën e drejtësisë italiane, duke e dërguar dosjen e tij jo në gjykatë, por në burgun ku vuan dënimin. Një tjetër i arrestuar në Itali është edhe Albenc Ago, i cili akuzohet për një vrasje në Shqipëri.

Dëshmitë

Të gjithë VIP-at nuk

dëshirojnë Shqipërinë

Të gjithë të ndaluarit VIP kanë kërkuar që të mos vijnë në atdheun tashmë të padëshiruar, pasi këtu janë të akuzuar për vepra të rënda penale. Kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, nëpërmjet dëshmisë para autoriteteve turke, ka deklaruar se nuk dëshiron të ekstradohet në Shqipëri, pasi atje (në Shqipëri) akuzohet politikisht. Avokatët turq të Aldo Bares kanë përdorur deklarata të politikanëve për klientin e tij. Një gjë e tillë ka rezultuar e suksesshme për momentin. Megjithëse Bare është arrestuar dy vite më parë, ekstradimi i tij nuk është kryer ende. Të njëjtën rrugë ka zgjedhur edhe i dënuari me 25-vjet heqje lirie për vrasjen e ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Izet Haxhia ka deklaruar se gjyqi i zhvilluar në Shqipëri ka qenë politik, ndërsa akuzat janë hartuar jo nga drejtësia, por nga politika. Ai ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga prokuroria duke pretenduar se janë false. Ndërkaq, akuza qendrore në Shqipëri mendon se ardhja në Shqipëri e Haxhisë mund të rihapë çështjen "Hajdari". Të tjerë që kanë përdorur si argumente deklaratat e politikanëve janë edhe të akuzuarit si pjesëtarë të së ashtuquajturës "Hakmarrja për Drejtësi". Ata kanë deklaruar se akuzohen në Shqipëri politikisht. I fundit që ka përdorur politikën për të fituar azilin ka qenë Hamdi Haklaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›