E Diel, 1 Nëntor 2026

"Udha e Shkronjave" i shkruan Kryeministrit Berisha

Njëri nga drejtuesit e shkollave private në vend, në një letër të hapur i shkruan Kryeministrit Sali Berisha: "Para disa kohësh ju u njohët me urdhrin e ministrit Pollo për pezullimin njëvjeçar të shkollës "Udha e shkronjave". Urdhri mbështetet mbi një udhëzim të jashtëligjshëm në disa kuptime: si tejkalim i ligjit "Për Arsimin Parauniversitar" dhe "si i pabotuar në fletoren zyrtare" (shkelje e nenit 117 të Kushtetutës) dhe këtë e ka pranuar edhe gjykatësja Elona Stavri, për qëndrimin absurd të së cilës ndaj ligjit do të bëjmë ankimim jo vetëm në Gjykatë të Apelit, por edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe te ministri i Drejtësisë, për të mos folur për median. Të japësh një vendim gjykate të shkallës së parë si të formës së prerë (sikur të ishte shkallë e tretë), vetëm ajo mund t‘ua shpjegojë gjykatësve dhe juristëve të tjerë. Për të topitur përpjekjet tona mbrojtëse, për të na shpërqendruar me synimin e vetëm për të dëmtuar shkollën "Udha e shkronjave", Pollo, përmes bordit të ngritur prej tij, mori edhe masën tjetër të jashtëligjshme, atë të përjashtimit për 5 vjet nga shprehja e interesit për tekste shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, një vendim jashtë logjikës së ligjit, që jemi të bindur se gjykata do ta hedhë poshtë (por ndërkohë do të jemi dëmtuar ne dhe financat e shtetit për dëmshpërblimin që do të kërkojmë). Ne shqetësohemi sepse këta zyrtarë e kanë marrë shtruar me dëmtimin e financave të shtetit, pasi edhe kur humbin gjyqet, nuk paguajnë asgjë nga xhepi. Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mund ta çojnë në falimentim të plotë të drejtën, pasi nga njëra anë nuk mund të paguajnë gjithçka që vendos gjykata si masa ndëshkimore (buxhet i kufizuar), nga ana tjetër asgjë nuk ndreqet në administrimin publik (askush nuk shkarkohet për humbje të gjyqit). Ky është një rreth vicioz, të cilin politika duhet ta ndreqë. Ndaj ju drejtohemi ju, si administrator i parë i Shqipërisë. Ju lutemi, i nderuar Kryeministër, bëni të mundur që edhe familja ime, edhe nxënësit e shkollës "Udha e shkronjave" ta gëzojnë Shqipërinë në liri të plotë. Kemi motive mjaft të pastra. Të mos dalë nga goja jonë shprehja e famshme e Shilerit në gojën e Vilhelm Telit: "Ky vend i gjerë qenka shumë i ngushtë". Kështu përfundon letra drejtuar kreut të qeverisë Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›