E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhuveli paguan taksën e gjelbërimit dhe të pastrimit

Më në fund, ministri i Mjedisit paguan taksën e gjelbër dhe atë të pastrimit. "Fiks Fare" shkoi dje në njësinë bashkiake nr. 7 në Tiranë, për t‘i paguar ministrit Xhuveli taksat e prapambetura. Atje mësuam se bashkëshortja e tij kishte shlyer të gjitha detyrimet që kishte familja e tyre ndaj njësisë bashkiake.

Madje ajo ka paguar taksat për vitin 2007 dhe ato për 2008-ën. Zonja Xhuveli ka firmosur dy mandate me nga 3208 lekë secila.

Punonjësja e njësisë bashkiake e konfirmoi këtë, madje na tregoi edhe mandat-pagesat ku kishte firmosur zonja Xhuveli. Familja e ministrit të Mjedisit rezulton në listën e debitorëve ndaj bashkisë. Deri më datë 11/02/2008 përgjegjësi kryesor për politikat ambientaliste në vend, ministri Lufter Xhuveli, rezultonte të mos i kishte paguar Bashkisë së Tiranës taksat për mbrojtjen e mjedisit. Ky fakt u denoncua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, disa ditë më parë. Duke e cilësuar si një precedent të papërsëritshëm në asnjë vend tjetër, Rama u shpreh për Xhuvelin se, pavarësisht se është njeriu që duhet të zgjidhë çështjen e mjedisit në shkallë kombëtare, familja e tij nuk kishte shlyer taksën vjetore prej 2100 lekësh për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe as taksën e gjelbërimit, megjithëse ka një vlerë minimale, 200 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›