Flet sekretari ligjor i PS Xhafa: KLD po tejkalon kompetencat
Kritikat e opozitës ndaj vendimit më të fundit të KLD-së për kufizimin e mandatit të kryetarëve të gjykatave, por edhe për qëndrimet e nënkryetarit të këtij organizmi janë shtuar. Në një intervistë ekskluzive për "Shqip", sekretari për çështjet ligjore në PS ka analizuar veprimtarinë e KLD-së, duke e konsideruar atë në kundërshtim me ligjin. Fatmir Xhafaj ka hedhur akuza të forta edhe për Presidentin e Republikës, të cilin ndonëse jo drejtpërdrejt e ka akuzuar se po luan në funksion të ambicieve të vjetra politike.
Partia Socialiste ka mbajtur ditët e fundit një qëndrim të ashpër ndaj vendimit më të fundit të KLD-së për kufizimin e mandatit të kryetarëve të gjykatave. Ku bazohet ky qëndrim?
Nuk e vlerësoj si një qëndrim të ashpër. Nëse do të pranonim ta quanim të tillë, gjykoj se kjo ashpërsi ishte në përputhje me rëndësinë e posaçme që ka vetë problemi, si i shtruar në kohë, po ashtu dhe për vetë subjektet e prekura. Në vlerësimin tonë, KLD me vendimin e marrë, në mënyrë të kundërligjshme ka ndërprerë ushtrimin e detyrës së drejtuesve të 14 gjykatave të vendit të shkallës së parë dhe të apelit. Kufizimi i mandatit të tyre nuk parashihet në asnjë dispozitë ligjore të ligjit për Organizimin e Drejtësisë apo në Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në këtë rast KLD-ja ka marrë rolin e ligjvënësit, duke dalë përtej kompetencave të saj ligjore që i jep Kushtetuta dhe kuadri ligjor në fuqi. Ne jemi edhe më shumë të shqetësuar për faktin se organi i ngarkuar për të qeverisur drejtësinë, tejkalon kufijtë e përcaktuar në të drejtë dhe vepron në mënyrë arbitrare duke bërë interpretime apo nxjerrë akte të cilat nuk janë të autorizuara nga Kushtetuta dhe ligji. Ne shprehëm qëndrimin tonë pavarësisht humorit të krerëve aktualë të KLD-së dhe interesave konkrete që fshihen pas tyre, interesa të lidhura dukshëm me politikën e ditës apo me interesat personale individuale. Ne nuk mund të heshtim dhe të pranojmë qoftë edhe faktin që dikush pretendon të rregullojë një situatë arbitrare, sipas tij, nëpërmjet një arbitrariteti ligjor në cenim të Kushtetutës e ligjit. Nga ana tjetër, një veprim të tillë, në kushtet kur sot, më shumë se kurrë flitet për reformën në drejtësi, do ta konsideroja si një provokacion të rëndë që nuk mund të shmangë ngarkesën dhe pasojat gjithashtu politike.
Nënkryetari i KLD-së ka deklaruar se vendimi i marrë është në përputhje të plotë me ligjin dhe se emërimi dhe shkarkimi i kryetarëve të gjykatave është kompetencë e këtij institucioni. Cili është qëndrimi juaj?
Reagimi i nënkryetarit aktual të KLD-së, përfaqësues partiak në këtë këshill, lidhur më këtë çështje sipas vlerësimit tim ishte tërësisht emocional dhe do t‘i shkonte shumë më shumë kostumit të një punëtori partiak se sa një njeriu të ligjit. Ai nuk mundi t‘i japë asnjë përgjigje shqetësimit tonë në kontekstin kushtetues dhe ligjor të pretendimit tonë, por në të kundërt, krijoi edhe më shumë paqartësi e dyshime rreth shkakut të vërtetë të këtij vendimi. Ne nuk dëgjuam asnjë argument dhe asnjë referencë ligjore nga ku do të buronte autoriteti i KLD-së për të nxjerrë një akt të tillë, nuk dëgjuam se në çfarë mënyre ky vendim do të kapërcejë, për të dhënë një shembull, atë çka ligji përcakton si mandat nëntëvjeçar për kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Dhe mbi të gjitha, nuk dëgjuam pse ishte i nevojshëm ky hap, kur tashmë i është dhënë zgjidhje me projektligjin tashmë të miratuar në Komisionin e Ligjeve dhe që brenda këtij muaji do të hyjë në fuqi. Ndërkohë që KLD-ja ishte shumë mirë e njohur me faktin se opozita kishte kundërshtuar ashpër propozimin e qeverisë për propozimin e kryetarëve të gjykatave nga qeveria, duke propozuar konkurrimin ndërmjet gjyqtarëve dhe përzgjedhjen nga vet KLD-ja, propozim i cili mbas një debati jo të lehtë, është pranuar dhe tashmë është bërë pjesë e projektit të miratuar nga Komisioni Kuvendor i Ligjeve. Përkundër kësaj, KLD-ja jo vetëm nuk e përshëndeti këtë fakt, por përkundrazi "nxitoi" që t‘i bëj karshillëk me një akt formal e të kundërligjshëm.
Por ju keni përfshirë në vorbullën e akuzave edhe Presidentin e Republikës, i cili megjithëse nuk është përgjigjur drejtpërdrejt, nëpërmjet nënkryetarit të KLD-së, është shprehur se vazhdon të qëndrojë mbi palët?
S‘jam shumë dakord me ju në këtë vlerësim. Nuk e kemi përfshirë ne Presidentin e Republikës në ujëra të turbullta akuzash, por të paktën për sistemin e drejtësisë, Presidenti ka zgjedhur që të notojë në ujëra të turbullta me vullnetin e tij. E kam përmendur edhe herë të tjera që Presidentit të Republikës, në vlerësim të pozitës e rolit kushtetues që ai gëzon, nga opozita dhe kryesisht nga PS-ja i është afruar një hapësirë e konsiderueshme politike si dhe i është ofruar mbështetje e bashkëpunim që ai të ushtrojë kompetencat e tij për ndërhyrje në këtë sistem, me të cilin ai ka pika të rëndësishme takimi. Deri më tani, jo vetëm që nuk e ka bërë, por gjykuar dhe nga pozicioni i tij si kryetar i KLD-së, po vepron në drejtim të përkundërt. Nuk dua të them se në arsyet që e shtyjnë ta bëjë një gjë të tillë është dëshira për protagonizëm në një fushë që nuk e njeh, është thjesht padijenia e tij që e lejon të tërhiqet në drejtime të gabuara, apo ka qëllime të tjera në funksion të ambicieve të vjetra politike. Këto veprime politike që synojnë krijimin e një ngërçi të ri në gjyqësor, e vendosin atë në pozicionin aspak të lakmueshëm të një nëndrejtori të drejtorisë politike të PD-së.
PS-ja i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur Presidentit të Republikës të shprehet publikisht për Paktin Kombëtar për Drejtësinë. Nëse ai e përkrah këtë pakt duhet të veprojë në frymën e tij dhe të kontribuojë për forcimin e kësaj fryme e jo për minimin e saj. Nga tjetër, ai nuk mund të qëndrojë mbi palët dhe të kërkojë të bashkëpunojë me to, duke anashkaluar njërën nga palët, forcën kryesore politike të opozitës.
Në daljen e fundit publike, nënkryetari i KLD-së ka sulmuar ashpër politikën dhe deputetët, duke deklaruar se deri tani emërimet e gjyqtarëve janë bërë me zarfe nën dorë apo me direktiva partie. Nisur edhe nga përvoja juaj si ish-ministër i Drejtësisë, si do t‘i vlerësonit këto kritika ?
Zyrtarët aktualë të sistemit më shumë se për deklaratat mediatike do të duhet të kujdesen për hallet e vërteta që ka sot sistemi, të cilat e bëjnë atë që të mos jetë ende një funksion efektiv në shërbim të qytetarëve. Akuza të tilla, për cilindo jurist do të përbënin një vepër penale, si për atë që paska marrë apo dhënë zarfe, siç u tha, por dhe për atë që është në dijeni të tyre dhe nuk i ka denoncuar. Këto akuza bëhen thjesht për të shmangur thelbin e problemit, që segmente të caktuara po kërkojnë kontroll në sistemin e drejtësisë, çka po funksion në sinkron të plotë si në gjyqësor, ashtu edhe në prokurori. Bëhet zhurmë për korrupsionin e mundshëm në këtë pikë, për të shmangur vëmendjen nga korrupsioni i hapur politik që po bëhet në dritën e diellit. Bomba të tilla tymuese nuk konsolidojnë pozita personale, përkundrazi. Shqetësimi ynë është se në këtë pikë, pavarësia e gjyqësorit është njëlloj e cenueshme si nga politika, ashtu edhe nga autoritarizmi dhe pushteti i pakontrolluar i individëve që veprojnë në tejkalim të ushtrimit të kompetencave ligjore. Përballë kësaj situate, jam i bindur se do të ishte naive që të mendohej se probleme të kësaj natyre do të tejkalohen me heshtjen e opozitës. Në mbajmë shënim. Ne kemi ofruar vëmendjen tonë të plotë, angazhim maksimal serioz e të sinqertë mbi këtë proces dhe nuk do të lejojmë deformimin e tij.
Çfarë e shqetëson realisht opozitën në vendimmarrjen e kohëve të fundit të KLD-së?
Përpjekjet e fundit për të vendosur nën kontroll funksionin e kryetarit të gjykatës dhe për ta përdorur atë si mjet në presionin që do të ushtrohet ndaj gjyqtarëve lidhur me vendimmarrjen tyre në procesin gjyqësor, ashtu siç edhe u përdor shumica e tyre në zgjedhjet e fundit për anëtarët e KLD-së, nuk është një veprim i frymëzuar nga një apo dy individë. Kjo është çështje e një fryme të gabuar.
Ne mbrojmë bindjen se reforma në drejtësi, përpara se të jetë çështje njerëzish që duhen ndryshuar, është çështje standardesh e mekanizmash që duhen përmirësuar. Kjo është një fushë ku kërkohet të dëgjohet më shumë fjala dhe argumenti i faktorëve e aktorëve të vet sistemit. Ne kemi bindjen se pa këtë zë, reforma në sistem mbetet e çalë dhe nuk mund të japë produktin që kërkohet. Ndaj kemi kërkuar në vijimësi (edhe gjatë debatit për ligjin për organizimin gjyqësor që shqyrtuam në Komisionin e Ligjeve) për të ndërtuar një dialog konstant më të gjithë këta faktorë. Natyrisht ne jemi opozita dhe nuk kemi mundësinë e imponimit ndaj mazhorancës për të ndërtuar një proces të hapur e transparent me të gjitha palët. Po edhe vet këta faktorë, përfshi edhe KLD-në, janë treguar pasivë dhe aspak këmbëngulës për t‘u përfshirë e konsideruar aktivisht në të gjithë këtë proces, gjë që më ka çuditur paksa. Drejtuesit e tyre, sipas meje, janë kujdesur më shumë për daljet publike në media, duke kuruar profilet individuale mediatike, se sa për t‘u përfshirë aktivisht në debatin për ligjin në proces shqyrtimi. Edhe një kërkesë shumë dashamirëse të bërë nga ana jonë për të sjellë propozime konkrete në funksion të kërkesave të tyre nuk ju përgjigjën pozitivisht. Nëse ata do të kishin qenë më aktivë për të kërkuar më shumë prezencë, debat me argumente dhe kryesorja propozime konkrete, ne si opozitë në komision, ju siguroj se do t‘u jepnim mbështetjen e nevojshme. Një gjë që se kërkon, s‘ke si e merr. Është akoma më keq kur bën sikur e kërkon. Në këtë rast është më mirë të heshtësh se të flasësh, se ka dhe njerëz që s‘mund të pranojnë të bëjnë sikur janë. Qoftë edhe në politikë.
Historia e debatit
Spahiu akuzoi politikën për luftë ndaj gjyqësorit
Një javë më parë, në mbledhjen e tij të fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që të kufizojë mandatin e kryetarëve të gjykatave në vetëm 4 vjet. Ky vendim u kontestua menjëherë nga opozita, e cila nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar, Valentina Leskaj, e quajti një veprim të paligjshëm dhe i bëri thirrje Presidentit të Republikës, njëkohësisht kryetar i KLD-së, që të merrte pozicionin që i takonte, duke u shprehur për Paktin Kombëtar për Drejtësinë. Dy ditë më pas, ishte nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, që "mprehu shpatën" për të sulmuar fort deputetët dhe politikën në përgjithësi për ndërhyrje në çështjet e gjyqësorit, madje deri në luftë ndaj tij. "Me gjithë tendencat dhe ambiciet e demonstruara nga politika, kryetarët e gjykatave nuk mund të emërohen as me direktiva partie, as me pëlqimin e Kuvendit por janë ekskluzivitet i vendimmarrjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë", deklaroi numri dy i KLD-së, duke u përpjekur madje të argumentonte juridikisht se vendimi më i fundit i këshillit ishte tërësisht ligjor. Ai madje u tregua mjaft i vendosur, duke shprehur vetëbesimin se praktikat e deritanishme në emërimet e gjyqtarëve do të ndryshojnë, falë reformave të KLD-së. Spahiu deklaroi me tone triumfuese se "KLD-ja nuk do të lejojë që kryetarët e gjykatave të emërohen me zarfe nën dorë, me pëlqimin e deputetit të zonës, kryetarit të komunës, prefektit të qytetit apo sekretarit të celulës së partisë, por ata do të duhet t‘i nënshtrohen një gare të ndershme ligjore".