Matura 2008, ministria shpall datat e provimit
Maturantët do përfundojnë shkollën në fund të majit dhe do të nisin menjëherë provimet e maturës. Të detyruara këtë vit janë gjuhë-letërsia dhe matematika. Ndërsa si edhe vitet e kaluara janë dy lëndë me zgjedhje përcaktuese për shkollën e lartë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi dje udhëzimin për përfundimin e vitit shkollor 2007-2008 dhe zhvillimin e provimeve përfundimtare. Sipas këtij udhëzimi, të gjithë maturantët në mbarë vendin do t‘u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore
në muajin qershor.
Lënda e gjuhë-letërsisë është më datë 9 qershor dhe matematika dy javë më pas, pra më datë 17 qershor. Këto janë të detyruara për të marrë dëftesën e shkollës së mesme. Ministria e Arsimit bën të ditur se provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në shkollat e mesme të përgjithshme me kohë të plotë zhvillohen në të njëjtat data, 9 dhe 17 qershor. Lënda e gjuhës hyn për herë të parë si e detyruar. Por ka edhe një të re tjetër. Në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore për herë të parë do të jepet edhe lënda e gjuhës frënge. Po kështu, lënda e "Njohurisë për Shoqërinë" është ndarë nga blloku i lëndëve "Njohuri për ekonominë" dhe "Filozofi" që deri vjet jepeshin bashkë. Këtë vit është ndarë edhe grupi histori-gjeografi. Kështu, historia dhe gjeografia do të jepen si dy lëndë me zgjedhje të veçanta. Pra, lëndët me zgjedhje që do të kenë mundësi të zgjidhen nga maturantët, janë më të shumta. Pra nga 7 lëndë të mundshme, kemi 9 lëndë me zgjedhje.
Në periudhën javore 2-7 qershor, të gjitha shkollat duhet të zhvillojnë konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje, konsultimet e grupuara sipas lëndëve, me nxënësit, duhet të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara. Ky është urdhri që jep MASH për të gjitha shkollat e mesme në vend, si dhe sqaron nismën për "Këshillimin e Karrierës". Me anën e këtij udhëzimi, MASH ka ngarkuar nëndrejtorët e shkollave (në mungesë të tyre, drejtorët) për t‘i dhënë të gjithë informacionin e duhur çdo maturanti (sistemi Meritë-Preferencë, plotësimin e formularëve etj.) për provimet e maturës. Ministria e Arsimit ka miratuar edhe rregulloren e re të maturës. Kjo rregullore parashikon të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga maturantët dhe afatet e përgatitjes së udhëzuesit të formularit A1, ku paraqiten të dhënat e kandidatit për student dhe kërkesa e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje. Këta formularë duhet të jenë gati deri më datë 10 shkurt, ndërkohë që Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve duhet t‘i dërgojë ato nëpër shkolla deri më 20 shkurt. Formulari A2 do të përgatitet deri më 1 prill dhe plotësimi i tij nga maturantët ka afat të fundit datën 30 qershor. Në ndryshim nga viti i kaluar, nuk do të shpërndahen certifikata për lëndët me zgjedhje. Për sa u përket atyre konkurrentëve që kanë dhënë provimet e detyruara dhe jo ato me zgjedhje, lejohet pjesëmarrja në provim për këta të fundit. Ata duhet t‘i japin provimet pranë shkollave të mesme, ku kanë dhënë lëndët me detyrim, pra ku kanë mbaruar shkollën e mesme. Kjo do të kryhet përmes një kërkese pranë Komisioneve të Maturës Shtetërore të drejtorive arsimore përkatëse, duke paraqitur dëftesën origjinale të pjekurisë. Nxënësit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta. Nëse kjo kategori nuk i ka dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (provimet me detyrim D1 dhe D2 dhe ato me zgjedhje Z1 dhe Z2), për t‘u pranuar në shkollat e larta publike duhet të japë provimet me zgjedhje. Për ta do të ngrihet një komision i posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e tyre.
Rregullorja e maturës për vitin shkollor 2007-2008 sanksionon të drejtat dhe detyrimet e maturantëve, administratorëve të provimeve dhe autoriteteve përgjegjëse në AVA dhe DAR. Për sa u përket nxënësve shqiptarë, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, mësohet se kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri. Në rregullore përcaktohet se "nëse nuk i kanë dhënë provimet ekuivalente me maturën dhe ato me zgjedhje, për t‘u pranuar në fakultete duhet të japin detyrimisht provimin e lëndëve me zgjedhje. Aplikimi në konkurs për këta konkurrentë është data 1 deri 15 prill.
tab 1
DATAT E PROVIMEVE
në shkollat e mesme të përgjithshme (gjimnaze)
në shkollat e mesme pedagogjike
në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja
në seksionet dygjuhëshe (profili shoqëror dhe natyror)
në shkollat e mesme social-kulturore artistike dhe sportive
në shkollat e mesme teknike, ekonomike dhe teknike
JANE:
Gjuhë dhe letërsi shqipe 09 qershor
Matematikë 17 qershor
Lëndët me zgjedhje 10 korrik
tab 2
Shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin
Gjuha dhe letërsia greke 02 qershor
Gjuha dhe letërsia shqipe 09 qershor
Matematikë 17 qershor
Lëndët me zgjedhje 10 korrik
tab 3
LENDET ME ZGJEDHJE
1 Fizikë
2 Kimi
3 Biologji
4 Anglisht
5 Frëngjisht
6 Histori
7 Gjeografi
8 Njohuri për shoqërinë
9 Njohuri për ekonominë dhe Filozofi