Shërbimi urban: Nëse nuk subvencionohemi, falimentojmë
Kompanitë private të transportit urban nuk pranojnë të paguajnë më faturën financiare për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar, të cilët udhëtojnë falas. Ligji "për statusin e invalidit" që lejon transportin publik falas të këtyre personave, është një ligj që nuk ka një faturë financiare për shtetin.
Neni nr. 1 i këtij ligji parashikon që udhëtimi i invalidëve me mjetet e komunikacionit shtetëror dhe privat të bëhet falas. Udhëtimi me mjetet e komunikacionit shtetëror dhe ndërqytetas bëhet me 50% të vlerës së biletës. Të gjitha mjetet e udhëtimit qytetas dhe ndërqytetas rezervojnë vende të veçanta për invalidët. Ndërsa ministria që mbulon transportin dhe komunikacionin nxjerr aktet nënligjore përkatëse. Të gjithë atyre që u takon, por edhe atyre që nuk u takon, udhëtojnë falas duke pasur nga një kartë invalidi. Ndërkohë që nuk është nxjerrë asnjë akt nënligjor që të paguajë këtë faturë financiare. Meqenëse transporti urban sot është privat, këtë faturë e paguajnë pikërisht kompanitë private të transportit publik. Në një ditë udhëtojnë falas qindra invalidë, veteranë, jetimë etj. Sot numërohen 37 mijë persona që gëzojnë statusin e invalidit. Në vitin 1994 numri i tyre ka qenë rreth 4 mijë. Numri i personave që përfitojnë transportin falas është rritur, por subvencionimi nga shteti për udhëtimin e tyre pa pagesë nuk u jepet kompanive private. Që nga viti 1994 që ka hyrë në fuqi ky ligj, nuk ka dalë asnjë akt nënligjor, ndërkohë që 92% e shërbimit të transportit urban sot është privat. "Fiks Fare" udhëtoi në një autobus të njërës prej linjave urbane në kryeqytet. Fatorinoja kapi një burrë rreth të 60-ve që udhëtonte me librezën e veteranit të luftës. Por të gjithë e dimë që ka 64 vjet që ka mbaruar Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe nuk ka se si një njeri 60 vjeç të jetë veteran i kësaj lufte. Një grua lëvizte me librezën e jetimit, që e kishte të vajzës së saj. Një tjetër grua lëvizte me vërtetimin e invalidit, ndërkohë që gëzonte shëndet të plotë.
Për të gjitha këto kategori, shteti nuk ka parashikuar pasojat financiare. Pra, kush e paguan biletën e tyre? Kujtim Hyka, sekretar i shoqatës së transportit urban, shpreh shqetësimin se "është një kategori e udhëtarëve, që sipas ligjit përfitojnë udhëtimin falas. Deri më sot ne nuk kemi marrë asnjë lloj subvencioni. Pjesa më e madhe janë invalidët e punës, të cilët janë shumë. Nëse ky lloj shërbimi nuk subvencionohet, atëherë ne falimentojmë". Ndërsa drejtori i transportit në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavia, thekson se institucioni që ai drejton është në pritje të daljes së akteve nënligjore. "Në momentin që do të dalin aktet ligjore dhe nënligjore, Bashkia e Tiranës do të shohë edhe subvencionimin e tyre. Problemet e financimit janë probleme teknike dhe Bashkia e Tiranës për momentin nuk ka në dorë asnjë akt ligjor për të bërë këtë subvencionim", deklaroi Punavia. Ndërkohë që Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas që prej një viti vazhdon të japë ultimatume se të gjithë udhëtarëve që zgjedhin për të udhëtuar me mjetet e transportit publik dhe që disponojnë një librezë invaliditeti apo të veteranëve nuk do t‘u njihet më ky dokument. Gjithashtu, qytetarët u trembën se menduan që në fillim të vitit 2008 nuk do të njiheshin më as abonetë dhe çmimi i biletës së autobusit do të rritej e do të bëhej 50 lekë. Sipas të dhënave që disponon Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, vitin e kaluar kanë qarkulluar rreth shtatëmijë dokumente false në urbanët e kryeqytetit. Ndërkohë që 120 mijë pasagjerë udhëtojnë çdo ditë me mjetet e transportit publik në kryeqytet. 11% e tyre u përkasin shtresave në nevojë. Gjashtë mijë është numri i saktë i invalidëve të punës dhe i veteranëve që përfitojnë nga transporti falas. Më i vogël është numri i invalidëve tetraplegjikë dhe paraplegjikë, ku nga shoqatat që përfaqësojnë këtë kategori të popullatës numri rezulton të jetë 180.