Kriteret e reja për farmacitë, ulet koha e stazhit për fillestarët
Procedurat për hapjen e farmacive liberalizohen edhe më tej. Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike dje kriteret më të fundit lidhur me ngritjen e farmacive. Një nga liberalizimet më të përfolura ka qenë edhe distanca e barnatoreve. Sipas procedurave të reja, hapësira që duhet të mbanin farmacitë nga njëra-tjetra nuk është më e kushtëzuar nga ligji. Ato tani mund të jenë edhe ngjitur me njëra-tjetrën apo shumë pranë tyre. Po ashtu, një tjetër lehtësim ka qenë në favor të studentëve këtë herë. Stazhi për të ushtruar profesionin e farmacistëve është reduktuar dhe sipas kritereve të reja, nga tre vjet është bërë vetëm një vit. "Reforma e re në sistemin e licencimit synon afrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe dhënien fund të praktikave të gabuara të së kaluarës", sqaron zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Në këtë dikaster ushtron aktivitetin Komisioni i Licencimit, i cili bën licencimin e subjekteve private në fushën e Shëndetësisë. Detajet, kriteret dhe mënyrat e funksionimit të marrëdhënieve midis subjekteve e personave të interesuar dhe komisionit janë parashikuar me ligj dhe rregullore të posaçme. "Për shkak të problemeve dhe vështirësive të krijuara gjatë viteve të para të tranzicionit, si dhe procesit kompleks por të rëndësishëm të privatizimit të shërbimit farmaceutik në Shqipëri, në vitet e shkuara janë konstatuar raste të veprimit dhe të vendimmarrjes, në ndryshim me kriteret dhe vendimmarrjen e periudhës së viteve të fundit", thuhet në njoftimin zyrtar të Shëndetësisë. Dje, përfaqësuesit e kësaj ministrie njoftuan liberalizimin e procedurave të licencimit. Përfaqësuesit e grupit Task-Force propozuan edhe heqjen e kriterit të respektimit të distancës në hapjen e farmacive dhe reduktimin e stazhit të punës për farmacistët. "Ky kusht i përcaktuar në ligjin për "Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik" përbën një kufizim të hyrjes në treg, prishjen e konkurrencës dhe rregullave të lojës", sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas të dhënave zyrtare, komisioni aktual i licencimit ka miratuar farmacitë referuar gentplanit ekzistues, duke marrë në konsideratë edhe periudhën e gjatë kohore që këta farmacistë kanë ushtruar në aktivitetin e tyre në barnatoret e miratuara më parë. "Komisioni i licencimit në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ka vlerësuar si një element të rëndësishëm edhe kërkesën e bërë nga disa kryetarë të njësive bashkiake për nevojën e hapjes së farmacive të reja krahas atyre ekzistuese, ndikuar kjo nga numri i madh i popullsisë që banon në territorin e këtyre njësive bashkiake", thuhet në njoftim.
Ndërkaq, ligji për "Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik" parashikon hapjen e farmacive të reja, duke marrë në konsideratë edhe numrin e popullsisë.
Kriteret e reja
1. Hiqet stazhi 3-vjeçar
për farmacistët
2. Hiqet distanca
mes farmacive
3. Farmacitë të hapen në
bazë të numrit të popullsisë
Kriteret për të marrë licencë gjenden në www.moh.gov.al