Tregime nga 200 vjet letërsi e minoritetit grek
Një antologji e tregimtarëve më përfaqësues në letërsinë e minoritetit grek është promovuar paraditen e djeshme në sallën e konferencave të hotel "Butrinti". Vëllimi me tregime, i paraqitur
dje, është kurorëzim i punës disavjeçare të poetit, shkrimtarit, publicistit dhe studiuesit Andrea Zarballa, i cilësuar nga autorët më të spikatur të minorietetit etnik grek në Shqipëri. Për të marrë pjesë në promovimin e antologjisë, përveç krijuesve dhe mjaft autorëve, që janë pjesë e saj, morën pjesë edhe ambasadori i Greqisë në Tiranë, Kostandinos Kokosis, si dhe Panajot Barka, pedagog dhe studiues, Lefter Kondo, studiues i folklorit. Në fjalën e vet prezantuese për përpjekjet dhe punën e lavdërueshme të bërë nga Andrea Zarballa, Ziso Lluci, kryetar i Komunës së Finiqit, tha se antologjia është një botim që shtrihet në një hark kohor prej 200 vjetësh, nga viti 1800 e këtej. Në të vijnë shkrimtarët minoritarë më përfaqësues nga trevat e Gjirokastrës dhe Sarandës. Botimin e antologjisë dhe autorin e saj Andrea Zarballa e përshëndetën mjaft kolegë të tij dhe figura të njohura të minoritetit etnik grek, si: pedagogu Jani Jani, gazetari Vangjel Papakristo, krijuesi Vangjel Anagnosti, poeti Vangjel Zafirati, botuesi i gazetës në gjuhën greke "Llaiko Vima" Pavllo Kurti, intelektuali Sotir Qirjazati etj. Autori i kësaj vepre tha se ka bashkudhëtuar për shumë vite me tregimet më të arrira të shkruara dhe të pashkruara, të dëgjuara nga gjyshërit e tij dhe kjo i është bërë pjesë e qenies dhe vetëdijes së tij krijuese dhe nxitëse për të mbërritur në librin e përmasave të antologjisë. Ambasadori Kostandinos Kokosis e ka marrë fjalën jo për protokoll, por për të ta vlerësuar me argumente prej studiuesi vëllimin me tregimet më të bukura të letërsisë së minoritetit grek në Shqipëri. Ai u shpreh se kjo antologji do të yerë vend në bibliotekat tona, duke qenë njëherësh një provë dhe vitrinë e vlerave të kulturës shpirtërore të minoritetit grek në Shqipëri.