E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia e atdheut në krijimtarinë e një piktori

Koha që kalon dhe ndryshimet e thella japin mundësinë t‘i gjykosh vlerat e një periudhe në distancë, të zbulosh ç‘ishte konjukturale dhe çfarë është e vlefshme, e qëndrueshme.

Një album cilësor, me krijime të Artistit të Merituar, Fatmir Haxhiu, po edhe punë të tij në Galerinë e Arteve, në familje e gjetkë, të bindin se ndodhesh përpara një individualiteti të spikatur. Artist serioz, me një vullnet të jashtëzakonshëm me motivin e përhershëm "kape ditën", gjeje inspirimin edhe në studio, ki vetëbesim, këmbëngulje, dëgjo çfarë thonë kolegët e suksesshëm dhe trete jetën në epikën e popullit, të shpalos përpara teje një mori krijimesh që të mbërthejnë, që të lindin shumë mendime e meditime, që ta lehtësojnë fjalorin e përshtypjeve dhe të emocionit. Të lehtësohet ky fjalor edhe për një arsye tjetër: për shumë nga këto krijime dhe për individualitetin e piktorit kanë folur e shkruar disa nga personalitetet e arteve tona, bashkëkohës të tij dhe të mëvonshëm.

Afirmimet e krijimtarisë nga artistë të shquar, të ndihmojnë të kërkosh më thellë në punët përfaqësuese të piktorit. Punë të krijuara në rreth gjysmë shekulli, të mbushura me tension, shqetësim, ankth, synime tepër serioze, përgjegjësi artisti dhe qytetari. Krijime me dimensione të mëdha, që përveç problematikës artistike, kërkonin energji të përditshme dhe ngulm sistematik.

Tablotë e mëdha të karakterit epik që zënë pjesën më themelore të krijimtarisë së piktorit, ashtu si skenat masive të një filmi që ngërthen çaste dramatike të historisë së një populli, janë jashtëzakonisht të vështira, qoftë për t‘i konceptuar, qoftë për t‘i plazmuar elementët përbërës: në gjetjen e përmbajtjes konkrete të kompozimit, në përzgjedhjen e figurave qendrore, në proporcionimin e hapësirës për secilën figurë dhe masës njerëzore që është përfshirë në tablo, në tensionin dhe ritmikën e brendshme të tablosë, në mesazhin themelor që kumton tabloja. Lindin mandej një mori shqetësimesh të tjera që kanë dhe s‘kanë aq lidhje me artin. Arti i gjykuar, i kontrolluar nga liderët më të lartë të politikës, të krijon tensione të paparashikueshme. Sikur nuk mjaftojnë problemet thellësisht artistike, por ec e jepu xhevap edhe njerëzve, që morën hov si ai këpucari që thirri skulptori i madh dhe nisi t‘i shtinte hundët gjithandej.

Një gamë koloristike dramatike dhe ekspresive, dhjetëra tonalitete ngjyrash që krijojnë kontraste të mëdha dhe të vogla, të shpërndara gjithandej tablosë, duke i dhënë një gjallëri atraktive, duke na detyruar ne vizitorëve, të mos nginjemi me të tërën, vështrimin tërësor të saj, por parë gjatë, përqëndrueshëm në çdo fragment të saj, në çdo kindë e detaj. Nuk mund t‘i kuptosh ato dhe as t‘ua thithësh mesazhin dhe vlerën po nuk i pe gjatë, figurë më figurë, detaj më detaj. Vetëm duke i kundruar kështu dhe disa herë radhazi, larg dhe afër, mund të kuptosh punën kolosale të piktorit në çdonjërën parej tyre, mundimin krijues, përqendrimin rropatës te çdo hollësi.

Tablotë e tij murale janë të plota, të kompletuara, të detajuara, të nuancuara, punë të kryera pa ngut dhe pa amatorizëm. Punë të menduara gjatë me vramendje ditë-natë të krijuesit, në vetëkontestime, prishje, shuarje dhe rinisje për të sjellë në tablo variantin më optimal.

Tablotë murale të piktorit përfaqësojnë një punë kolosale dhe rezultate të dukshme në probleme tepër të vështira artistike-profesionale, siç janë: perspektiva, ndriçimi, tonalitetet themelore koloristike, kontrapuntot e ngjyrave dhe të situatave, vizatimi i saktë; edhe në tablotë e betejave dhe të përleshjeve, gjithëpërfshirja e trupave, kafshëve, armëve, relieveve, stinëve, në mënyrë të besueshme dhe me atraktivitet për cilindo që i vështron.

Dhjetëra dhe qindra detaje, që të shkëputur nga njëri-tjetri mund të mos bëjnë problem për piktorët, por që kthehen në vështirësi reale kur është fjala për t‘i përfshirë e vendosur në një ansambël unik, siç e kërkon këtë një tablo epike. Gjithëpërfshirja unike dhe harmonike është një ndëshkim për çdo piktor e skulptor, regjisor apo dirigjent. A ka liri tabloja, a merr frymë thonë rëndom piktorët, apo është një rekuizitë e keqe ku gjithçka është rras e plas. Të gjitha këto piktori i ka zgjidhur dhe realizuar me koncepsionet dhe teknikat më të rilevuara të traditës, pa u tutur se mund të binte në rutinë dhe anakronizëm. Me koncepsione të njohura tradicionale, artistët kanë krijuar dhe do të krijojnë qindra vite radhazi. Gëte pat thënë se novatorë të mëdhenj janë artistët që mëkohen në traditat e konsoliduara, në tradicione të konsoliduara të hapësirës kombëtare dhe botërore. Fatmir Haxhiu kërkoi në to vazhdimisht, duke krijuar individualitetin e vet.

Individualitet që mund të përkufizohet me disa veçori themelore që i gjejmë dukshëm në tërë krijimet më përfaqësuese "Mjeshtër i vërtetë i kompozimit" (Nestor Jonuzi), "Artist me dinamikë të brendshme", "Piktor batalist" (Ylli Drishti), "Në tablotë e tipit batalist, me të vërtetë ndjejmë erën e përleshjes" (Gazmend Muka), "Tablotë e tij janë shqiptare, jo pse në to valon flamuri kombëtar, por se në to del qartë mesazhi patriotik" (Kujtim Buza), "Piktura e tij dallohet për ngjyrat intensive e të ngrohta" (Zef Shoshi), "I vetmi dhe mbase i fundit piktor batalist…, një batalist modern që qëndron larg barokut pompoz artificial" (Dritëro Agolli) dhe plot e plot cilësime dhe vlerësime të tjera, të bëra tash së voni në shtypin dhe intervistat tona.

I inspiruar sidomos nga historia kombëtare, u zhyt në detin e historisë si një notar dhe lundërtar kurajoz, duke fiksuar në telajo çaste, momente shumë të shënuara. Nuk u tremb se mos binte në përsëritje dhe rutinë ideore dhe artistike e teknike. Shpirti i kërkimit, ndjesia e lartë në realizimin e çdo pune, e bënte ngaherë të ndryshëm dhe me gjetje e prurje të tjera. Po fundi i fundit, çdo artist ka të drejtë të ecë në hullinë që vet ka hapur, të përforcojë pajimet e veta dhe të jetë koherent i stilit që ka zgjedhur.

Gjithkund në to është njeriu, njerëzit në relacionet historiko-sociale, në konfliktet ku janë të detyruar të përfshihen dhe të veprojnë, më së shumti në situata të tensionuara, thellësisht dramatike kur vihej në sprovë identiteti, pavarësia, liria, trojet. Janë një varg tablosh me përmasa të mëdha, të frymëzuara nga të tilla momente kyçe të historisë që kanë ndikuar në jetën e ardhme të shqiptarëve. Për realizimin e tyre piktori ka shpenzuar një energji shumëvjeçare. Për cilindo artist, i çdo fushe qoftë, nuk është aspak e lehtë t‘u afrohet çasteve të veçanta të historisë. Imazhi historik në shumë pikëpamje është edhe më i vështirë se pasqyrimi i jetës bashkëkohore. Imazhi artistik i historisë nuk është vetëm një dhuratë e fantazisë krijuese. Edhe vetë kjo fantazi krijuese kërkon akumulimet paraprake që të mund të arrijë pikën e ndezjes dhe të frymëzimit të vet. Por imazhi artistik i historisë bëhet edhe më i vështirë në rastin e arteve vizuale dhe skenike e kinematografike që të mos biesh në epigonizëm dhe rutinë tradicionale anakronike. Këtij rreziku piktori i është shmangur në pjesën dërmuese të këtyre krijimeve. Qoftë prej faktit se momentet e gjuajtura prej tij nuk kanë qenë trajtuar më parë prej të tjerëve, paraardhës e bashkëkohës, qoftë prej trajtimit të tyre me origjinalitet.

Në këto tablo epike të përmasave të mëdha, ku do të veçoja: "Shpallja e Republikës", 1975, "Çajmë rrethimet", 1978, "Këshilltarët e Hekalit", 1971, "Elez Isufi me trimat", 1987, "Me shpatë në dorë", 1978, "Beteja e Albulenës", 1985, "Bashkimi i principatave shqiptare", 1981, kemi njëherazi edhe çastin dramatik, edhe sintezën e qëndresës shqiptare. Në to nuk zënë vend vetëm prijësit, kapedanët, udhëheqësit politikë, por kurdoherë edhe njerëzit e thjeshtë, luftëtarët kryengritës, fukaraja, të shtypurit, të vuajturit, të poshtëruarit që nuk mund të pranonin varfërinë, dhunën, marrjen nëpër këmbë. Në të tilla tablo nuk janë individualizuar si figura artistike vetëm krerët, por njëherazi edhe luftëtarë dhe njerëz fare të thjeshtë.

Me detaje të veçanta, të punuara me finesë, piktori skalit portrete të individualizuara, temperamente të gjalla, furi emocionesh që i kanë çuar njerëzit nëpër këto ndeshje. Populli nuk evidentohet skutave e qosheve, po në plane ballore e qendrore. I dukshëm, vital, energjik, i furishëm, i bindur se duhet të jetë i pranishëm në atë akt. Këtë afirmim artistik të popullit, në momente kyçe të historisë sonë, historia e arteve tona figurative nuk duhet ta zbehë kurrë. Në fund të fundit kanë qenë lumenjtë e gjakut të popullit ata që kanë vendosur etnitetin, identitetin, shtetin përkatës. Prania në këto tablo e udhëheqësve të kohës është pjesë autentike e historisë. S‘ke të drejtë t‘i shmangësh. Aq më tepër kur kultizmi ishte pjesë thelbësore e arteve tona, por edhe e asaj psikologjie që bartin shtresa të shumta të shoqërisë shqiptare në periudhën kur u përftuan këto krijime. Kryesorja është t‘i gjykojmë ato pa paragjykime, duke u thelluar sidomos në artin që përmbajnë.

Ǒpërmbajnë përmasat e kompozimit për një artist? Shanset dhe riskun. Një tablo e madhe e tipit mural, duhet të përligjë veten në çdo element përbërës, në çdo detaj. Ajo kërkon konceptim tërësor, unitet qendër, simetri, harmoni, kontrast, larmi, kontrapunto dhe mesazh të mishëruar e të kumtuar artistikisht. Tabloja e madhe kërkon punë të madhe. Kurse dështimi kthehet në një disfatë që të qëndron gjatë në ndërgjegje.

Fatmir Haxhiu, jo vetëm që nuk iu tremb përmasave të tilla, por e ktheu tablonë murale dhe kompozimin e tipit epik në zhanrin më të dashur të krijimit të tij. Nga një tablo murale te një tjetër, nga një qëndresë te një tjetër, nga imazhi i një epoke tek imazhi i një epoke tjetër, kjo qe puna e tij për të paktën dyzet vite. Dyzet vite përqendrim, ngulitje, studim, evokim, frymëzim, brenda dhe jashtë studios, me penel në dorë dhe me sytë në librat, dëshmitë, dokumentet historike. Kurdoherë i hapur dhe i plotëdëshirshëm që në atë studion e tij te Rruga e Kavajës, ku drita fekste deri në orët më të vona të natës, të vinin vizitorë nga më të ndryshmit, por sidomos krijues të sferave të ndryshme, historianë, veteranë, përjetues të drejtpërdrejtë të luftërave, betejave, ngjarjeve madhore të historisë.

Vepra epike-piktoriale e Fatmir Haxhiut është e tëra në vazhdën dhe traditën e atyre artistëve shqiptarë që shumë sinqerisht u frymëzuan për të dhënë artistikisht qëndresën shqiptare. Luftëtari, atdhetari, kryengritësi, liridashësi, i flijuari, viktima, që gjendet në tablotë epike të piktorit, është një personazh real-epik i historisë sonë. Te Fatmiri gjejmë të vizualizuar në ngjyra, te skulptori të gdhendur, te shkrimtari në personazhe dramash e romanësh, tek aktori në filma me temë qëndresën e popullit në breza. Kjo qëndresë nuk është libreske, e bartur nga përfytyrime librash të të tjerëve. Ajo është e përjetuar e vetëjetuar. Si e tillë ka brenda akumulimet psikologjike të artistit, që ka marrë vetë pjesë në qëndresën antifashiste. Ky përjetim dhe akumulim individual e shtonte orë e çast kërkesën për vërtetësi jetësore. Pa këtë themel është shumë e vështirë të përftohet e vërteta artistike.

Le të ndalemi në njërën prej kompozimeve më të hershme të piktorit: "Kalimi i divizionit të I në veri". Është puna me të cilën piktori mbrojti diplomën më 1965 dhe u vlerësua shkëlqyeshëm. Ajo nuk gjendet më sepse është djegur, por riprodhimi i saj në albumin e piktorit dhe diskutimet e atëhershme për të, na lejon të gjykojmë për shumë aspekte ideore dhe artistike. Përmbajtja vizive e tablosë është kalimi i një lumi nga një formacion partizan. Në pamje ballore portretizohen krerët e formacionit, komandanti e komisari siç quheshin atëherë, dhe njësh me ta, prapa e anash luftëtarë të tjerë, shoqërues, udhërrëfyes, me ç‘duken fshatarë që i janë bashkëngjitur formacionit në fjalë. Në thellësi të tablosë një vargan i gjatë luftëtarësh të tjerë që ecin njëshkolonë për të ardhur edhe ata te buzë e lumit. Elementët e vërtetësisë jetësore janë ngjeshur e gërshetuar me elementët artistikë. Me pak përqendrim mund të hetojmë stinën kur bëhet ky kalim, motin dhe atmosferën reliefin epiko-verior, etj. Por mund të meditojmë edhe mbi psikologjinë e luftëtarëve, raportin me njëri-tjetrin, shkallën e solidaritetit dhe të humanizmit. Tabloja është konkrete, personazhet e vizatuara klasikisht, ngjyrat dhe tonalitetet kontrastuese: ftohtësi e motit me retë, mjegulla pranë lumit, ashpërsi e maleve, shkëmbinjve dhe ngjyra e mishtë e luftëtarëve që sjell jetë, ngrohtësi. Krerët e divizionit nuk janë të zhytur në kultizëm. Janë pranë e pranë me luftëtarët, kalojnë të njëjtat vështirësi. Diferencimet nisën më vonë. Fytyrat janë të natyrshme, njerëzore, jo me ndonjë ngarkesë të veçantë intelektuale. Mund t‘i konsiderosh edhe "engjëj të armatosur", po të perifrazonim sipas titullit e një romani për luftën tonë, botuar tash së fundi.

Vëreni një punë tjetër të realizuar pesëmbëdhjetë vite më vonë, kur piktori ka vetvetiu një përvojë më të madhe dhe kërkesa të thella profesionale. E kam fjalën pikërisht për tablonë e përsosur "Nënat labe", 1980. Ndjehet menjëherë përvoja e fituar profesionale, siguria në vizatim, aftësi kjo e dallueshme e piktorit në çdo punë të tij më të re, harmonia e ngjyrave, toneve dhe gradualiteti perfekt në marrëdhëniet dhe kontrastet e vendosura. Aspak e ngrirë, aspak pozuese dhe fotografike, tabloja të rrëmben në çdo detaj të sajin, në çdo personazh pjesëmarrës, në gërshetimet kuptimplote natyrë-njeri. Një tablo e vetme që të përfshin emocionalisht në situatën dhe konfliktin historik që përmban. Gra të vuajtura fshatare, në moshë të ndryshme që marrin pjesë aktivisht në luftë, duke ndihmuar bijtë e tyre të plagosur në betejën e sapondodhur. Është një sintetizim i shkëlqyer i një filmi epik-dramatik të mrekullueshëm që e kemi parë dhe ndjesuar fort: "Dimri i fundit"! Nuk e vrava mendjen dhe as kërkova të saktësoj në është filmi i pari, si kohë produksioni, apo kjo tablo. E rëndësishme është a ka tabloja në fjalë diçka të re në kumtin dhe realizimin artistik. Të bën për vete në të kontrasti midis ngjyrës së kaltër me tonalitete të vjollcës dhe ngjyrës së bardhë të dëborës së ngjeshur që reflekton qiellin mbrëmësor. Domethënia simbolike e ngjyrave na ofron ndihmë për të kuptuar më thellë. Nata do të kalojë. Dita do të vijë me bardhësi. Bardhësinë e afron humanizmi i nënave se edhe nënat janë diej. Ngjyrë e kaltër simbolizon natyrën e panënshtrueshme të njeriut. Mund të na plagosni, vrisni, por nuk na nënshtroni dot. Ngjyrë e bardhë, pastërti, gëzim dhe vërtetësi. Napat e zeza, brucat, çitjanet, gjithandej të zeza: vdekja, kobi, trishtimi. Kumti i tablosë është thellësisht realist. Realizëm që ka brenda rezistencën, flijimin, tragjedinë, të prekur e të bartur nga shpirti i ndjeshëm i nënave, motrave, grave. Situata e konkretizuar përmban epikë të diktuar nga rrethanat e dhunshme të pushtimit. Kalimet e ngjyrave te njëra-tjetra, thellësisht të studiuara dhe të gatuara profesionalisht.

Përqendrimi i piktorit te tablotë epike, asnjëherë nuk duhet të na bëjnë të mendojmë se ai u shmangej disponimeve të tjera. Vëreni me përqendrim tablonë e mrekullueshme "Vajzat Tiranase" 1996, pak vite më parë se piktori të shuhej.

Vizatim i përkryer, tërë ondulime e trajta harkore që theksojnë hiret natyrore të vajzave të reja, që edhe pse paraqiten që të gjitha të veshura, shfaqen me një pafajësi indiferente… Është një çast intim, i takueshëm, i ndodhur ndonjë gjysmë shekulli më parë në interieret tipike tiranase. Tablo që përveç vlerave shumë të veçanta artistike, ruan dhe evokon një periudhë të caktuar të mënyrës së jetesës, zakoneve dhe psikologjisë së femrave tona. Tabloja nuk bën përshtypje vetëm për vizatimin shumë të hollë dhe elegant, si punimet në filigram, por edhe për zbulimin e vlerave estetike të kostumeve tona popullore. Marrëdhëniet e trupave dhe të veshjeve janë zgjidhur në mënyrë të shkëlqyer. Nuk janë kostume që rrinë të varura në raft a kremastar, nuk janë as të marra me qira, por pajisje personale të secilës vajzë. Çdo vizitor dhe ca më shumë një profesionist që vlerëson natyrshmërinë e detajeve, tronditet nga ajo plotëri palash, rrudhash, kindash e ondulimesh që shfaqen me një intensitet dinamik gjithandej tablosë. Saktësia natyralistike nuk e bën tablonë aspak kartolineske, sepse ajo ka një gjallëri të brendshme që dëshmohet prej harlisjes së flokëve, ekspresivitetit të fytyrave, hovtimit të krahëve, gjokseve, në të gjithë marrëdhëniet që ato përftojnë bashkërisht. Është një punim që jo rastësisht është kryer në vitet e fundit të jetës së piktorit, atëherë kur kërkesat e brendshme të mjeshtërisë paraqiten tek artistët si një hetuesi e përhershme. Dhe të tilla Fatmiri ka disa.

Por qoftë me këtë tablo, qoftë me shumë të tjera, Fatmir Haxhiu zgjidh në mënyrë optimale edhe çështjen e vatrës qendrore të një kompozimi ku janë shumë personazhe, shumë veshje, sende, orendi, sfonde. Vajzat e tubuara në atë situatë intime meditimi, hareje dhe çiltërsie, edhe pse kanë shfrenim vetjak, fokusohen në një bashkësi situate psikologjike kompakte. Mjeshtërisht është realizuar në këtë tablo refleksioni koloristik. Ngjyra e mishtë e fytyrave, krahëve, llërëve dhe gushave dergjet me një gradualitet mjeshtëror nëpër fustanet e bardhë, madje deri nëpër hijet që formësojnë kindat dhe rrudhat.

Krijime të tjera, sidomos të viteve të fundit, dëshmojnë dukshëm diapazonin e gjerë dhe të larmishëm të piktorit, aftësitë e tij për të qenë individualitet origjinal, thellësisht profesional në secilin zhanër të pikturës. Dhe kjo s‘është pak për përfaqësimin dhe portretizimin e një piktori që na la shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›