Përballë roleve
Është e vështirë të njohësh Albert Verrinë e vërtetë mes dhjetëra personazheve që ka përjetësuar në foto, nga rolet e tij në kinema. Të gjithë "qen bir qensh", siç i quan ai, të gjithë të pushkatuar, grindavecë, armiq, negativë që nuk i përshtateshin kohës, të vrarë dhe të hedhur nga shkëmbinjtë... Por brenda secilit prej këtyre roleve ka qenë ai. Një njeri që u identifikua gjithnjë nëpërmjet imazheve që lanë personazhet që ai i ndërtoi me aq pasion, një njeri që sot i sheh gati-gati me mosbesim se si ka mundur t‘u japë jetë aq shumë figurave. "Por ka qenë pasioni dhe përkushtimi, që çdo rol pavarësisht figurës çfarë përfaqësonte, ta realizonte sikur t‘i kishin besuar një rol të madh", shpjegon ai. Një pasion që e bëri të vishte aq bukur lëkurën e Xha Sulos, apo të Kapedanit.
Sot në galerinë "Zenit", të gjithë adhuruesit e filmave të Verrisë do të kenë mundësi të shohin personazhet që ai i ngjiti me aq dëshirë, të vendosur në një ekspozitë në këtë galeri. Një mori fotosh, përmes të cilave të shfaqet jo vetëm historia e kinemasë shqiptare, por dhe kontributi që ka dhënë për të një aktor si Verria.
"Unë në vetvete shoh se mosha bën të sajën dhe duke punuar për një kohë të gjatë në teatër dhe kinematografi, desha që këto foto bashkë me një film dokumentar t‘i përjetësoja përfundimisht, jo vetëm si detyrim ndaj spektatorit por dhe si një detyrim ndaj fëmijëve të mi", thotë Verria.
Këto foto dhe mund ta përlotin aktorin, teksa sheh veten vetëm 30 vjeç te "Kapedani", apo te "Vetvetja", një rol nga të fundit që ai ka interpretuar, për të cilin ka dëshirë të flasë.
"Në epiqendër të këtij roli është një filozof, një mesjetar dhe një bashkëkohës, por midis tyre kam edhe një djall, dhe djallin e kam unë në shpirt, ashtu siç mund ta ketë i gjithë njerëzimi. E them se kam djallin, pasi luftoj me vetveten midis arsyes dhe mosarsyes. Dhe është kjo e fundit që i shtyn njerëzit gjithnjë të bëjnë veprime të nxituara...".
Duke se fotoja që tregon Verrinë në këtë monolog të gjatë, është një ndër të preferuarat në këtë galeri të madhe fotosh, ndoshta për vetë mesazhin që mbart.
I mësuar të interpretojë në kinema vetëm role negative, kaq vite më pas Verria shprehet se është ndjerë mirë me to.
Dhe pse nuk ka asgjë të përbashkët mes tij dhe karaktereve të këtyre personazheve, ai është munduar t‘u përshtatet dhe përkushtohet në mënyrë që ato të spikasnin, ashtu siç vërtet ndodhi.
"Të gjitha këto janë role që m‘i kanë besuar regjisorët, dhe pse kishin të tilla karaktere unë i kam konsideruar si role të mëdha, dhe nuk i kam nënvlerësuar", thotë ai.
Teksa kujton "Xha Sulon", një plak me mbeturina patriarkale dhe konservatore, një armik të përbetuar të grave dhe që nuk ka besim tek to, Alberti i vërtetë është krejt ndryshe. Ai e respekton gjininë femërore me besimin se djalli nuk ekziston te to.
Por spektatorët nuk e njohin Albertin e vërtetë, atë që fshihet nën lëkurën e Xha Sulos, ndaj dhe sot e kësaj dite ai dëgjon shpesh në rrugë "ky është armiku i grave".
Por çfarë ndjen Verria teksa sheh këto foto? "Në fakt unë i shoh të gjitha këto fotografi me një gjakftohtësi. Aty pasqyrohen 1/3 e roleve që unë kam bërë. Teksa i shoh, e them pa modesti, nuk e kuptoj si kam mundur t‘i bëj, por ka qenë këmbëngulja dhe pasioni. Falënderoj regjisorët dhe operatorët të cilët kanë pasur një kujdes të jashtëzakonshëm për të filmuar gjatë xhirimeve, duke më nxjerrë me dritëhije dhe pastërti absolute. Kur i shoh këto foto tani nuk shoh një pozë ku të kem qenë i qetë shpirtërisht, të gjitha këto role flasin", thotë ai.
Aktori i 40 roleve në kinematografi dhe i mbi 90 roleve në dramaturgji, është padyshim një nga personalitetet e kinemasë shqiptare.
Ekspozita në "Zenit" është pjesë e ekspozitave tradicionale që ky institucion bën për "Ë-ndërrimin" e viteve,
Para se t‘i sillte këto foto në një galeri në Tiranë, Verria i ekspozoi ato në hollin e teatrit "Petro Marko" të qytetit të Vlorës.