Makina e vjedhur "tradhton" doganierin e Vlorës në Fier
Një doganier i Portit Detar të Vlorës është prangosur orët e para të mëngjesit të djeshëm në shtëpinë e tij, në qytetin e Fierit. Akuzat e ngritura për doganierin janë "falsifikim dokumentesh" dhe "ushtrimi i kontrabandës". Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Fierit mësohet se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në kuadër të operacionit me emrin e koduar "Aulona", është arrestuar shtetasi Enkelejd Rexha. Ai punonte në Portin Detar të qytetit të Vlorës prej dy vjetësh, ndërkohë që kishte një karrierë 7-vjeçare në pozicionin e doganierit. Sipas Policisë së Fierit, Enkelejd Rexha ishte nën survejim prej gati një viti. Agjentët e policisë kanë mundur të dokumentojnë dhe sigurojnë një dosje të plotë dhe voluminoze ku tregohej se Rexha jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por edhe më parë, ka ushtruar kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh. Objekt i doganierit të arrestuar ka qenë edhe kalimi i mallrave kontrabandë në ndihmë të personave, të cilët kanë tentuar të kalojnë portin dhe të udhëtojnë me tragete drejt Italisë. Burimet policore pohojnë se Rexha kishte ngritur një rrjet të fortë dhe operonte me "tarifa" të vendosura nga vetë ai. Burimet policore sqarojnë se në bazë të mallrave që lejonte të kalonin kontrabandë dhe të sasisë së tyre varionte edhe shuma e parave që doganieri u kërkonte klientëve të tij.
Një oficer policie që ka ndjekur çështjen që nga dyshimet e para, tha se emri i Enkelejd Rexhës kishte hyrë në dosjen e hetimit në momentin kur në Fier ishte zbuluar një makinë luksoze, e vjedhur në Itali, që kishte hyrë pa probleme në Portin e Vlorës. Pas këtij rasti, ndaj Rexhës filloi survejimi dhe përgjimet, që çuan deri në arrestimin e djeshëm.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për gazetën se Enkelejd Rexha është marrë në pyetje menjëherë pas arrestimit për të sqaruar pozicionin e tij ndaj akuzës së ngritur, si dhe është njohur me provat e prokurorisë dhe të agjentëve të antikrimit. Atij i janë servirur materiale filmike e fotografike, ku tregohej aktiviteti i paligjshëm. Por i arrestuari nuk ka pranuar të flasë para hetuesve, duke thënë se do të jetë avokati ai që do të dëshmojë për të.
Burimet zyrtare policore konfirmojnë gjithashtu se priten arrestime të tjera, ndërsa dyshohet që të tjerë persona ishin përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm të doganierit të arrestuar. Tre persona të tjerë janë shoqëruar në polici, ndërkohë që nuk qartësohet nëse ata janë përfshirë në këtë abuzim apo jo.
Dyshimet, pas zbulimit
të një makine të vjedhur
Policia nuk do të kishte rënë asnjëherë në gjurmë të aktivitetit të paligjshëm të doganierit, nëse nga Italia nuk do të kishte mbërritur një kërkesë verifikimi për një veturë "Mercedes Benz". Gjithçka ka nisur nga ky mjet, që ka rezultuar i vjedhur në Itali, por që ka kaluar nga Dogana e Vlorës pa paguar detyrimin doganor. Konkretisht Enkelejd Rexha, duke qenë se ka pasur dijeni për origjinën e mjetit, që qarkullonte kohët e fundit me targa FR 1373 C, e ka lejuar atë të dalë nga Porti i Vlorës, duke iu shmangur detyrimit doganor me vlerë 1.515.645 lekë të reja. Nga informacionet e mara nga grupi i hetimit ka rezultuar se Rexha në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës së tij shtetërore, ka lëshuar vërtetime hyrjeje të falsifikuara për automjetin në fjalë, duke e shmangur detyrimin e këtij mjeti për doganën shqiptare, çka i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 1.5 milionë lekësh. Mjeti është pajisur normalisht me dokumente falë këtyre vërtetimeve dhe pas disa kohësh ka rezultuar se ai ka qenë i vjedhur në shtetin fqinj. Menjëherë pas këtij konstatimi është ngritur grupi i hetimit për të verifikuar këtë zinxhir veprimesh dhe ka arritur në konkluzionin se doganieri 37-vjeçar Enkelejd Rexha ka ndihmuar në kalimin pa doganë të mjetit.