E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndarja e tokave, kërkohen 10 vjet burg për katër zyrtarë

Tre ish-zyrtarë të lartë të administratës shtetërore në rrethin e Fierit dhe shefi aktual i kadastrës në këshillin e qarkut po gjykohen nga Gjykata eFaktit për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Bëhet fjalë për ish-kreun e këshillit të qarkut, Ilir Dano, ish-kryetarin e Bashkisë Patos, Andon Bita, ish-përgjegjësin e kadastrës së Bashkisë Patos, Agim Kasa, si dhe për shefin aktual të zyrës së administrimit dhe menaxhimit të tokës në këshillin e qarkut, Ramadan Kanani. Në seancën e parë gjyqësore, të zhvilluar dy ditë më parë nën drejtimin e gjyqtarit Alfred Konomi, prokurori i çështjes, Hysen Hajasllari, ka kërkuar për tre prej tyre, e pikërisht për Ilir Danon, Andon Bitën dhe Ramadan Kananin një dënim me 3 vjet burg për secilin, si dhe gjoba prej 6 milionë lekësh. Ndërsa për ish-shefin e kadastrës në Bashkinë e Patosit, Agim Kasa, prokurori ka kërkuar dënimin me 1 vit burg dhe pagesën e një gjobe prej 1 milion lekësh. Ajo për të cilën zyrtarët kanë shkuar para togave të zeza, edhe pse në gjendje të lirë, ka të bëjë me një sipërfaqe toke, që dikur ka qenë pronë e Ndërmarrjes Bujqësore Visokë. Sipërfaqja e tokës prej 3,6 hektarësh është e mbjellë me lajthi. Paditësit janë një çift të moshuarish nga qyteti i Kavajës, të cilët edhe pse nuk kanë qenë punonjës të Ndërmarrjes Bujqësore Visokë, edhe pse nuk kanë qenë banorë të qytetit të Patosit, sërish kanë përfituar, madje dhe me tapi pronën në fjalë. Ndërsa kjo sipërfaqe është ndarë me Ligjin 7501 për katër ish-agronomë të saj, Bashkia e Patosit në vitin 1998, duke anashkaluar komisionin e tokës së Bashkisë Patos dhe të qarkut ua dha pronën po me anën e Ligjit 7501 dy të moshuarëve nga Kavaja me mbiemrin Kokalari. Me anën e dokumentacionit që është në prokurori dhe në gjykatë, si dhe me anën e dokumentacionit që vihet në dispozicion nga Bashkia e Patosit, këshilli i qarkut dhe Hipoteka Fier, vërtetohet se ende pa marrë tapitë katër agronomët e Ndërmarrjes Bujqësore, ish-kryetari i Bashkisë Patos, Pajtim Isufaj, u ka dhënë tapinë e tokës çiftit Kokalari. Të dy bashkëshortët me dokumentet që kanë servirur në prokurori dalin se kanë jetuar në Kavajë dhe vetëm për një vit (1998-1999), kanë jetuar në Patos. Normalisht, ata nuk kanë jetuar, por vetëm kanë kryer transferim gjendjeje civile me qëllim mbrojtjen e pronës që u ishte premtuar. Edhe pse menduan se do ta mbronin me ligj këtë fakt nuk kishin kuptuar mirë Ligjin 7501, pasi ai parashikonte që me anën e tij përfitonin tokë vetëm ata punonjës që rezultonin në këtë ndërmarrje deri më datën 1 tetor të vitit 1992. Ndërkohë, vërtetohet zyrtarisht se çifti Kokalari nuk ka dosje në asnjë agjenci të kthimit dhe kompensimit të pronave në vend. Edhe pse të mbuluar me një shkelje të hapur të ligjit, drejtuesi i mëvonshëm i Bashkisë Patos, Andon Bita, së bashku me kreun e qarkut, Ilir Danon, shefin e kadastrës së bashkisë në fjalë, Agim Kasa, si dhe drejtuesi aktual i bashkisë, pasi iu drejtuan komisionit qeveritar të tokës dhe Drejtorisë së Bujqësisë i hoqën pronën çiftit Kokalari. Pikërisht mosnjohja e tapisë pas verifikimit të dosjes në institucionet zinxhir bëri që çifti të padisë pikërisht zyrtarët që morën vendimin e fundit.

Mbrojtja

"Paditësit kishin

përfituar ilegalisht"

Në një prononcim për gazetën "Shqip" një nga avokatët e katër zyrtarëve që po gjykohen tha se "kjo çështje përbën një skandal të institucioneve shtetërore sot. Është rasti i parë dhe ndër të vetmit ndoshta, kur njësitë e qeverisjes vendore respektojnë ligjin për ndarjen e tokës. Kriteret e përfitimit me anën e këtij ligji janë korrigjuar dhe pronarëve që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë u është hequr tapia. Së pari, drejtësia duhet të merrej me ata që kanë përfituar tokën në mënyrë të padrejtë dhe me autoritetin që ka lëshuar tapinë e kësaj toke".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›