Emigrantët, tubim pro pavarësisë së Kosovës
Në sheshin "Omonia" në Athinë, u zhvillua një miting paqësor për pavarësinë e Kosovës. Rreth 1000 emigrantë shqiptarë me flamuj këndonin këngë shqiptare dhe bënin thirrje për shpalljen e Kosovës shtet. Në emër të demonstruesve foli kryetari i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë, Hider Buci dhe kryetari i Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Greqi, Rudi Mezini. Njoftimi për protestën u bë publik më 19 janar, përmes të cilit janë ftuar emigrantët shqiptarë që jetojnë në të gjithë Greqinë të vijnë në kryeqytetin grek për të marrë pjesë në protestën paqësore për Kosovën, në këto momente historike të së ardhmes së saj. Tubimin e ka përcjellë policia greke dhe ai ka kaluar pa incidente.
Ndërkaq, treshja drejtuese kosovare, Sejdiu, Thaçi dhe Krasniqi, pritet që sot të takohen për të biseduar për hartimin e një drafti të Deklaratës së Pavarësisë. Po ashtu pritet që të formohet Grupi punues për hartimin e saj. Deklarata e Pavarësisë do të jetë zë i përbashkët i pozitës e opozitës, por do të konsultohen edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Jo zyrtarisht thuhet se deklarata do të jetë 12 pikëshe dhe do të përmbaj elemente të pakos së Ahtisarit, por në të do të përfshihet edhe një pikë, e cila i referohet deklaratës së 2 korrikut të 90-ës.