E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla e natës, Pollo presion mësuesve

Ministria e Arsimit ka kthyer sytë nga shkolla e natës. Një sistem i lënë në harresë prej vitesh ku nxënës prapambetës merrnin dëftesën e shkollës së mesme. Një karton sa për ta pasur në xhep, pasi këtë shkollë tani e ndjekin vetëm emigrantët dhe invalidët që nuk frekuentojnë dot mësimin. Por Ministria e Arsimit ka vendosur që ky sistem të mos jetë më formal, por të bëhen provimeve efektive. Në njoftimin e zëdhënëses së ministrit të Arsimit, Genc Pollo, thuhet se "deri tani provimet semestrale jepeshin gojarisht para një komisioni prej tre mësuesish të shkollës dhe kalueshmëria është 90 apo 100 për qind. Këto provime kanë qenë përgjithësisht abuzive dhe korruptive". Kjo është deklarata zyrtare që sulmon drejtpërdrejt shkollat e mesme dhe mësuesit e tyre.

Ndaj Dikasteri i Arsimit ka vendosur t‘ua heqë të drejtën e vlerësimit mësuesve të shkollave dhe t‘ua kalojë specialistëve të drejtorive arsimore që janë po mësues, por në detyrën e inspektorëve. "Duke filluar nga janari i këtij viti, në shkollat me korrespodencë ku nuk zhvillohet mësim i rregullt në javë, por ka provime çdo semestër, nxënësit do t‘u nënshtrohen provimeve rigoroze", bën të ditur MASH-i.

Këto provime tashmë zhvillohen me të njëjtat praktika si të Maturës Shtetërore, që do të thotë se testimi, vlerësimi dhe administrimi i testeve nuk do të organizohet më nga drejtoria e shkollës, por nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. Në maturën e këtij viti, nxënësit e shkollës së natës rezultuan me kalueshmëri shumë herë më të ulët se gjimnazet e ditës. Efekti i maturës shtetërore ishte se në shkollën "Kristoforidhi" në Tiranë, vetëm 2/3 e nxënësve u paraqitën në provimet e janarit dhe prej tyre vetëm 42% rezultuan kalues. Pra siç shihet provimi me shkrim do të ndikojë në uljen e numrit të nxënësve që ndjekin këtë sistem. Korrespondenca vitet e fundit kishte ndryshuar funksion. Nëse në kohën e komunizmit e ndiqnin personat e punësuar, tani e ndjekin kryesisht ata që duan vetëm diplomën, jo shkollën. Diploma e lëshuar në shkollat me korrespodencë është ligjërisht e barasvlefshme me atë të gjimnazit të ditës".

Matura shtetërore konsiderohet si sukses nga ministri i Arsimit, Genc Pollo, ndaj do të rrisë rrezen e aplikimit. Në vitet në vijim, disa prej praktikave të maturës do të mund të aplikoheshin në të gjitha mënyrat e testimit të arsimit parauniversitar. Vitin shkollor 2008-2009, të gjithë nxënësit, në përfundim të arsimit bazë 9-vjeçar, do t;i nënshtrohen provimeve të Lirimit me praktikat e Maturës. Vitin e kaluar shkollor këto testime u pilotuan me sukses.
Duke filluar nga ky vit, të gjithë nxënësit të cilët mësojnë me korrespodencë, do t‘u nënshtrohen testimit të jashtëm dhe objektiv për të pasur një vlerësim real të arritjeve të tyre mësimore.
Testet e sekretuara do të mbikëqyren nga administratorë jo të lëndës përkatëse dhe korrigjimi do të kryhet nga komisione të ngritura nga DAR. Sipas informacioneve dhe inspektimeve, provimet në këtë formë shkollimi kanë qenë problematike, jo rrallë abuzive dhe korruptive.

Që prej dy vjetësh, të gjithë nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave të mesme profesionale, në përfundim të shkollës së mesme u nënshtrohen 4 provimeve të maturës shtetërore, të cilat shërbejnë edhe për pranimet në universitet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›