Presidenti mbyll në Prizren vizitën treditore në Kosovë
Ndalesa e parë në ditën e tretë të vizitës zyrtare për Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, ishte qyteti historik i Kosovës, Prizreni. Njësoj si Prekazi e Peja, edhe Prizreni kishte rezervuar një pritje të ngrohtë për Presidentin shqiptar, i cili gjatë tri ditëve të qëndrimit në Kosovë, është shprehur i bindur se vizita e tij e radhës do të bëhet në Kosovën e pavarur.
Pasi ka vizituar objektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Presidenti shqiptar, Bamir Topi, duke falënderuar qytetarët për pritjen, ka thënë se Prizreni mbetet qyteti që në momente të caktuara të historisë ka inspiruar shoqërinë shqiptare që të rigjallërohet dhe të bashkohet për t‘i bërë ballë represionit që vinte nga qarqet e epërme. Sipas Presidentit Topi, tani gjendemi në një kohë kur të gjitha përpjekjet e shqiptarëve në dekada po kurorëzohen dhe jemi në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që është një lapidar i ri i përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve. Presidenti Bamir Topi mori pjesë në Prishtinë, në "Grand Hotel", në ceremoninë e hapjes së Zyrës për Biznes dhe Komunikim të Shqipërisë. "Unë jam i bindur, sikurse të gjithë, se pas fitimit të statusit të pavarësisë së Kosovës, një dimension i ri edhe në bashkëpunimin ekonomik do të hapet midis Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e të gjithë rajonit. Ndërtimi i korridorit nga Porti i Durrësit e deri në Kosovë do të jetë një mundësi jashtëzakonisht e madhe për shkëmbimin e njerëzve e të mallrave", theksoi Presidenti Topi. Ai e vlerësoi çeljen e zyrës si një hapje e mundësisë së re të bashkëpunimeve shumë të mëdha mes Shqipërisë e Kosovës. Në ceremoninë e hapjes së saj morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve, politikës, biznesit dhe mediave të Kosovës e të Shqipërisë.