Shkupi kërkon liberalizim të vizave me BE
Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, kërkoi që Bashkimi Evropian të fillojë bisedimet për liberalizimin e plotë të regjimit të vizave. Ministrja Jankullovska theksoi se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike, dokumentet personale, zbatimi i sistemit të sigurimit integrues të kufirit dhe marrëveshja për riatdhesim. Ministrja e Brendshme, këtë kërkesë e ka bërë gjatë takimit joformal në Bërdo të Sllovenisë të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë të BE-së. Ministrja Jankullovska kërkoi nga eurokomisioneri për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Franko Fratini, për fillimin sa më të shpejtë të bisedimeve për liberalizimin e plotë të regjimit të vizave. Por siç merret vesh nga ministrja e Brendshme, autoritetet e BE-së nuk kanë caktuar datë konkrete për fillimin e bisedimeve për liberalizim vizash, ndërsa një premtim i qartë është dhënë vetëm për Serbinë. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Bërdo të Sllovenisë vlerësuan se Serbia është një nga vendet e para të rajonit të Ballkanit Perëndimor që plotëson kushtet për lehtësim të plotë të regjimit të vizave.