E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkupi bën gati heqjen e vizave

Maqedonia tërhiqet nga projekti fillestar për regjimin e vizave me Shqipërinë, duke bërë një hap më të avancuar në liberalizimin e tyre: Heqjen përfundimtare të tyre, duke bërë të mundur që qytetarët e dy shteteve përkatëse të marrin vetëm një vizë në kufi, pra të njëjtën procedurë që ndiqet edhe me Malin e Zi.

Gazeta e përditshme shqiptare "Koha", që botohet në Shkup, shkruan se gjatë javës së ardhshme do të mbahet një takim në nivel të ekspertëve dhe Maqedonia do të insistojë në heqjen e tërësishme të regjimit të vizave për të gjithë qytetarët e shteteve përkatëse, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Sipas burimeve në Ministrinë e Jashtme maqedonase, Maqedonia dhe Shqipëria do të heqin tërësisht regjimin e vizave. Mësohet se gjatë ditëve të ardhshme do të realizohet një takim ndërmjet ekspertëve shtetërorë dhe Maqedonia do të prezantojë alternativën e heqjes së tërësishme të vizave për shtetasit e të dyja vendeve pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ky propozim i palës maqedonase do të jetë në favor të të gjithëve dhe shpresohet se ai do të pranohet edhe nga pala shqiptare. Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka njoftuar se regjimi i vizave për qytetarët e Shqipërisë nuk ka ndryshuar dhe vizat vazhdojnë të merren si në të kaluarën. "Regjimi i vizave për shtetasit shqiptarë mbetet i njëjtë dhe sipas të gjitha gjasave kjo çështje do të rregullohet gjatë takimeve dypalëshe që pritet të përfundohen së shpejti. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Sasho Kokallanov, ka konfirmuar se ministritë e dy shteteve janë duke zhvilluar bisedime përmes ekspertëve të posaçëm, të cilët pritet që të harmonizojnë qëndrimet e një marrëveshjeje që do të ishte e kapshme për të dyja shtetet. Zëdhënësi Kokallanov nuk ka dashur që të komentojë rrjedhën e këtyre takimeve që zhvillohen në nivel ekspertësh dhe as njoftimin se pala maqedonase do të kërkojë heqjen e tërësishme të vizave në mes dy vendeve pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Ai u ka apeluar mediumeve që të mos spekulojnë me këtë çështje të ndjeshme deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare të ministrive respektive të punëve të jashtme.

Kryeministrat

Në muajin shkurt pritet që të zhvillohet një takim i nivelit të lartë mes kryeministrave të të dyja vendeve, përkatësisht, Sali Berisha dhe Nikolla Gruevski, në të cilin problemi i regjimit të vizave do të jetë në qendër të bisedimeve të delegacioneve. Në fakt, autoritetet maqedonase dhe ato shqiptare, pas shpërthimit të krizës në fillim të janarit, kanë tentuar të qetësojnë gjakrat, duke premtuar negociata për të zgjidhur krizën. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Menduh Thaçi, deklaroi disa ditë më parë në emisionin "Top Shoë" në "Top Channel" se nuk do të ketë viza për shqiptarët për të hyrë në Maqedoni. Zoti Thaçi theksoi se vulat përkatëse do të merren në zyrat e Ministrisë së Jashtme maqedonase, të cilat, sipas të gjitha gjasave, do të hapin zyra konsullore në vendkalimet kufitare me Shqipërinë. E njëjta procedurë do të zhvillohet edhe anasjelltas për qytetarët maqedonas, apo për shqiptarët e Maqedonisë. Polemikat mes dy vendeve nisën me shpalljen e hyrjes në fuqi të ligjit për të huajt, i cili hiqte procedurën e deritanishme të pajisjes me viza hyrëse nga autoritetet e policisë kufitare të Maqedonisë, të cilat ndodhen në pikat e kalimit kufitar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›