Kriza botërore dhe bankat shqiptare
Lajmi i krizës së jashtëzakonshme financiare të ditëve të fundit në bursat më të mëdha të globit u përcoll me shqetësim të zbutur në sistemin bankar shqiptar. Banka jonë qendrore nuk u prononcua publikisht, as edhe ndërmori ndonjë ulje të interesave të depozitave të saj pranë bankave tregtare. Edhe pse kjo krizë cilësohet si produkt i globalizimit të ekonomisë botërore, në radhë të parë të financave të saj, tallazet që e shoqërojnë kanë pak gjasa të ndikojnë në Shqipëri. Kjo dëshmon për shkallën shumë të paktë të hapjes së ekonomisë shqiptare, ndonëse ligjet duken shumë liberale te ne. Nëse kjo hapje e pakët na mbron nga pasojat e drejtpërdrejta të krizës botërore të kredive, pasoja me një kohë më të gjatë mund të duken në horizont edhe për ne. Për shembull, tregjet e lëndëve të para priten të shtrenjtohen edhe më shumë, për shkak të urisë për likuiditete (para të thata) që sjell kriza e kredive. Kësisoj do të shtrenjtohet edhe më gjatë këtij viti çmimi i naftës botërore, i grurit, miellit, orizit, fruta-perimeve që importojmë. Prej këtej duhet të presim një inflacion më të rritur. Efekti domino i krizës botërore mund të përfshijë edhe sistemin tonë të kredive, ndonëse në një masë shumë të ulur. Bankat tona tregtare po japin kredi majtas dhe djathtas dhe kjo në njërën anë i bën mirë ekonomisë sonë, pse e rrit (rriten mundësitë për punësim, për çelje biznesesh të reja, etj). Por nga ana tjetër, duhet parë mirë ritmi i kthimit të kredive. Ulja fatale e përqindjes së kredive hipotekare (për shtëpi) në SHBA për shembull (zanafilla e krizës së sotme financiare botërore) mund të detyrojë bankat shqiptare të ulin zellin e tyre kredidhënës, pse do të shtyhen gradualisht të ulin përqindjen e interesit për kreditë që japin. Masat mbrojtëse që mund të ndërmarrë Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti për të mbrojtur shëndetin e lekut munden po ashtu të zmbrapsin paksa bankat në luftën e tyre për tregje të reja kredidhënëse. Një situatë kjo që përforcon shqetësimet e specialistëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me rritjen galopante të dhënies së kredive në Shqipëri për periudhën 2006-2007, pa pasur një kundërpërgjigje të njëjtë të ritmit të zhvillimit ekonomik të vendit. Specialistët e FMN-së nuk e thanë, por sistemi kreditues shqiptar i ngjan disi atij të firmave piramidale për nga ethet e zgjerimit të portofolit të kredive të bankave (në tre vitet e fundit kredia bankare është shtuar gati dy herë). Kjo përballë një mendësie të të bërit biznes te ne që preferon arsyetimin: "Të sigurojmë paratë njëherë, pastaj për t‘i kthyer ato shohim e bëjmë". Bankat mund të ndodhen përballë ndonjë nevoje për likuiditete (para të thata) dhe mund të vihen në vështirësi. Ja përse një nga lëvizjet mbrojtëse të bankës sonë qendrore mund të jetë futja në tregun e bankave të nivelit të dytë (tregtare) të më shumë parave të thata për periudhën shkurt-mars, si kundërpritje e zhvillimeve negative të krizës botërore të kredive. Një masë tjetër e vetë bankave dhe e asaj qendrore do të ishte rritja e kontrollit dhe e kërkesës së llogarisë për klientët që kanë marrë kredi, apo për programet e reja të dhënies së kredive për këtë vit. Nëse kriza shpërtheu aq fort në bursat e Nju-Jorkut, Londrës, Parisit, Tokios e me radhë, shkak nuk ishte vetëm ulja e ritmeve të zhvillimit ekonomik të SHBA-ve, apo rënia drastike e përqindjeve të kredive të tyre për shtëpi, apo konkurrenca e produkteve nga Kina, India, Brazili e Rusia. Efekti domino i kësaj krize u sigurua nga prania në tregjet financiare të shumë kompanive të ndërmjetme që luanin me fonde abuzive apo fantazmë. Ja përse kërkesa e sotme kryesore si ilaç për krizën është një sistem financiar global, transparent dhe i këqyrur vazhdimisht prej ekspertëve. Majkëll Najt, drejtori ekzekutiv i BIS (Bankës për Zotërime Ndërkombëtare), një ndër më të mëdhatë e globit, theksoi dje se sfida kryesore e tregjeve botërore sot është "Ballkanizimi" i sistemit të rregullave, ku legjislacionet kombëtare ndërhyjnë për të fshehur dhe gjoja "mbrojtur" një pjesë të transaksioneve financiare. FMN-së i kërkohet të japë një paralajmërim botëror, sa herë vëren se ka situata në prag krizash në ekonominë globale. Po Shqipërisë dhe sistemit të saj bankar? Hë për hë, ndoshta bankës sonë qendrore mund t‘i mjaftojë objektivi i mbajtjes nën kontroll të inflacionit. Mirëpo shumë shpejt sistemi i kreditit mund t‘i ngjajë një flluske të madhe financiare (në anglisht: financial bubble), në rrezik për të plasur.