E Diel, 1 Nëntor 2026

Engjëlli shpëtimtar i Labërisë

Zona e Labërisë nga Himara deri në afërsi të Kardhiqit, nga Vlora e deri në Sarandë, është një ndër zona më piktoreske të Shqipërisë, me male, lumenj e det të jashtëzakonshëm, që po vuan pasojat e tragjedisë së të përbashkëtës. Kur tek ura e Kardhiqit merr anën e Gurrës së Picarit për në qendër të komunës, tek dëgjon gurgullimën e ujit e sheh pasqyrimin e tij të kristaltë të një dite të kthjellët fund dimri, rrethuar nga peizazhet fantastike të vargmaleve që i vijnë rrotull luginës mëmë të Drinos, sikur nuk do të pranosh, që po udhëton, në një pjesë të Labërisë, njëlloj si në Lumin e Vlorës, Lopës apo Bërncë mbi një tokë të vdekur. Toka që duhej t‘i vishte këto shpate malesh të thepisura, është zhveshur e djegur, drurët janë zëvendësuar nga gëmusha të rralla, me skeletet e zinj të mbetura pas zjarreve të njëpasnjëshme, si fantazma në shpatet të bërë copë e cikë deri në ekstrem, që u ikën toka me ritme të shpejta drejt përrenjve lumenjve e deteve, sa herë shirat e furishëm mesdhetarë përplasen me të, pasi zhegu i korrik-gushtit me zjarret pas tyre e kanë pjekur e i heqin atë pak shtresë të mbetur.

Të mbledhur për të bërë një plan si të shpëtojmë pyjet dhe kullotat që shteti ka vendosur t‘ua japë komunave, së bashku të parët e fshatrave të Picarit me ekspertë të pyjeve dhe kullotave, në kuadrin e një projekti të Bankës Botërore, debatojnë për zgjidhje si të ndalohet shkretimi, e kur flitet për investime të parët e fshatit sikur janë në garë me njëri-tjetrin, në kërkesat për të ndërtuar lera uji e mbajtur më shume dele. Po kështu, në mbledhjet e Lopësit, Arnenit, e Himarës bile edhe jashtë Labërisë në Piskovë e Ballaban.

Mbi 45 mijë dele e dhi venë e vijnë në 4500 hektarë tokë që vazhdon të quhet kullotë e pyll, ku as një e dhjeta e saj nuk punohet. Në kërkim të zgjidhjeve të mundshme dikush propozon të bëhet plehërim intensive i tokës, për të filluar të kurohet shtresa e degraduar bimore, propozim që hidhet poshtë, me arsyetimin që vonohet kullotja e bagëtive e banorëve u shtohet varfëria. Erozioni është kudo. Lëvizja intensive e kafshëve, për të gjetur atë që kanë zhdukur apo e gjuan për ta zhdukur kur tenton të mbijë, apo djegia e kësaj toke të zhveshur nga dielli e zjarri, e shpëlarja më pas nga rrebeshi i shiut, e ka reduktuar deri në ekstrem barin duke i lënë këto toka bosh e pak prodhuese sikur të jenë mbjellë me gurë e shkëmbinj të dimensioneve të ndryshme. E njëjta pamje që nga ura e Kardhiqit në Himarë e që nga Vlora në Tatzat. Tufa të pafund me dele venë e vijnë, mbi këto kopshte me gurë e shkëmbinj.

Matanë këtyre kodrave është Bashkimi Evropian, delet shohin nga qafat me habi parajsën e ndaluar plot me bar në shtetin fqinj, pjesë e së njëjtës tokë e klimë. Sa afër e larg ndihen projektet ndërkufitare, e sa e vogël shihet rrezja e veprimit të dijes, kulturës e shkollave të pretenduara

E përbashkëta njerëzore

Në këtë debat, me argumente për të shtuar edhe më tepër blegtorinë, më vjen në mendje historia e tragjedisë së të përbashkëtës. E shkruar mrekullisht nga Garrett Hardin në 1968, ajo e merr temën te një kullotë që shfrytëzohej nga banorët pa ligje, rregulla apo norma për ta përdorur atë. Ajo është e hapur për të gjithë banorët. Barinjtë shtonin vazhdimisht delet në kopetë e tyre, duke shtuar nga viti në vit edhe fitimet që merrnin nga këto kope. Të pakoordinuar në përpjekjet e tyre, dhe të pandërgjegjshëm për efektet e veprimit të tyre individuale te të tjerët, me një shkujdesje të frikshme kolektive blegtorët shkatërruan kullotën e tyre. Plotësisht e mundshme për një histori se si mund të pasuroheshin të gjithë, nëse blegtorët do të kuptonin atë që po bënin, ajo u shndërrua në një histori varfërie. Fermerët që nuk i kishin shtuar tufat e tyre, mbeten me pak dele e pa kullotë, u dogj i njomi me të thatin.
Ashtu si Hardin e quan atë në mënyrë artistike: "Në Labëri po luhet akti final i strategjisë. Çdo burrë është mbyllur në një sistem që e detyron atë të shtojë kopenë e tij pa kufij, kur jeton në një fshat malor dhe sapo ka nënshkruar marrëveshjen për kufijtë me fshatin tjetër të komunës së tij, çka i tregon se ka pak tokë, e kullotat për rreth lakmohen përgjatë dimrit edhe nga blegtorët e Gramozit, Tomorit e deri në malësitë e veriut. Rrënimi është destinacioni ku këto burra nxitojnë, secili i ndjellë nga interesi i tij, drejt më së mirës, që beson në lirinë e së përbashkëtës.

Për t‘i bindur këta burra që u duhet lënë pjesë edhe brezave të ardhshëm në Picar e Labëri, përpiqem t‘u citoj nga Kanuni i tyre ( i Labërisë) fjalët e bukura të të cilit, duket se bashkojnë luftën e pafund të këtyre malësorëve për të formuar komunitete, për të bërë pasuri e përmirësuar jetesën. Mikpritja e plot virtyte të tjera të trashëguara, vitaliteti në vargjet e ashpra të këngës bij çobanësh neve jemi, sikur e bëjnë të papranueshme termin e tragjedisë së të përbashkëtës, e përsëri duket sikur diçka ka humbur në gjysmën e shekullit të kaluar apo kurrë nuk e kemi pasur: Kur nuk janë të rregulluara të drejtat e pronësisë, qofshin këto formale apo informate - rregullatori i vetëm i përdorimit të këtyre burimeve të brishta natyrore, veprimet njerëzore çojnë në mënyrë të paevitueshme në pakësimin dhe shkatërrimin e atyre që natyra mund të japë.

A është në gjendje ky komunitet të ngrejë institucione që e frenojnë këtë dobësi njerëzore në trajtimin e së përbashkëtës. Këtu është bërë kanuni i Idriz Sulit, një kushtetutë sa e shkruar po aq dhe e pashkruar që dikur ndihmonte për t‘i vënë rregull shoqërisë. Ky popull jeton mbi e përreth floririt, mund dhe duhet të bëhet i pasur. Ky popull ka mbijetuar në prova të paimagjinueshme, ka komunikuar, njeh farefisin e të parët. Unë besoj se me intuitën e përvojën si Picari ashtu edhe komunitetet e tjera të Labërisë do i përshtaten kohës me zakonet, traditat e rregullat që duhet të kufizojnë një sjellje antishoqërore që shkatërron burimin e jetës. Është ky popull, këta njerëz që duhet të përcaktojë, zbatojë dhe të shesin e të blejë të drejtat e pronësisë mbi shpatet, gërxhet, malet e luginat e bukura të vendit të tyre. Këta banorë mund dhe duhet ta evitojnë tragjedinë e të përbashkëtës. Në të vërtetë në vend të bashkëjetesës me tragjeditë, këta burra e gra duhet të triumfojnë mbi të përbashkëtën. Ndërsa Veliu mundohet të tregojë se dikur këto vende ishin të ndara e kishin zot, rrapi ishte i Zigurit, livadhi i Gjolekës, duket se atyre të pyjores u kujton mundimet e telashet për të gjetur kufirin që nuk është përmendur që kur s‘mbahet mend të fshatit, e imagjino sa punë do të gjenden kufij të lagjes, fisit apo familjes. Duket e gjatë rruga në kërkim të triumfit perfekt e komplet. Prapë se prapë do të ngelet diçka e përbashkët e tragjeditë sikur sillen përreth.
Debati në mbledhje më duket si fillimi i një fëmijërie të tejzgjatur të një përpjekjeje për të evituar tragjedinë e të përbashkëtës, që po e le pa tokë e të ardhme Labërinë. Ndrojet e frika e këtyre burrave sikur na dëshmojnë për nivelin shumë të ulët të të ardhurave, që është bërë shkak që rinia e fshatit të mërgojë e punojë të tjera toka. Kjo të bën t‘i thërresësh mendjes për të mbledhur forcat e kaluar stadin e parë kur qeniet njerëzore nuk ia arrijnë të bëjnë shumë për të ndarë e vënë në jetë të drejtën e pronësisë e po ashtu edhe për të administruar në mënyrën e duhur atë që kanë të përbashkët. Ata janë pjesë e Labërisë, një mjedis ku të shtresuar, deformuar për mijëra arsye, përsëri zakonet e traditat e tyre janë bazë e jetës së tyre.

Është detyra e shoqërisë shqiptare e ligjvënësve, të diturve e institucioneve financiare, t‘i asistojë këta malësorë që ta kalojnë stadin e parë. Prandaj me këta burra e gra duhet bërë plani. E nëse asistohen e ndihmohen të shtojnë të ardhurat, të dalin nga pragu i varfërisë, të hapin sytë e të shohim dëmet që i bëjmë vetes nga e përbashkëta, atëherë kemi arritur në stadin e dytë. Ky është momenti kur fillojnë të vendosen gardhet, dhe fillojnë të zbatohen rregulla për të administruar të përbashkëtën. Kjo do të ndodhë kur qeveria të ketë legalizuar transferimin e këtyre burimeve te komuna e ajo t‘i ketë regjistruar këto pasuri. Komisionet me përfaqësues të fshatrave që aktualisht duket sikur po lozin kufijsh, kur firmosin në procesverbalet reciproke, do të jenë pas kësaj këshillues e asistues tek vihen gardhe elektrike me bateri diellore apo të tjera, apo tek udhëheqin turistët në shtigje për të parë peizazhet e jashtëzakonshme, e shijuar në stane mishin e hellit me pikën e parë të rakisë. Nëse kjo ndodh shpejt mund t‘i hapë rrugë stadit të tretë, kur tregjet do kenë evoluar bashkë veprimin e ligjit që do të përcaktojë sferat e veprimit privat me atë publik. Të drejtat private zëvendësojnë kontrollin publik dhe triumfi do të zëvendësojë tragjedinë e së përbashkëtës.
Jeta filloi për njerëzimin me një të përbashkët ku tragjeditë ishin të zakonshme, por edhe iniciativat për përmirësim gjithmonë shumë të fuqishme. Jashtë luftës për mbijetesë dhe për shtim të pasurisë evoluojnë tregjet, të drejtat e pasurisë e pronësisë dhe sundimi i ligjit - një triumf mbi të përbashkëtën.
Tregjet dhe e drejta e pronësisë kanë qenë gjithmonë armët e engjëllit në garë me djallin e kërkesën e tij për rishpërndarje të pasurisë. Po kështu, mbështetësit e institucioneve të tregjeve e të pronave, në polemikën e vazhdueshme me mbështetësit e rishpërndarjes. Veprimet për rishpërndarje të pasurisë kanë pasur kosto shumë të lartë shoqërore në Shqipëri. Ata e ushqyen ndjenjën e ruajtjes së pronës dhe krijimit të pasurisë dhe shkrirja nuk po vjen ende pas dy dekadash. Është kjo që e konverton triumfin në tragjedi. Është një "engjëll" që mund ta shpëtojë tokën e përbashkët të Labërisë nga tragjedia. Ky engjëll lufton kundër së keqes me dy armë të fuqishme "të drejtën e pronës mbi pyllin e kullotën" dhe "tregun". Bijtë e Labërisë mundet dhe do ta evitojnë tragjedinë e së përbashkëtës. Por që kjo të realizohet kërkohet vullnet e dije, por edhe ndihma e engjëllit me dy armët e tij të shenjta, të drejtën e pronësisë dhe tregjet, të cilat duhet të mbrohen nëse do të duam që të jetojmë në begati e në triumf.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›