Prapë OSBE-ja
Nga Shkodra, shefi i misionit të OSBE-së në Shqipëri na përsëriti mësimin e radhës për "nxënësit" e pandreqshëm, sipas tij të elitës politike shqiptare. Ai, ashtu si edhe paraardhësi i tij, nuk ngurroi të na mësojë se cilin sistem zgjedhor duhet të vendosim, pasi padituria jonë elektorale vazhdon dhe ky misionar merr përsipër të japë "urdhrin" diplomatik, që zgjidh nyjen gordiane. Pa asnjë mëdyshje, pozicionimi dhe deklarata e zotit Robert Bosch përbën një guxim të tepruar diplomatik, i cili është jo pa ndikim në klimën e nxehtë politike që ka përfshirë palët lidhur me diskutimin për reformën zgjedhore. Ky tejkalim që ai bëri me pozicionimin e tij, mund të ketë mjaft arsye, por ai mbetet i pajustifikuar dhe nuk mund të bindë me asnjë argument me këtë këshillë të panevojshme të tij. Edhe misionari i lartë i OSBE-së nuk arriti t‘i shpëtojë sindromit të vjetër të ndërhyrjes vend e pa vend në debatet e brendshme që ka politika shqiptare, duke e akuzuar tërthorazi atë si të pamaturuar e të paaftë për të zgjidhur problemet me të cilat ndeshet. Ky obsesion i brendshëm i tij e çon në atë shkallë ku ai merr iniciativa të tilla të tejkaluara në kohë, për të dhënë sugjerime e këshilla, që jo vetëm nuk konsiderohen si të nevojshme, por e komplikojnë edhe më shumë situatën dhe sfondin ku ka hyrë diskutimi elektoral. Aq më shumë që kjo ndërhyrje pa vend sjell ndikime jo të vogla dhe nuk premton të zgjidhë asgjë, përveç faktit se prish balancat e brishta të politikës sonë. Ai nuk u thirr për ndihmë për të zgjidhur një situatë bllokuese, kësisoj Bosch është futur shumë para kohe në lojë dhe në një moment krejt të papërshtatshëm. Paragjykimi për klasën tonë politike vazhdon me sa duket të jetë akoma prezent në sytë e mjaft diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët nuk arrijnë të lexojnë drejt një emancipimi jo të vogël të saj. Politika shqiptare, vitet e fundit, ka dëshmuar jo pak herë aftësinë për të gjetur konsensus e për të marrë vendime politike, të cilat nuk kanë më nevojë për arbitra e regjisorë ndërkombëtarë. Referenca e fundit vjen nga reforma në drejtësi, ku aktorët më të rëndësishëm politikë në vend u dakorduan pa qenë nevoja e vendosjes së urave të bashkëpunimit nga të huajt e "rëndësishëm". Me sa duket zoti Bosch nuk e ka evidentuar këtë zhvillim politik, ose më keq se kaq, nuk e ka konsideruar të rëndësishëm për ta marrë si pikë kohezive bashkëpunimi të politikës së sotme shqiptare. Në këtë këndvështrim, ora e ambasadorit ka ngecur në vitet e tensioneve e të përplasjeve të pafund, kur edhe për gjërat më të vogla për të zgjidhur duhet të merrnim bekimin ndërkombëtar dhe zgjidhjet e ofruara nuk është se sollën gjithnjë efektin e pritur. Diku, në zyrat e kësaj organizate mori jetë edhe "Dushku", i cili kur i dha pasojat na u faturua plotësisht ne dhe ata mbetën dorëjashtë e papërgjegjësi. Nëse misionit të OSBE-së çdo ditë e më shumë po i ngushtohen hapësirat e punës në Shqipëri, si pasojë e pjekurisë dhe e maturimit të elitës sonë politike dhe zhvillimeve demokratike në vend, diplomatët nuk mund të kërkojnë me çdo kusht tema justifikuese për të bindur për domosdoshmërinë e ekzistencës e të mbijetesës së tyre këtu. Stadi i zhvillimit të Shqipërisë dhe i parametrave demokratikë nuk e bën më të domosdoshëm rolin e vëzhguesve e të trajnuesve në disa raste minorë, për të cilat kujdeset OSBE-ja dhe disa organizata të tjera që japin mësime shumë të tejkaluara në kohë. Një brez i tërë të shkolluarish në Perëndim por edhe në Shqipëri, jo pak herë bezdisen nga disa leksione e këshilla aq larg realitetit, por edhe kulturës e formimit të tyre.
Por edhe në planin diplomatik, ndërhyrja e zotit Bosch dhe këshilla e tij janë jo vetëm komprometuese për profilin që ai ka, por edhe jo shumë të gjetura të justifikuara. Ka një tejkalim të ndjeshëm të rolit dhe të misionit që përfaqëson, me ndërhyrjen krejt të hapur në lidhje më përcaktimin për sistemin zgjedhor. Në praktikën diplomatike është e patolerueshme jo vetëm ndërhyrja, por mbi të gjitha edhe mbajtja e anësisë, kur dihet se palët e përfshira në debatin publik i kanë shfaqur hapur prirjet dhe sensibilitetet e tyre. Pozicionimi i tij i hapur në krah të një opsioni, pavarësisht se me çfarë argumentesh mbrohet e me çfarë të tjerash hidhet poshtë, është jashtë rolit që ka OSBE me praninë e saj të zgjatur në Shqipëri. Sigurisht që është krejtësisht edhe jashtë rolit të përfaqësuesit më të lartë të saj të akredituar këtu, i cili më shumë se kujtdo i kufizohet e drejta për të bërë publike dijenitë apo këshillat e tij. Ashtu siç pritej, ato në vend që të bëheshin siç mund të ketë menduar Bosch, trase e zhvillimit të reformës, e ndezën edhe më shumë debatin dhe sollën pikëpyetje edhe më të mëdha për rolin gjithnjë e më të konsumuar që po luan prej kohësh OSBE. Shqipëria ka dëshmuar se është në një stad të tillë, ku investimi politik bëhet jo aq për të rritur kredencialet përpara faktorit ndërkombëtar, se sa për të ndikuar në opinionin e zhvillimet e brendshme, për të rritur besueshmërinë ndaj atyre që i votojnë më shumë, se ndaj atyre që i trajtojnë si nxënës të zellshëm e të mirë. Këshilla e dhënë nga Shkodra e ambasadorit merr një inflacion politik edhe në një plan tjetër. Me gjithë garancinë që ai përpiqet të japë, diplomati harron me sa duket që në shtetin e ri të Kosovës ishte pikërisht OSBE ajo që vendosi standardin e zgjedhjeve me lista të hapura, pas dy edicioneve elektorale me lista të mbyllura. Nuk e di se si mund të ndihej zoti Bosch në rast të një ballafaqimi publik për këtë problem, se çfarë argumentesh mund të jepte ai se përse në Kosovë OSBE kërkoi të votohej me lista të hapura e në Shqipëri rekomandon të kundërtën, madje duke e vendosur si një standard dhe opsion të panegociueshëm. Nuk dua të hyj aspak në përparësitë e njërit apo tjetrit sistem, por ajo që më intrigoi për të reaguar ishte pikërisht ndërhyrja e pavend e një diplomati të lartë dhe atributet që merr përsipër. Atribute që ai nuk i ka dhe që në momentin që i demonstroi komprometojnë procesin, i cili ka hyrë në fazën e një diskutimi që është mjaft përcaktues. Tejkalimi që i bëri statusit të tij lidhet edhe me një moment tjetër. Çështja e reformës zgjedhore vazhdon të mbetet një diskutim mediatik dhe jashtë institucioneve, pasi akoma nuk kemi një ballafaqim të alternativave në komisionin i ngritur për këtë qëllim. Duke qenë se vazhdojmë të jemi në ditët e debatit mediatik dhe nuk është kërkuar asistenca e institucioneve të specializuara dhe ekspertëve të kësaj fushe nga OSBE-ODIHR, iniciativa për të klasifikuar si të mirë një sistem dhe perifrazuar një tjetër si problemor, tregon se rreshtimi në krah të një grupimi politik sjell të argumentuar dyshimin për pavarësinë dhe objektivitetin në gjykim të institucionit që duhej të ketë kredenciale të besueshme për të qenë referent dhe se ato janë apo jo institucionale. Një diskutim jashtë institucioneve, më shumë se në asnjë rast tjetër nuk duhet të marrë vëmendjen dhe angazhimin e një përfaqësuesi të tillë. Në kohën e diskutimit brenda institucioneve, ekspertët janë ata që mund të thirren në "ndihmë" dhe kurrsesi një ambasador, aq më shumë kur atij edhe etika diplomatike ia ndalon një gjë të kësaj natyre.
Me prononcimin e tij të pavend dhe jashtë profilit e standardit që ka një diplomat i një përgjegjësie të lartë, Robert Bosch pa dashje ka vënë në pikëpyetje jo vetëm legjitimitetin e sugjerimeve dhe të asistencës së misionit që përfaqëson, por edhe nevojën që ka Shqipëria për t‘u observuar në çdo sjellje të saj politike nga organizata që po e konsumojnë përfundimisht misionin e tyre. Shqipëria është një standard tjetër nga ai i shumë viteve më parë dhe disa këshilla në mos qofshin të vonuara në kohë, janë të panevojshme, pasi mjaft nga punët e këtij vendi po i zgjidhim vetë dhe mirë madje.