Erestina Halili: PDK, të hartohen akte nënligjore kundër dhunës në familje
Grupi parlamentar i PDK-së do t‘i kërkojë Kuvendit të ndikojë fuqishëm te qeveria për hartimin e akteve nënligjore kundër dhunës në familje. Kjo është bërë e ditur dje nga zëdhënësja politike e PDK-së, Erestina Halili. Gjatë një konference për shtyp, Halili ka theksuar se PDK-ja është pro çdo nisme ligjore dhe civile, që do të frenojë dhe çrrënjosë dhunën në familje. Sipas saj, PDK-ja vëren me shqetësim se kohët e fundit është rritur ndjeshëm dhuna në familje, e pasqyruar kjo jo vetëm në dhunime fizike, sidomos ndaj grave, por deri edhe në vrasje. Situata duket qartazi sesa vjen dhe rëndohet, duke reflektuar një traumë mjaft të rëndë të shoqërisë shqiptare, ndërkohë që PDK-ja në programin e saj politik dhe elektoral e konsideron familjen të shenjtë. Dhuna në familje, tha zëdhënësja Halili, është tronditëse jo vetëm në planin moral dhe etik, por edhe në planin edukues, pasi ajo ndikon negativisht edhe në psikologjinë e fëmijëve, ndaj PDK-ja, nëpërmjet grupit të saj parlamentar, do të kërkojë që Kuvendi të ndikojë fuqishëm te qeveria që të hartohen aktet nënligjore, të cilat e bëjnë të zbatueshëm ligjin kundër dhunës në familje. "Megjithëse ka një vit që ligji kundër dhunës në familje është miratuar nga Kuvendi, ai deri më tani është i pazbatueshëm, pasi mungojnë aktet nënligjore", është shprehur Halili. Gjithashtu, ajo ka theksuar se PDK-ja do t‘i kërkojë qeverisë që të sjellë me procedurë të përshpejtuar në Kuvend aktet nënligjore, me qëllim që të marrë fund spiralja e dhunës në familje.