E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i malit rrezikon digën e Komanit

Hidrocentrali i Komanit që është dhe prodhuesi më i madh i energjisë në vend rrezikon të dalë jashtë pune kësaj radhe jo nga mungesa e ujit, por për faktin që masivi malor ku është mbështetur diga ka pësuar një çarje nga faktorë natyrorë, duke rrezikuar kështu që kjo pjesë gjigante mali rreth 7500m2 të bjerë mbi digë. Por KESH-i duke parë situatën alarmante ka ndërhyrë me emergjencë jashtë çdo planifikimi me një fond prej rreth 1 milion eurosh dhe me intensitet ka nisur puna për meremetimin e kësaj çarjeje mali.

Në hidrocentralin e Komanit, prej disa ditësh, KESH-i ka nisur një investim kolosal të paparashikuar në projektet e tij me një fond 1.2 milionë euro. Bëhet fjalë për rregullimin e çarjes së masivit malor ku mbështetet pjesa e majtë e shpatullës së digës.

Çarja e këtij masivi gjigant malor që arrin deri në 7500m2 është bërë nga faktorë natyrorë, por kjo sipas specialistëve është provokuar nga gërryerjet që i janë bërë këtij masivi për të marrë material në kohën kur është ndërtuar hidrocentrali, pasi gërryerjet janë bërë në formë shpërthimi me eksploziv, duke i dëmtuar kështu dhe pjesën mbështetëse të digës me kalimin e viteve kjo pjesë e masivit është degraduar deri në çarje.

Kjo pjesë mali, e cila është çarë është mjaft e rrezikshme, pasi nëse do të shkëputet e të bjerë mbi digë, atëherë hidrocentrali i Komanit automatikisht del jashtë pune. Duke parë këtë situatë alarmante, KESH-i pa hezituar jashtë çdo planifikimi me iniciativën e vet në mënyrë urgjente hartoi projektin dhe me një oponencë nga specialistë të kësaj fushe ka miratuar në këshillin kombëtar të digave procedurat për meremetimin e kësaj shpatulle që rrezikonte të bllokonte prodhimin në Hidrocentralin e Komanit. Duke folur për "Shqip", drejtori i Digave të Shqipërisë, Fatos Zebi, shprehet "meremetimi i masivit malor do të bëhet në dy faza. Faza e parë ka nisur dhe ka të bëjë me vendosjen e pllakave të betonit në gjithë shtrirjen e masivit; në fazën e dytë do të bëhet mbushja me beton mes hapësirës që krijohet te pllakat e betonit e masivit malor dhe do derdhen rreth 4800m2 beton. I gjithë ky meremetim do të zgjasë deri në fillim të muajit mars të vitit 2008. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë situate për momentin është krejtësisht nën kontroll gjithçka po ecën sipas parashikimeve". Duke folur dhe për investimet në diga, drejtori i digave, Fatos Zebi, shprehet se në digat e hidrocentraleve shqiptare janë bërë një sërë investimesh bashkëkohore nga KESH si janë rehabilituar digat e Hidrocentraleve të Fierzës, Vaut të Dejës, Shkopetit, Bistricës, Matit dhe aktualisht po punohet në digën e Komanit. Madje, në këtë hidrocentral janë rehabilituar pajisjet e dy transformatorëve dhe disa pajisje kryesore të këtij hidrocentrali, si dhe janë bërë ndërhyrje në riparimin e tarracës së godinës. Të gjitha këto investime në digat e hidrocentraleve të Shqipërisë kapin shifrën e rreth 90 milionë eurove dhe në këtë kontekst, KESH nuk duhet parë si një ndërmarrje që punon nga një prodhim energjie që nuk ka kosto", është shprehur drejtori i Digave të Shqipërisë. Ndërkohë, me reshjet e shiut dhe të dëborës ditët e fundit situata e nivelit të ujit në hidrocentralet më kryesore në vend është përmirësuar ndjeshëm.

Specialistët më të mirë do të merren me rregullimin

Që nga ndërtimi i Komanit në 1985,

nuk është bërë asnjë investim

Drejtori i Digave të Shqipërisë, Fatos Zebi, shprehet se "ndërhyrja është mjaft delikate dhe e vështirë dhe drejtimi i punimeve po bëhet nga specialistë më të mirë të KESH-it, të cilët kanë eksperiencë në punë, madje disa prej tyre kanë marrë pjesë dhe në ndërtimin e hidrocentralit të Komanit. Duke shpjeguar vështirësinë në ndërhyrje në këtë masiv malor, specialisti i digave, Fatos Zebi, shprehet se "masivi malor për të cilin po flasim është një formacion gëlqeror tepër i dobët ndaj dhe situatën e kemi parë si emergjente dhe kemi ndërhyrë në kohë rekord. Nëse do ta kishin lënë në dorë të faktorëve natyrorë, pasoja do të ishte tepër e madhe, pasi i gjithë masivi gjigant malor do të binte mbi digë duke dëmtuar tërësisht atë dhe Komani do të dilte jashtë pune. Po të ndodhej një gjë e tillë do të duhej që të boshatisej i gjithë liqeni për të kthyer situatën në normalitet për të mos folur pastaj për krizën energjetike që do të ishte krijuar në vend. Pastaj duhet theksuar se që nga koha kur është ndërtuar kjo vepër është ndërhyrja e parë meremetimi që i bëhet digës së Komanit. Por ajo që e ka dëmtuar masivin malor është që nga koha kur është ndërtuar, pasi në pjesën e pasme të masivit malor janë kryer shpërthime me eksplozivi për të nxjerrë gurë për ndërtimin e hidrocentralit. Nga eksplozivi ka marrë kolpo masivi malor që shërben si mbështetje për digën. Që nga koha kur është ndërtuar, kanë kaluar 22 vjet dhe të ndikuar nga faktorë natyrorë erë e shi masivi malor ka degraduar deri në atë masë që aktualisht është duke rënë", shprehet specialisti i digave, Fatos Zebi.

Hidrocentrali i Komanit për nga madhësia fizike është hidrocentrali i dytë në vend pas Fierzës, por për nga prodhimi i energjisë. Ai është prodhuesi më i madh në vend me 600 mijë KW dhe pas tij vjen Fierza me 500 KW e Vau i Dejës me 250 mijë KW. Hidrocentrali i Komanit është ndërtuar në vitin 1985 dhe u klasifikua si një ndër veprat më të mëdha në vend dhe ndryshe nga veprat e tjera të modelit kinez apo rus. Hidrocentrali i Komanit ishte i një modeli e teknologjie perëndimore e konkretisht si ajo e tipit francez. Ndërtimi i Hidrocentralit të Komanit është bërë me punë vullnetare ashtu dhe me punë të detyruar nga persona që ishin të internuar apo vuanin dënimet në burgje. Në këtë vepër madhështore kanë dhënë jetën në punë shumë njerëz që nga inxhinierë e deri te dënuarit ku numërohen rreth 36 viktima.

Hidrocentrali Fuqia prodhimi(max) Kuota Prurjet pika e vdekjes

Komani 600 mijë KW 171,10m 110m3/s 160m

Fierza 500 mijë KW 282,33m 225m3/s 245m

Vau i Dejës 250 mijë KW 74,09m 90m3/s 54m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›