Kukës, arrestohet vrasësi i gruas
Pa kaluar një javë nga vrasja makabre e gruas së tij, Dan Hudra ka rënë në pranga, ndërsa udhëtonte pikërisht për t‘iu shmangur arrestimit. Ai kishte marrë autobusin e linjës Durrës-Kukës dhe për të humbur gjurmët ishte sjellë si një pasagjer krejt normal, por policia e informuar më përpara për lëvizjen e tij, ia ka ndërprerë udhëtimin.
Dje, forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës kanë vënë në pranga 25-vjeçarin Dan Hudra, i cili kërkohej nga blutë i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur një javë më parë në Tiranë. Pas të dhënave të siguruara në rrugë operative nga policia kriminale e Kukësit mbi vendndodhjen e shumë të kërkuarit Hudra, menjëherë është organizuar një operacion i koduar "gracka", të cilin e ka kryesuar vetë drejtori i policisë së Qarkut Kukës, nënkomisar Muharrem Furriku, i emëruar në këtë detyrë vetëm një javë më parë.
Në operacion janë angazhuar dhjetëra forca policie të përqendruara në afërsi të fshatit Kalimash, rreth 20 kilometër larg qytetit të Kukësit, në aksin rrugor Kukës - Qafë-Shllak. Burime pranë policisë Kukës thanë se informacioni dhënë nga agjentë të policisë kriminale të Kukësit ishte i sigurt se 25-vjeçari ndodhej në autobusin e linjës Durrës-Kukës dhe kishte për qëllim t‘i shmangej kërkimit nga policia e kryeqytetit, ku dhe kishte bërë vrasjen një javë më parë, duke u fshehur në fshatin e lindjes, Kalimash. Burimet sqaruan se operacioni i bazuar në të dhënat e sigurta nuk i ka dhënë mundësi reagimi ndaj bluve të operacionit, të cilët dje rreth orës 14.45 në afërsi të Kalimashit kanë ndaluar autobusin e linjës Durrës-Kukës dhe menjëherë kanë bërë arrestimin e 25-vjeçarit, të cilin e kanë shoqëruar për në dhomat e paraburgimit Kukës.
Hudra kërkohej nga policia e Tiranës për vrasjen e bashkëshortes Dafna, 22 vjeçe, nga Burreli, të cilën e kishte therur me thikë. Menjëherë pas krimit ai është larguar me shpejtësi, duke arritur përkohësisht t‘u shpëtonte prangave, por jo për shumë kohë. Udhëtimi me autobusin e linjës, për t‘u fshehur në fshatin e tij të lindjes apo diku tjetër, ka qenë i fundit i bërë në liri për 25-vjeçarin.