Nishani: Zbuloni armët në Tiranë
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë fjalës në analizën vjetore të Policisë së Tiranës, i kërkoi kësaj të fundit zbulimin e armëve që "fshihen" në Tiranë. Ai tha se parandalimi i këtij fenomeni mund të sjellë pakësimin e krimit në familje. Ndërkohë, të ftuar në këtë analizë vjetore ishin edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, si dhe përfaqësues nga zyra e Avokatit të Popullit, si dhe të ftuar nga misionet e huaja që asistojnë në polici. Në fillim të analizës, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka prezantuar strukturën e re të krijuar, e cila aktualisht është në fazë implementimi. Ajo do të ketë në përbërje Drejtorin e Policisë së Qarkut, si dhe tre zv/drejtorë. Për sa i përket hetimit të krimeve me strukturën e re janë shtuar: sektori kundër krimeve të rënda, seksioni kundër korrupsionit, i krimeve seksuale dhe lirisë së personit, seksioni kundër vjedhjeve me dhunë, armë dhe të shkatërrimit të pronës, seksioni kundër vjedhjeve të automjeteve; seksioni i mbrojtjes së të miturve dhe dhunës në familje, si dhe sektori i operacioneve speciale dhe kërkimit.
Statistikat
Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, për vitin 2007 janë evidentuar dhe referuar 3717 vepra penale dhe janë zbuluar 3102 prej tyre, ose në masën 83%. "Duke i krahasuar me dy vitet e mëparshme, forca zbuluese ka qenë në masën e 65%, që do të thotë se aktualisht kemi një rritje të forcës zbuluese respektivisht në masën 18%", tha Rrumbullaku. Sipas tij, kanë implikuar gjithsej 3685 autorë dhe në sajë të masave të marra janë arrestuar 1145, ndërsa 2364 ndiqen në gjendje të lirë. "Strukturat menaxhuese dhe operuese të policisë së kryeqytetit kanë goditur 58 grupe kriminale me rrezikshmëri të theksuara shoqërore", tha Rrumbullaku. Sipas tij, për t‘u theksuar është rritja e cilësisë së çështjeve në ndjekje, duke aplikuar me sukses metodat speciale të hetimit për zbulimin dhe goditjen në thellësi të grupeve kriminale.
Ngjarjet e vjetra dhe vrasjet
"Është kryer referimi në prokurori dhe kanë rifilluar hetimet për 31 ngjarje të rënda, sikurse janë: 24 vrasje dhe vrasje në tentativë dhe 7 vjedhje me armë e dhunë etj., të mbartura nga viti 1991 e në vazhdim. Mbi këtë bazë, është bërë e mundur zbulimi dhe goditja e autorëve për 10 vrasje dhe 2 vrasje të mbetura në tentativë dhe 6 vjedhje me armë e dhunë të mbartura nga viti 2006", tha Rrumbullaku. Ai tha se përgjatë vitit 2007, në territorin e Tiranës janë evidencuar gjithsej 2910 vepra penale dhe janë zbuluar 2295 prej tyre, ose 79%.
Për sa i përket vrasjes, drejtori i Policisë së Tiranës tha se vrasje me dashje kanë ndodhur 19 dhe janë zbuluar 17 prej tyre. Ndërsa vrasje të mbetura në tentativë kanë ndodhur 79 dhe zbuluar 78. Rrumbullaku tha se krime seksuale kanë ndodhur 28, ndërsa janë regjistruar 75 vetëvrasje: me armë zjarri 12, me varje 19, me helmim 23, me mbytje 2, overdozë 3 dhe me mjete të tjera 16.