E Diel, 1 Nëntor 2026

Zona e Fierit, rrezik për sëmundjet

Prej vitesh ata vuajnë impaktin negativ që sjell niveli i lartë i ndotjes në zonën ku dhe banojnë. Ndërsa përherë është folur për trajtim të veçantë të banorëve të zonave të ndotura, asnjëherë nuk është shënuar zgjidhja përfundimtare e tyre. Ndërsa mjekja e zonës pohon për "Shqip" se edhe malinje të ndryshme e mjaft të rrezikshme janë shfaqur dukshëm në banorët e kësaj zone. Gjatë paradites së shtunë ka nisur një projekt holandez për rehabilitimin e shëndetit të banorëve të zonën naftëmbajtëse dhe naftënxjerrëse të Marinëz. Ermelinda Avdullaj ka pak kohë që është emëruar mjeke në qendrën shëndetësore të fshatit Marinëz, një fshat ky me më shumë se 5 mijë banorë. Mjekia Avdullaj ka thënë për gazetën "Shqip" se "vetëm gjatë vitit 2007 numri i vizitave të përditshme për banorët e kësaj zone është rritur ndjeshëm dhe sëmundjet e tyre për herë të parë gjatë vitit 2007 janë shfaqur mjaft të rënda dhe në një shkallë shumë të rrezikshme për jetën". "Përveç sëmundjeve si fenolet në gjak, zmadhim mëlçie, sëmundjet në aparatin tretës dhe atë të frymëmarrjes gjatë këtij viti kemi pasur edhe pacientë që nga ndotja kanë marrë malinje të rrezikshme e që jeta e tyre është me të vërtetë në rrezik. Janë më shumë se 12 raste të tilla që kanë alarmuar banorët e zonës, por përpara një niveli të lartë ndotjeje nuk mund të ndërhyhet në shëndetin e tyre nëse nuk ndërhyhet në mjedis. Ndryshe nga qendrat e tjera shëndetësore në Rrethin e Fierit, Marinza shënon e regjistron numrin më të lartë të të sëmurëve dhe bashkë me to edhe të vizitave", thotë për "Shqip" mjekja Avdullaj. Banorët kanë vite të tëra që vuajnë nga sëmundjet profesionale. Regjistrojnë me dhjetëra herë shtrime dhe trajtime mjekësore jo vetëm në shtëpi, por edhe në spital, por asnjëherë, sipas tyre, nuk ka pasur trajtim të veçantë në mjedis, në ushqim, apo dhe në pagë për ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›