Kërcënohen prokurorët e Lul Berishës
Shërbimi Inteligjent Shqiptar (SHISH) ka paralajmëruar Policinë e Shtetit të përforcojë masat mbrojtëse të trupës së prokurorëve që kanë hetuar bandat e Durrësit, pas një informacioni në mënyrë operative për kërcënimin e tyre. Pas kësaj, forca të RENEA-s shoqërojnë për çdo ditë prokurorët e çështjes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si dhe gjatë proceseve gjyqësore në gjykatë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Brendshme. Sipas saj, SHISH, tri ditë më parë, nëpërmjet një shkrese të rezervuar ka njoftuar drejtuesit e policisë dhe prokurorisë për rrezikun që i kanoset trupës së prokurorëve dhe marrjen e menjëhershme të masave parandaluese. Nga ana e policisë, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë shtuar forcat mbrojtëse nga reparti RENEA, të cilët monitorojnë dhe kontrollojnë çdo lëvizje të prokurorëve. Masat mbrojtëse kanë ardhur pas një mbledhjeje të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë verifikuar informacionet e ardhura nga SHISH. Këta të fundit, duke mos dashur të japin informacionet, janë rezervuar në dhënien e informacioneve. Ata mjaftohen se "kemi informacione për kërcënime ndaj trupës së prokurorëve që gjykojnë bandat e Durrësit". Për këto banda, ka filluar procesi gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pas disa muaj hetimesh të hollësishme nga prokuroria. Kjo e fundit, duke u bazuar në dëshminë e të penduarit Adriatik Coli ka zbardhur të gjithë anëtarët e bandave të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle. Të pandehurit, tashmë po gjykohen në gjykatë. Pothuajse në çdo seancë gjyqësore, trupa e forcave të RENEA-s që mbrojnë të arrestuarit dhe prokurorët sa vjen e shtohet. Madje, gjykata blindohet nga forcat e policisë, të cilët nuk lejojnë asnjë lloj qarkullimi në afërsi të vendit ku po kryhet procesi. Kjo, pasi disa herë SHISH ka paralajmëruar policinë se anëtarët e bandave janë të kërcënuar nga disa persona. Gjithsesi, burimet nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e trupës së prokurorëve nga çdolloj rreziku. Madje, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme konfirmojnë se kanë marrë masat parandaluese edhe ndaj të arrestuarve që po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas tyre janë shtuar forcat speciale në çdo kënd në gjykatë.
I penduari
"800 mijë euro për
kokën e Lul Berishës"
Dëshmia e Colit: Vrasja, në të dyzetat e Klodian Saliut
I penduari i organizatave kriminale të Durrësit, Adriatik Coli, ka treguar detajet e tentativave për vrasjen e Lulëzim Berishës. I pyetur nga hetuesit e çështjes, për trafikun e lëndëve narkotike, Coli është shprehur se një pjesë e mirë e tyre janë shpenzuar për ekzekutimin e Berishës, i "akuzuar" nga banda e Indrit Dokles si përgjegjësi për vrasjen e Klodian Saliut. Pikërisht në të dyzetat e Saliut ishte thurur plani për ekzekutimet, të cilat dështuan. Hetuesit e çështjes thanë se dëshmia e të penduarit mund të ndihmojë hetuesit e çështjes për zbardhjen e të tjerave ngjarje kriminale në qytetin bregdetar.
Indrit Dokle, pas vrasjes së Klodian Saliut, mori "frenat" e bandës, duke rekrutuar disa vrasës me pagesë, të cilët ndërmorën një sërë iniciativash për ekzekutimin e Berishës. "Vrasjet e shumta në qytetin e Durrësit midis bandës së Lul Berishës dhe Indrit Dokles kanë ardhur si pasojë e trafikut të drogës", thanë burimet nga akuza.