E Diel, 1 Nëntor 2026

"Eshtrat e dashura" të Alice

Dashurinë e ndan vetëm një fije e hollë nga urrejtja. Alice ka provuar se si ndjenjat e saj më të bukura për dikë janë kthyer në një moment në një fuqi torturuese brenda saj. Gruaja që sapo ka kaluar të 40-at, me flokët e prerë shkurt dhe sytë thellësisht të zinj, nuk është më një personazh i panjohur. Që kur publikoi romanin "Eshtrat e dashura", i cili vetëm në SHBA u shit mbi 5 milionë kopje, ajo vijon të jetë një grua interesante, dhe pse jo e mistershme për këdo që ka lexuar librin e saj. I botuar në 40 vende (mes tyre dhe Shqipëria), ky roman mund të quhet një ndër best seller-at e vitit 2007. Romani tregon për një 14-vjeçare, e cila përdhunohet dhe vritet. Alice ndërton gjithë romanin nën rrëfimin e kësaj vajze, e cila nuk jeton më, por që riprodhon gjithë jetën e saj. Por përse një roman mbi vdekjen? "Të vdekurit nuk vihen re kur largohen, atëherë kur zgjedhin të largohen. S‘ka si të jetë ndryshe. Më e shumta është se mund t‘i ndjeni ata si pëshpërimë apo valë pëshpëritjesh duke valëzuar poshtë. Do t‘i krahasoja me një grua që ndodhet në fund të një salle leksioni apo teatri, të cilën askush nuk e vëren deri sa del që andej. Pastaj vetëm ata që janë në prag vetë, si gjyshe Lini, e vërejnë këtë. Për të tjerët është si një puhizë e pashpjegueshme në një dhomë", shkruan Alice në një pasazh të romanit "Eshtrat e dashura".

E ndodhur në New York, në një festival letërsie, Alice u shpjegon gazetarëve se e shkruara nuk kishte qenë rastësi në jetën e saj. Mamaja e saj kishte qenë një grua që gjithnjë kishte ëndërruar të ishte një shkrimtare dhe e vetmja gjë që mendonte gjatë adoleshencës ishte të plotësonte ëndrrën e saj. "Gjithçka ndodhi aq lehtë", tregon Alice. "Rrëfimet e para sa vinin e bëheshin më të gjata dhe filloi të më pëlqente të krijoja histori". Por të jesh një shkrimtare nuk është diçka e lehtë.

Fytyra e kësaj gruaje merr një tis trishtimi kur kërkon ta pyesësh për kohën që i ka marrë libri "Eshtrat e dashura", apo përse ka krijuar këtë histori dhe jo një tjetër?

"Të gjithë ne kemi dhembjet tona të mëdha, të cilat i tregojmë nëpërmjet gjërave që dimë të bëjmë më mirë", thotë Alice, duke treguar se këtë libër ia dedikon një gruaje që e njeh aq mirë, dhe ajo është mamaja e saj. Por çfarë ka shkruar kritika për këtë libër?

Michael Chabon shkruan se "Eshtrat e dashura" është një nga përvojat më të çuditshme që kam lexuar, qysh prej një kohe të gjatë dhe një nga më të paharrueshmet. I dhembshëm, gazmor, tmerrësisht i trishtë, ai është plot fantazi dhe një homazh me forcën shëruese ndaj fatkeqësisë". Ndërsa Amy Bloom thotë: "I vendosur në qiell, aq real dhe i mundimshëm sa edhe në tokë. ‘Eshtrat e dashura‘ është i mistershëm dhe lëvizës. Ai eksploron me afeksion e me një sy të qartë dhe të mençur romancën e jetës familjare, turpin, turbullimet e këndshme të adoleshencës dhe kurthet e dhimbshme të dashurisë dhe të humbjes që ndodhin në këtë botë tonën". Por lidhjet e Alice me letërsinë nuk nisin me "Eshtrat e dashura". Ajo ka botuar kohë më parë romanin "Fat", një roman i ngjashëm me zgjedhjen që ajo bën tek "Eshtrat".

Në një intervistë dhënë Ann Darby, Alice thotë se "e shkrova ‘Eshtrat e dashura‘ duke u nisur nga një eksperiencë e imja, dhe si grua besoj se dhuna nuk duhet të ekzistojë përderisa nuk është normale. Por përderisa është pjesë e jetës, ne duhet të tregojmë anët negative të saj". Tashmë regjisori Peter Jackson është duke realizuar një film mbi këtë histori, film i cili do të mbarojë më 2009-ën. Por kjo histori kaq rrëqethëse do të sillte fat në jetën private të shkrimtares. Teksa punonte për të ndërtuar këtë libër, ajo takohet me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Glen David Gold, me të cilin u martua më nëntor të 2001.

Brenda një romani mund të fshihen disa histori. Ndërsa Alice tregon se "Eshtrat e dashura" është një histori fryt i fantazisë, sigurisht duke u nisur nga eksperienca e saj me dhembjen. Glen i ka thënë medias se Alice nuk e ka harruar asnjëherë aksidentin që ka ndodhur me të gjatë adoleshencës. Por Alice nuk do të flasë për gjëra që kanë ndodhur dikur, dhe pse ato mund të jenë gjithnjë një inspirim për të shkruar. "Unë u besoj ditëve të reja që vijnë dhe shpresoj që çdonjëra prej tyre të jetë e mbushur me dashuri", thotë ajo.

Po jo vetëm Glen, por edhe kritika nuk mund ta lejë jashtë një libri historinë e vërtetë të Alice Sebold, histori të cilën ajo e ka shtjelluar mirë në romanin "Fat". Kur ajo ishte 18 vjeçe, studente e vitit të parë në Syracuse, u sulmua dhe u rrah brutalisht nga një i panjohur në një park. Pas aksidentit ajo u kthye në banesën e saj dhe shoqet që e panë në atë gjendje thirrën menjëherë në telefon ambulancën. Vetëm disa muaj pas kësaj ngjarjeje Sebold do të kthehej sërish në Syracuse për të përfunduar studimet, dhe kjo është dhe periudha kur ajo ulet për të shkruar. Muaj më vonë, teksa ecte në rrugë afër universitetit, ajo e njeh sulmuesin e saj dhe njofton policinë, e cila e arreston atë. Pas studimeve në Syracuse, Sebold shkon në Universitetin e Houston në Teksas, për studime pasuniversitare. Më pas ajo shkon në Manhatan, ku jeton për 10 vite. Rruga drejt të shkruarit nuk do të ishte e lehtë për Alice, e cila nis të punojë si kameriere në Manhatan, deri në momentin kur historitë e saj do të pranoheshin nga botuesit. Si një situatë dëshpëruese shihet jeta e Alice në atë periudhë, që nis të përdorë dhe drogën për dy vjet rresht. Gjithçka në jetën e saj do të ndryshonte në vitin 1995, kur ajo botoi librin "Fat", një autobiografi për përdhunimin që i ndodhi në moshën 18 vjeçe. Alice tregon se e quajti këtë roman "Fat", pasi një polic i kishte thënë "që ti je një vajzë me fat që ke shpëtuar gjallë". Kjo pasi para se të sulmonte Sebold, një tjetër vajzë e re ishte vrarë në të njëjtin vend ku ajo ishte sulmuar. "E vetmja gjë që doja në ato kohë ishte të shkruaja, t‘u tregoja njerëzve historinë dhe dhembjen time", tregon ajo.

Polici kishte të drejtë, ajo ishte një vajzë me fat. Historia që ajo përcolli në romanin "Fat" do ta bënte të njohur në të gjithë botën, ndërsa vetë Alice kishte gjetur kështu rrugën e duhur për ta harruar dhembjen. Megjithëse në "Eshtrat e dashura" ajo kërkon të flasë sërish për dhembjen, duke dashur e bërë atë nëpërmjet vdekjes .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›