Kur mendimet nuk duhet të na trembin
Në kuadër të Festivalit të 10-të të Librit (Tiranë, 14-17 nëntor 2007), midis veprimtarive të shumta dhe interesante që promovonin punën e shkrimtarëve dhe shtëpive botuese, në datën 16 u bë paraqitja e
vëllimit "Poezi të zgjedhura" (1990-2007), shtëpia botuese "Besa", 2007, i poetit shqiptar, Gëzim Hajdari, i cili që prej vitit 1992 jeton dhe punon në Itali. Përmbledhja përfshin 227 poezi përfaqësuese nga
librat: "Bar i hidhët", "Antologjia e shiut", "Hije qeni", "Gurë kundër erës", "Trup i pranishëm", "Vragë", "Gjemba të zinj", "Dhimbje hëne" dhe "Peligòrga". Vëllimi i punuar me kujdes përmban gjithashtu një shënim të shkurtër hyrës të vetë poetit, si dhe biografinë e bibliografinë e tij. Në Tiranë, para një auditori prej afërsisht 40 vetash, foli fillimisht për veprën përfaqësuesi i shtëpisë botuese italiane, "Besa". Në fjalën e tij të shkurtër ai e cilësoi Hajdarin si poet të madh të niveleve ndërkombëtare, që shkruan në dy gjuhë (shqip dhe italisht) dhe që deri tani ia ka dalë mbanë t‘u tërheqë vëmendjen revistave të specializuara letrare në Evropë e gjetkë, të cilat i kushtojnë veprës së tij prezantime të hollësishme dhe faqe kritike.
Folësi i dytë, dhe më thelbësori, ishte filologu Jozef Radi, i cili, mes të tjerash, ka hartuar edhe përzgjedhjen në fjalë. Radi, me një ligjëratë të pjekur dhe objektive, iu referua korpusit të veprës së
Hajdarit, duke argumentuar elementët e universalitetit, por edhe të "shqiptarësisë", të stilit të veçantë dhe vlerave të veprës së Hajdarit. Ndër anët pozitive të fjalës së Jozef Radit do të përfshija edhe ofrimin e një "çeljeje" shpirtërore për koment kritik të veprës së Hajdarit, në rast se dikush do të dëshironte të bënte diçka të tillë. E theksoj këtë, sepse, në kësi veprimtarish, rrallë qëllon t‘u jepet dëgjuesve ose/dhe lexuesve të ardhshëm një mundësi e këtillë.
Promovimi u mbyll me ndërhyrjet e shkurtra, por të ngrohta, të katër shkrimtarëve të tjerë. Kërkoj ndjesë, por prej tyre njihja vetëm punëtorin e palodhur të letrave, Dionis Qirzidhi. Fatkeqësisht, organizatorët nuk kishin menduar të linin kohë për pyetje nga ana e auditorit. Kjo është edhe njëra nga arsyet që po shkruaj shënimin e
sotshëm. Por, gjithashtu, shkruaj ngaqë libri i promovuar renditet në kuadrin e "letërsisë në emigracion" dhe, për rrjedhojë, u intereson krijuesve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Poezia, dhe letërsia në përgjithësi, nuk perceptohen si "vetëkonsum", si paraqitje e thatë që shterohet brenda një tjetër veprimtarie shoqërore. Me këtë nuk
dua të pretendoj se promovimet nuk janë të dobishme. Por duhet ta përligjin rolin e tyre dhe të shtrojnë edhe disa çështje orientimi. Njëra nga këto çështje do të ishte, për shembull, përqafimi dhe pohimi i poezisë së Gëzim Hajdarit në Shqipëri. Madje, për të qenë më e
saktë, përqafimi dhe pohimi në Shqipëri i "poezisë dhe letërsisë së emigrantëve". Nëse përmend Hajdarin dhe ngulmoj tek ai, këtë e bëj ngaqë veprën e pasur dhe, për mendimin tim, të rëndësishme të tij, e njoh më mirë se veprat dinjitoze të krijuesve të tjerë shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Greqi dhe Itali. Në sajë të punës sime me objektin në fjalë, në sajë të vizitave të mia të shpeshta në Shqipëri dhe në sajë të kontakteve të çmuara që mbaj me kolegët akademikë shqiptarë, jam në gjendje të dal në përfundimin se tema e "letërsisë në emigracion" mbetet - hë për hë - jashtë çdo diskutimi të nivelit akademik. Nuk do të doja, nga ky pozicion, të rrezikoja duke shfaqur
interpretime vetjake, që më vonë mund të dalin - gjë që e uroj - të pabaza. Ka kaluar mjaft kohë nga lindja dhe dominimi i "dukurisë së emigracionit" shqiptar dhe heshtja kaq e gjatë ndaj një prodhimi letrar të rëndësishëm, në sasi dhe cilësi, nuk më duket e drejtë. Dua të shpresoj se së shpejti do të hapet edhe në Shqipëri një diskutim i ngjashëm, sikurse ndodh në gjithë Evropën. Është e qartë që letërsia nuk ka zgjidhur probleme askund dhe asnjëherë dhe as duhet të presim prej saj diçka të tillë. Por ajo, padyshim, ndihmon kontaktin dhe komunikimin mes njerëzve, zhvillimin e fjalës kritike, qoftë dhe nëpërmjet mospërputhjeve. Një komunikim i tillë krijues dhe shkëmbimi i mendimeve nuk duhet të na trembin. Kërkimet e mia, si dhe ndërhyrja e sotshme, kanë për qëllim kryesor nënvizimin e kësaj të vërtete të
vetëkuptueshme.