"Ethet" e Krastës, publiku dhe shteti
"Ethet", ky spektakël i madh ka fituar tashmë zemrat e publikut. Me sa kuptohet dhe nga sondazhi ynë, "Ethet", janë futur në familjet tona dhe sondazhi dhe "virusi" i tyre po përhapet gjerësisht duke prekur njerëz të moshave dhe shtresave të ndryshme. Tani kur spektakli ka hyrë në fazën më interesante dhe dalëngadalë po i afrohet fundit, temperatura e "Etheve" është rritur ndjeshëm. Reagimi i publikut ndaj "Etheve" është i dukshëm; shprehet në interesimin e madh dhe emocionet e vlerësimet pozitive për spektaklin. Sa për ilustrim po paraqesim disa nga vlerësimet që kemi mundur të sigurojmë përmes intervistave dhe bisedave me njerëz të kategorive të ndryshme sociale.
Drita, mësuese në pension: Na kanë zënë "Ethet" e Adit. Është padyshim një spektakël jo vetëm me vlera artistike, por dhe me vlera njerëzore, etike dhe qytetare.
Ina, pedagoge në UT: Drithërohemi nga "Ethet". Na kanë kapluar familjarisht. Është një spektakël i mrekullueshëm. Ndodh që për "Ethet" të lëmë paksa punët dhe pothuajse çdo program te televizionet e tjera, duke u mbërthyer para "Top Channel".
Skënderi, inxhinier në ndërtim: Mezi i presim "Ethet". Ky spektakël është gëzimi dhe kënaqësia e javës. Rrezaton kulturë dhe të mbush me emocion.
Beni, student në Fakultetin e Shkencave Sociale: U mësuam me "Ethet". Kemi nevojë për shfaqje të tilla, sepse po na zënë frymën lajmet me kronika të zeza, sherret e politikanëve të dyshimtë, pseudoarti dhe monotonia.
Mira, nxënëse në shkollën e mesme, "Naim Frashëri": "Ethet" janë si një fabrikë që fabrikon talente. Dhe Adi që e ngriti këtë "fabrikë" meriton nderimin dhe vlerësimin më të lartë.
Bona, shitëse rrobash në tregun "Gabi": Të keqen e "Etheve" të Adit. Si këto "Ethe" paçim gjithmonë. Bëhemi shumë frymë në Shqipëri. Ai dreq televizor na ka futur disa herë në sherr. Çdonjëri nga ne i lëviz stacionet tak-fak për hesap të vet. Vetëm Adi me ato "Ethe" e tij na nxjerr nga sherri. Ia marrsha t`keqen Adit që na bën të mos bzajmë kur mblidhemi për të parë çunat dhe gocat e "Etheve". Por sapo Adi thotë "natën e mirë", nis përsëri sherri. Kam për ta thyer atë komandë një ditë, por ndoshta kur të kenë mbaruar "Ethet".
Pasi mësuam se çmendon populli për spektaklin e njohur, nuk e dimë nëse Presidenti ynë, Kryeministri apo ministrat, janë prekur nga "Ethet"?
Sidoqoftë, them se ky spektakël i përmasave mbarëkombëtare, i konceptuar si një maratonë artistike, si një paradë e talenteve të reja, meriton mbështetjen, inkurajimin dhe vlerësimin nga shteti. Arsyet janë të shumta: Së pari dhe mbi të gjitha Adi Krasta, juria dhe i gjithë ekipi i spektaklit i janë përkushtuar një misioni të lartë e tepër fisnik. Ata ndihmojnë për të perceptuar direkt bukurinë, intelektin dhe shpirtin artistik të rinisë shqiptare, të përfaqësuar denjësisht nga të gjithë fituesit e "Etheve", që kur nisi ky spektakël, këtu e vite më parë. Që të gjithë formojnë një mozaik të bukur, që është pjesëz e bukurisë së përgjithshme shqiptare. Dhe vlerësimi shkon për Adi Krastën, këtë mjeshtër të prezantimit skenik, si dhe për jurinë e cila me profesionalizëm, na përçon dhe ne publikut, leksione mbi artin dhe mjeshtërinë e të kënduarit.