E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ethet" vazhdojnë, ndalet Fatlum Zeka

Tashmë, janë katër finalistët e mbetur, të cilët do të konkurrojnë "ashpër" me njëri-tjetrin dhe për tri të diela rresht. Si gjithnjë, direkt nga skena e Teatrit të Operës dhe Baletit nën transmetimin e "Top Channel". Duke shkuar drejt fundit, po përvijohet dalëngadalë dhe figura e fituesit të "Etheve 4", ndërkohë që po mbesin prapa profilet e humbësve, që jo domosdoshmërisht janë të tillë, pasi si rregull, nuk votohet për interpretuesin më të dobët, por për interpretuesin më të mirë. Pra, krijohet përshtypja e gabuar sikur për konkurruesin e eliminuar, ata që kanë votuar, janë shprehur se ai duhet të ikë. Por në fakt, mënyra e votimit është e atillë që mbështetet tek aritmetika e thjeshtë: Cili konkurrent merr më pak vota, automatikisht është i eliminuar. Dhe këtë e ka në dorë publiku edhe sikur juria të mos jetë dakord. Në rastin e "Etheve", juria vetëm sa kritikën e saj mbi elementët e interpretimit, pa pasur mundësi vote. Sipas ideatorit dhe drejtuesit të spektaklit, Adi Krasta, edhe në edicionet e kaluara e që nga i pari, ka pasur keqinterpretime lidhur me fituesit apo humbësit, nga ata që kanë hamendësuar për padrejtësira. Dhe në fakt, ashtu ka ndodhur, por publiku që voton nuk mund të akuzohet. Vota e tij është verdikti final, edhe nëse juria rrethin e kuq e ka vendosur diku tjetër e jo atje ku e ka vendosur publiku. Në nja farë mënyre është si në zgjedhjet politike, ku sigurisht një pjesë e mirë e njerëzve, nuk janë dakord me partinë fituese, por ja që vota e elektoratit e bën atë legale. Ja vlen të bëhen të tilla sqarime, pasi konkurrentja e eliminuar e së dielës së kaluar, Himena Ymeri, nuk ishte dakord me ikjen e saj. Sigurisht, ajo shprehu vetëm opinionin personal pa akuzuar askënd dhe tejet e bindur për skemën e votimit, ku fjalën e fundit e thotë publiku, por shumëkush mund të ketë menduar se ndoshta vajza simpatike mund të kishte kontestime, fjala vjen ndaj jurisë.

Tashmë, faza finale e "Etheve" e kanë kaluar gjysmën. Kanë mbetur dhe katër konkurrentë. Rrethi sa vjen e ngushtohet. Do ikin dhe dy prej tyre për të mbetur dy të fundit që do "shtrydhen" në natën finale, që do jetë një spektakël i përmasave gjigante. Edhe në rrugën e bërë gjer më tani, mund të thuhet se etheistët janë "shtrydhur" paksa mizorisht, por asnjëherë mjaftueshëm për ta merituar qëndrimin në skenë, sa për të qenë fitues e jo për të vijuar këngën, pasi ata tashmë, duke iu referuar dhe gjykimit të jurisë, janë ngjitur në nivelet e interpretuesve profesionistë. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi për tre - katër muaj, kanë arritur të bëjnë një shkollë të tërë muzike e interpretimi e në këtë pikë, diploma e "Etheve", ka një vlerë të jashtëzakonshme. Profesionistë, sepse kanë arritur të përballojnë prova të vështira interpretimi me disa gjini kënge; një juri të pakalueshme dhe për elementët më të imët të profanizimit; si dhe të kalojnë mbi të gjitha mbi pasigurinë ndaj vetvetes.

Së këndejmi, edhe pse fituesi do të jetë vetëm një, të gjithë etheistët e fazës finale, kanë fituar të drejtën që të prezantohen në skena festivalesh apo evenimentesh të ndryshme muzikore, si profesionistë. Më të afërt, ata kanë pjesëmarrjen në "Top-Fest", ndërkohë që para këtij evenimenti të madh, u jepet rasti që të interpretojnë dhe në një prej emisioneve më të ndjekura, "Blue Jeans", çdo të premte në "Top Channel". Ndërkohë, disa prej tyre, vijojnë shkollat e muzikës e madje degën e Kantos, kështu që "Ethet" i kanë si plus në karrierën e tyre, jo thjesht si pjesëmarrje, por dhe si një shkollë më vete.

Ajo që i lartëson "Ethet 4", është dhe realizimi i tyre nga ekipi televiziv i "Top Channel". Dhe është e para herë që ky spektakël i madh muzikor vjen për shqiptarët dhe formatin më të avancuar të teknologjisë audioviziale, e vërejtur qartazi kjo si për spektatorët në skenë që e ndjekin direkt, ashtu dhe për teleshikuesit që e ndjekin nëpërmjet valëve të "Top Channel" e DigitAlb, nën regjinë e mjeshtrit Pali Kuke. Dhe falë kësaj, për herë të parë këto "Ethe" ndiqen nga të gjithë shqiptarët, kudo në botë.

Konkurrentët

Vijojnë garën:

Kejsi Tola - Tiranë

Marjela Billa - Tiranë

Fatlum Zeka - Prishtinë

Dorina Xërxa - Gjakovë

Dorina Garuci - Shkodër

-----------------------------

Janë eliminuar:

Himena Ymeri - Tiranë

Evin Thana - Prizren

Simona Karafili - Kavajë

Xhensila Myrtezai - Tiranë

Rezarta Smaja - Shkodër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›