Skënderbeu kërcënon: Do të bojkotojmë kampionatin
Skënderbeu mund t‘i japë fund para kohe këtij edicioni në Kategorinë Superiore, pasi ka vendosur të bojkotojë pjesën tjetër të sezonit. Vendimi drastik i ekipit korçar është marrë dje pas një mbledhjeje të drejtuesve të klubit, si shenjë proteste ndaj veprimeve të gjyqtarëve. Skënderbeu ka protestuar disa herë ndaj vendimeve të dyshimta të "xhaketave të zeza", por duket se takimi me Shkumbinin ka vulosur gjithçka, pasi tashmë korçarët kanë shpërndarë një komunikatë për shtyp ku sqarohen arsyet e këtij bojkoti që hyn menjëherë në fuqi.
Përfaqësuesi i shoqatës së futbollit "Skënderbeu", Gjergji Gulimaçi, ka shpalosur dje para gazetarëve vendimin që ka marrë kryesia e klubit. Ai ka bërë të qartë se gjithçka ka qenë pasojë e vendimeve të dyshimta të gjyqtarëve, të cilët kanë "persekutuar" klubin korçar që aktualisht gjendet në vendin e fundit në renditje. "Duke parë gjykimet tendencioze të përsëritura të gjyqtarëve dhe pafuqishmërinë e federatës për të ndërhyrë, kryesia ka marrë vendimin e saj të prerë që tashmë e bën edhe publik: Ne do të bojkotojmë kampionatin në vazhdim. Janë disa veprime të përsëritura nga të gjitha instancat drejtuese të futbollit, që na kanë dëmtuar dhe kështu nuk mund të vazhdohet", u shpreh Gulimaçi. Sipas korçarëve, Skënderbeu ka qenë i dëmtuari më i madh nga vendimet e gjyqtarëve, por edhe të FSHF-së. Ata kanë bërë të ditur se kanë pakënaqësi për rastin e ndeshjes me Besën, ku Fortunat është aktivizuar pavarësisht faktit se ishte i regjistruar njëkohësisht në dy klube. Në shënjestrën e kontestimeve janë edhe tri ndeshjet ndaj skuadrave kryeqytetase, Dinamo, Tirana e së fundmi Partizani, ku korçarët kanë kërkuar një 11-metërsh. "Ne nuk mund të garojmë kur ekipet nuk janë të barabartë në trajtimin, për zhvillim normal të kampionatit. Ne kemi shpenzuar shumë për këtë ekip dhe për futbollin, por këto investime po merren nëpër këmbë dhe duke parë se kemi konsumuar të gjitha mënyrat demokratike për zgjidhjen e problemit, me keqardhje marrim edhe këtë vendim ekstrem, por të detyruar. Një vendim që duhet të dëgjohet nga FSHF-ja dhe të marrë masa të menjëhershme, për të dhënë një përgjigje dhe jo vetëm kaq, por të merret edhe masa konkrete në të mirë të futbollit", shkruhet në deklaratën për shtyp të lëshuar nga klubi korçar. Skënderbeu ka argumentuar vendimin drastik me gjykimin e Velçanit në takimin e kësaj fundjave përballë Shkumbinit, të humbur me rezultatin 3-1. Korçarët pretendojnë se 11-metërshi i parë i dhënë kundër tyre nuk ishte i tillë, ndërsa edhe dënimi i Drabajt me karton të kuq ishte i gabuar, pasi lojtari nuk kishte bërë ndërhyrje të gabuar ndaj futbollistit kundërshtar. Drejtuesit e skuadrës kanë bërë të ditur se edhe goli i dytë i Shkumbinit, shënuar nga Nora, ishte një pozicion i dukshëm jashtë loje, për të cilin kanë si provë kasetën filmike të ndeshjes ku janë evidentuar edhe gabimet e tjera të Velçanit. Tashmë mbetet në dorën e FSHF-së të komentojë vendimin e korçarëve, që do të penalizojë ecurinë normale të aktivitetit.