E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për Durrës-Kukës, Berisha ironizon Ina Ramën

Kryeministri Berisha ka preferuar ta kalojë me "no comment" kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për dorëzimin e kasetës së mbledhjes së qeverisë, ku është diskutuar për tenderimin e rrugës Durrës-Kukës. Sulmi i opozitës dhe i ish-prokurorit të përgjithshëm, Theodhori Sollakut, ndaj ministrit Lulzim Basha, prej muajsh me radhë janë cilësuar si politike nga mazhoranca. Tashmë që në krye të institucionit të akuzës është vënë një prokurore, e cila ka marrë vlerësimin jo vetëm të të djathtëve, por edhe të të majtëve dhe nëse refuzimi i shiritave të kasetës që përmban mbledhjen e qeverisë mbi tematikën e rrugës historike Durrës-Kukës i ishte bërë Sollakut për arsye politike, nëse historia përsëritet për prokuroren Ina Rama, atëherë këtu tregohet hapur se ka diçka për të cilën ose jemi gënjyer herën e parë, ose do të gënjehemi tani. Gurin e duhur për të lëvizur tashmë e ka në dorë vetëm Kryeministri Berisha dhe lëvizjet e këtij të fundit në ditët në vazhdim do të tregojnë të vërtetën e zbathur të kësaj historie, e cila ka marrë nota kritike dhe misteri që prej tetorit të vitit të kaluar.

Berisha inspekton punimet

Shefi i qeverisë, Sali Berisha, ka ndjekur dje nga afër ecurinë e punimeve në tunelin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Kryeministri premton se rrugën të cilën e konsideron si një vepër historike të Shqipërisë, do ta përfundojë brenda afateve. "Opozita duhet të lërë mënjanë kritikat dhe duhet të vlerësojë madhështinë e rrugës", tha Berisha. Kryeministri, i shoqëruar edhe nga ministri i Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, përshkroi në këmbë pjesën e hapur të tunelit, i cili nga njëra anë ka arritur një gjatësi 1.3 km. "Dua të shpreh nderimin më të thellë për kompaninë ‘Bektel Enka‘, për të gjithë ekipin e punëtorëve, të inxhinierëve, për këtë punë gjigante që po kryhet. Rruga është aorta e kombit", tha ai. Duke iu referuar opozitës, Berisha u shpreh se "i ftoj ata të cilët madhështia e rrugës i ka verbuar totalisht dhe ngrihen çdo ditë e vjellin vrer kundër saj. Le të vijnë këtu, se ndoshta kjo punë e paimagjinueshme do t‘u shkrijë të gjitha shtresat e errëta të përgjigjeve të tyre. Do t‘u japë dhe do t‘i çojë edhe ata drejt vlerave bazë të njeriut, të qytetarit". Duke shtuar se puna me tri turne do të zbatohet edhe në shtrimin e këtij segmenti rrugor, Berisha ka refuzuar pyetjen lidhur me dorëzimin e kasetës së mbledhjes së qeverisë për segmentin Durrës-Kukës. "Unë jam këtu vetëm për rrugën, për legjendën e saj. Rruga Rrëshen-Kalimash është pjesë e një autostrade prej 170 kilometrash, që lidh bregun e Adriatikut me kufirin me Kosovën", u shpreh ai. Kryeministri, duke devijuar thelbin e pyetjes, ka preferuar të ndalet më shumë jo vetëm te ndërtimi i kësaj rruge, por edhe te punësimi i 2800 punëtorëve dhe inxhinierëve në këtë segment, të cilët, sipas tij, marrin një rrogë nga 300-1000 euro, ndërsa fjetja dhe ushqimi u sigurohet falas. "Deri tani nuk është regjistruar asnjë aksident me pasojë vdekjen gjatë punimeve. Në të gjithë trajektoren e saj, pjesa më e vështirë janë tunelet. Në punimet e kësaj vepre punohet 24 orë pa pushim, duke bërë vetëm dy ditë pushim në muaj", tha ai.

Ana teknike

Si po ndërtohet rruga Durrës-Kukës?

Nga pikëpamja teknike, autostrada është e ndarë në 3 segmente, Rrëshen-Rreps, me gjatësi 19.8 km, Rreps-Thirrë, me gjatësi 26.5 km dhe Thirrë-Kalimash, me gjatësi 14.8 km. Kjo autostradë, me gjatësi të përgjithshme prej 64 km, me katër korsi, ndërtohet nga kompania "Bektel Enka". Segmenti i tretë Thirrë-Kalimash, ka një tunel me dy shpime paralele, me rreth 6 kilometra të gjatë, që kalon përmes malit Qafa e Kumbullës. Ky tunel presupozohet të jetë një ndër më të gjatët në rajon. Aktualisht, në tunel po punohet në të dyja anët, nga ana e Thirrës tuneli është realizuar në gjatësinë 1.3 km. Ndërsa nga ana tjetër e tunelit puna ka ecur paralelisht në një gjatësi 1.3 km. Të parashikuara në projekt janë ndërtimi i 27 urave, me një gjatësi totale 24 metër, sipërfaqja do të ndërtohet me 6 traversa 40 metërshe, me peshë 165 tonë secila.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›