E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa ndikon integrimi i Maqedonisë në BE

Sa ndikon integrimi i Maqedonisë në BE! Maqedonia, si një shtet i Evropës Juglindore përkrah Shqipërisë, Turqisë dhe Kroacisë, me padurim pret anëtarësimin e saj në BE. Sot, Maqedonia, me një sipërfaqe prej 25.333 km2 dhe me një gjatësi kufitare prej 766 kilometra, më shumë kufizohet me BE-në, me një gjatësi prej 394 kilometra (Bullgarinë dhe Greqinë), sesa me pjesën tjetër Shqipërinë, Serbinë dhe Kosovën që është 372 kilometra. Kjo tregon qartë se Maqedonia edhe gjeografikisht tani ndodhet shumë më afër Bashkimit Evropian se më parë. Por sa do zgjatet anëtarësimi i plotë nuk e di askush, por dihet se nëse punët shkojnë në këtë mënyrë, Maqedonia do jetë shteti i parë që do pranohet në BE, pas Kroacisë, pasi edhe ka nënshkruar Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit më parë se ndonjë shtet tjetër, këtu nuk mund të përmendim Turqinë, pasi ky shtet ka problem disi më ndryshe nga shtetet e tjera. Në lidhje me këtë, para ca kohësh erdhi një sinjal pozitiv nga politika maqedonase, por s‘dihet se sa i vërtetë është dhe arsyet që ngërthen pas. Ky sinjal është që Maqedonia së shpejti do vendosë regjimin e vizave me gjithë vendet e tjera, përfshi këtu edhe Shqipërinë, pasi pret anëtarësimin në BE dhe si e tillë duhet të jetë vend i sigurt dhe me kufij të kontrolluar mirë. Të flasim më tepër se a është veprim i drejtë ky apo jo, më shumë se do paragjykonim nuk do jepnim ndonjë ide të saktë, por nëse ky ligj thjesht është ‘imponuar‘ nga Evropa nuk kemi pse të mos e pranojmë si të tillë dhe nuk duhet akuzuar politika maqedonase për këtë. Sa i takon asaj se disa qarqe të politikës shqiptare këtë ligj e llogarisin si një ligj thjesht kundër sivëllezërve tanë të Shqipërisë, besoj se më duket koncept pashije. Me këtë ligj mund të izolohet Shqipëria, por jo më shumë sesa Maqedonia. Maqedonia me këtë ligj do zvogëlojë turistët e shumtë që ka nga Shqipëria në Ohër dhe Strugë, që janë fitimi më i madh i saj, ndërsa si kundërpërgjigje, me vendosjen e regjimit të vizave edhe nga Shqipëria, maqedonasit do harrojnë për disa vjet se si duket deti. Pra është e qartë se Maqedonia duhet të përgatitet për këtë ligj më shumë sesa Shqipëria, që do ta aprovojë sa më shpejt, dhe këtu qartazi shihet se nuk do këtë asnjë përfitim përveç humbjes nëse e aprovon këtë ligj thjesht kundër shqiptarëve. Po sa ndikon integrimi i Maqedonisë në BE? Grupi i analistëve, duke parë zhvillimin e ulët të Maqedonisë dhe një zhvillim të lartë të Evropës, shpallin dyshimin për integrimin e saj edhe për diku 20 vjet. Por nëse do i mendonim kështu gjërat, unë them se integrimi i Maqedonisë në BE, nuk do ndodhë asnjëherë, duke pasur parasysh GDP-në e Austrisë, Belgjikës, Holandës dhe në anën tjetër të Maqedonisë. Për këtë arsye kjo gjë duhet të shihet në një këndvështrim tjetër. Sa larg është Maqedonia nga BE-ja, krahasuar me Rumaninë dhe Bullgarinë? Sa Maqedonia do zvogëlojë ekonominë evropiane nëse kjo e fundit anëtarësohet në BE? Cilat janë dallimet mes anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në BE, dhe në anën tjetër të Maqedonisë? Duke u mbështetur në statistikat e CIA-s(për më tepër shiko www.cia.com) dhe duke bërë llogaritje të thjeshta matematikore konstatojmë se GDP-ja për kapital në BE me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë ka rënë nga 28000$ në 26660$ në vit. Ndërsa nëse tani shpejt anëtarësohet Maqedonia GDP-ja e Evropës do bjerë në 26580$ për njeri, pra thjesht është një ulje që nuk ndihet. Në anën tjetër, GDP-ja për njeri e Maqedonisë është vetëm 760$ më e vogël nga ajo e Rumanisë dhe 2400$ më e vogël se ajo e Bullgarisë. Inflacioni, një problem kyç në ekonominë botërore, në këtë rast përsëri mbetet për t‘u admiruar nga Maqedonia, pasi inflacioni i Bullgarisë dhe Rumanisë është 7.7% dhe 6.6% respektivisht, në krahasim me atë të Maqedonisë që është vetëm 3.2%, ndërsa i BE-së është 1.6%. Mund ta shihni se sa do ndryshojë inflacioni me hyrjen e minishtetit Maqedoni në BE, ku mos harrojmë faktin se inflacioni në Maqedoni kohët e fundit është edhe stabil. Pra, shihet qartë se ekonomia evropiane nuk do ‘destabilizohet‘ dhe as nuk do pësojë ndryshime me anëtarësimin e Maqedonisë dhe nuk do ndryshojë as për 0,1%. Shqetësimi dhe skepticizmi tjetër që mund të mendojë ndokush në lidhje me ligjin e regjimit të vizave nga ana e Maqedonisë, është se edhe problem tjetër me Maqedoninë është çështja e emigrantëve. Është e vërtetë se politika evropiane ka shpallur alarmin për këtë çështje dhe kjo ka problematikën e vet, por nëse e krahason emigrimin e njerëzve të Maqedonisë, e cila është me 0.61/1000 ikje jashtë, përgjithësisht në BE dhe me atë të Rumanisë dhe Bullgarisë me nga 0.13/1000 dhe 3.71/1000 respektivisht, atëherë Maqedonia ka avantazh. Pasi nëse këto shifra i shfaqim se sa persona gjithsej largohen, do kemi se nga Bullgaria dhe Rumania së bashku largohen 27200+2899=30099 persona, ndërsa nga Maqedonia largohen vetëm 1281 persona që është më pak se Rumania dhe Bullgaria ndaras. Nuk them se Maqedonia është më e zhvilluar sesa Bullgaria dhe Rumania, por shihet qartë se Maqedonia nuk do jetë as njollë e keqe për BE-në nëse kjo e fundit anëtarësohet në të. Në çdo aspekt integrimi i Maqedonisë do jetë më i ‘përshtatshëm‘ sesa ish-integrimi i Rumanisë dhe Bullgarisë. Për këtë shkak, nuk është i çuditshëm fakti që aprovimi i ligjit për regjimin e vizave nga ana e Maqedonisë të jetë thjesht si sukses-fat dhe detyrim i saj. Në fund të fundit edhe Maqedonia këtë problem e pati me Bullgarinë 2 vjet më parë dhe se ligji i aprovuar nga Maqedonia është si për Shqipërinë ashtu edhe për Serbinë dhe vendet e tjera mike të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›